1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dyshimet për korrupsion në EULEX zbehin besimin te organet e drejtësisë

Bekim Shehu4 Nëntor 2014

Njohës të çështjeve të drejtësisë dhe OJQ-të në Kosovë thonë se aferat korruptive në EULEX, të publikuara ditëve të fundit, janë një goditje e jashtëzakonshme në besimin publik dhe reputacionin e misionit.

https://p.dw.com/p/1Dgci
Fotografi: DW

Njohës të çështjeve të drejtësisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile thonë se dyshimet e ngritura për afera korruptive edhe për brenda misionit EULEX, do të ndikojnë dukshëm në rënien e besimit te organet, që janë të thirrura për vënien e drejtësisë në vend. Janë mbi 20 organizata të shoqërisë civile, që i kanë adresuar një letër Bashkimit Evropian, ku shprehet shqetësimi ndaj zhvillimeve të fundit në Misionin Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, pas akuzave dhe kundërakuzave për përfshirjen e zyrtarëve të këtij misioni në afera korruptive. Këto organizata shkruajnë se “shoqëria kosovare ka pritur që ky mision do të jetë kontribues i rëndësishëm për një drejtësi funksionale dhe në shërbim të qytetarëve."

Besimi në punën e EULEX është zbehur dukshëm kohëve të fundit si rezultat i performancës së pamjaftueshme në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, sidomos në nivelet e larta. Aferat korruptive të publikuara ditëve të fundit janë një goditje e jashtëzakonshme në besimin publik dhe reputacionin e këtij misioni, por edhe të sistemit kosovar të drejtësisë. Me një mungesë të tillë të besimit dhe kredibilitetit EULEX dhe i gjithë sistemi vendor i drejtësisë do ta kenë shumë të vështirë që t'i bindin qytetarët e Kosovës, që po punojnë për sundim të rendit dhe ligjit”, thuhet se letrën e mbi 20 organizatave të shoqërisë civile.

Këto organizata të shoqërisë civile kërkojnë nga Misioni EULEXqë sa më parë të ndërmarrë hetimet e brendshme rreth aferave korruptive dhe presioneve ndaj gazetarëve. Gjithashtu i kërkohet Bashkimit Evropianqë të ndërmarrö të gjitha hapat e domosdoshëm dhe të zhvillohen hetime të pavarura dhe varësisht nga rezultatet e hetimeve, të merren masat përkatëse.

Deklarata e përbashkët e organizatave të shoqërisë civile është lëshuar në emër të Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Lëvizja FOL, Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), Syri I Vizionit (SiV), Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), Ec Ma Ndryshe, Instituti KIPRED, Shkolla Politike e Prishtinës (PIPS), Qendra për art bashkëkohor STACIONI, Balkans Policy Research Group (BPRG), Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Instituti Riinvest, Community Building Mitrovica (CBM) Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Ndërkohë vetö shefi i ri i misionit EULEX në Kosovë, Gabriele Meucci, konfirmoi tri ditë më parë në një konferencë për media se që nga viti 2013 janë zhvilluar hetime në lidhje me disa dyshime për korrupsionin përbrenda këtij misioni. Ai siguroi qytetarët e Kosovës se Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, po punon sipas ligjit dhe ka prioritet luftimin e korrupsionit.

“Ne sigurojmë qytetarët se po punojmë sipas ligjit dhe se po punojmë dhe jemi të interesuar për ta luftuar korrupsionin”, pati deklaruar Meucci.

Mirëpo, pavarësisht këtyre deklarimeve, një njohës i çështjeve të drejtësisë, Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Betim Musliu, i tha Deutsche Welle-s se dyshimet e ngritura publikisht nga një prokurore e EULEX-it për veprimtari korruptive të disa prokurorëve dhe gjykatësve të lartë të EULEX-it e kanë tronditur opinionin si në Kosovë, por edhe në Bruksel.

“Pritjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës nga zbatuesit e ligjit të misionit të sundimit të ligjit EULEX kanë qenë me të drejtë shumë të mëdha, për shkak të problemeve dhe brishtësisë së sistemit kosovar të drejtësisë. Ka kohë që qytetarët, shoqëria civile dhe të gjithë kanë filluar hapur të shprehin dëshpërimin me mungesën e rezultateve të misionit të sundimit të ligjit për luftimin e krimeve të luftës, krimit të organizuar dhe korrupsionit, kompetenca këto ekskluzive të këtij misioni”, thotë Betim Musliu.

Betim Musliu thotë se “besimi i qytetarëve në drejtësinë e ndarë në Kosovë vazhdimisht në të gjitha sondazhet e realizuara nga organizata të ndryshme ka qenë më i ulti. Ndërsa tash dyshimet për këto afera korruptive edhe për brenda zbatuesve të ligjit nga ana e ndërkombëtarëve padyshim se do të ndikojnë në rënien drastike të besimit të qytetarëve të Kosovë”.

Sidoqoftë edhe zyrtarö të lartë të Bashkimi Evropian tashmë janë deklaruar se janë duke ndjekur nga afër zhvillimet në Kosovë, në lidhje me akuzat kundër anëtarëve dhe ish-anëtarëve të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX.

Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes për politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federika Mogerini, ka thënë se, “Federika Mogerini ka kërkuar që çështja të hetohet me transparencë të plotë dhe në mënyrën, që do të ruajë besueshmërinë e misionit”.

E përditshmja kosovare “Koha Ditore” në Prishtinë po vazhdon të publikojë shkrime, që flasin për përfshirjen e dyshuar të pjesëtarëve të këtij misioni në vepra korruptive.