1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dyshime për vrasjen e terroristit më të kërkuar në Azinë Jugore, Noordin Top

9 Gusht 2009

Të shtunën (8.8.) televizionet indoneziane njoftuan vrasjen nga policia të terroristit Noordin Top. Ndërkohë, po shtohen sinjalet, se terroristi shumë i kërkuar nuk ndodhej në vendin ku u zhvillua aksioni i policisë.

https://p.dw.com/p/J6C4
Noordin Mohammad Top
Noordin Mohammad TopFotografi: FBI

Aksioni i policisë natën e kaluar (7.08.09) u transmetua si "breaking news" në televizionin indonezian, por ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Forca speciale të njësisë indoneziane anti-terror, kontrolluan fillimisht një punishte në Temangung, në pjesën qendrore të ishullit Java. Gjatë kontrollit pati shkëmbime zjarri me tre-katër persona të cilët ndodheshin atje. Zëdhënësi i policisë Nanan Soekarna tregon: "Informacioni i televizionit është i saktë. Dje në mbrëmje pati një shkëmbim zjarri. Objektivi ishin një grup pjesëtarësh të organizatës terroriste të Noordin Topit. Nëse vetë Noordin Top ishte në mesin e tyre, nuk mund ta konfirmoj ende."

Indonesien Tötung Terrorist Noordin Top
Bastisjet e policisë indonezianeFotografi: AP

Më pas forcat e sigurisë sulmuan një shtëpi në Bekasi, në afërsi të Xhakartës, e cila sipas informacioneve në televizion, i përket një predikuesit në një shkollë të fesë islame. Atje u sekuestruan 500 kilogram lëndë shpërthyese, si dhe një autobombë, e cila sipas policisë, ishte pregatitur për një sulm mbi një objektiv të caktuar, për të cilin nuk u dhanë hollësi të tjera.

Gjatë një tjetër kontrolli të shtunën në mëngjes (8.8.), forcat e sigurisë u përleshën me një tjetër grup terroristësh. Në transmetimet direkt në televizion, shiheshin shpërthime bombash dhe shkëmbime zjarri.

Noordin Top bëhet përgjegjës për shumë atentate terroriste gjatë viteve të shkuara, ndër të tjera edhe për atentatet me bomba në ishullin turistik Bali në vitet 2002 dhe 2002, atentatin kundër hotelit Marriot dhe ambasadës australiane në Xhakarta në vitet 2003 dhe 2004, si dhe për atentatet e fundit kundër dy hoteleve luksoze në kryeqytetin indonezian, në mes të korrikut të këtij viti.

Arsenal i madh armësh
Arsenal i madh armëshFotografi: AP

Noordin Top është një figurë kyç në luftën kundër terrorizmit në Azinë Jugore, tha në televizion eksperti për terrorizmin Rohan Gunaratna: "Arrestimi ose vrasja e Noordin Topit do të ishte një sukses i rëndësishëm për mbrojtjen e sigurisë kombëtare në Indonezi. Ndryshe duhen pritur atentate të tjera terroriste, pasi Noordin Top është drejtuesi i një prej grupeve më të rrezikshme, të shkëputur nga organizata terroriste Xhema Islamia. E rëndësishme është megjithatë, që të shkatërrohet i gjithë rrjeti i përbërë nga predikues radikalë të islamizimit, shtëpi botuese në ilegalitet dhe financues."

Grupi terrorist rreth Noordin Topit, u shkëput nga Xhemah Islamia vite më parëdhe zgjidhte si objektiva të atentateve, vende ku mund të vriteshin sa më shumë perëndimorë. Atentatet e fundit në Xhakartë, kishin në shënjestër një grup biznesmenësh të huaj, të cilët takoheshin rregullisht në hotelin Ritz-Carlton në Xhakarta.

Autor: Bernd Musch-Borowska / Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani