1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E ardhmja e autoritetit për dosjet e Stasit

Dirk Kaufmann / exh6 Korrik 2014

Autoriteti për dokumentet e Stasit është një arkiv unik që prej dekadash dokumenton padrejtësinë dhe shtypjen në një diktaturë. Tani do të ketë rregulla të reja për trashëgiminë e "Sigurimit të Shtetit" në RDGJ.

https://p.dw.com/p/1CWTd
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kur më 3 tetor ish-prifti dhe sot Presidenti gjerman Joachim Gauck mori përgjegjësinë për dosjet e Stasit si i ngarkuar i posaçëm i qeverisë gjermane, u ndez një diskutim i ashpër. Shumë vetë e konsideronin publikimin e dosjeve të fshehta ide të gabuar dhe madje folën për vrajse nëse do të do të bëhej e ditur se kush kishte punuar në çfarë funksioni në RDGJ. Por kjo nuk ndodhi. Puna e të ngarkuarit të qeverisë gjermane për dosjet e shërbimit shtetëror të sigurisë të ish RDGJ-së dhe autoriteti i tij u pranuan mirë. Shumë shpejt autoriteti thirrej shkurt "Autoriteti Gauck".

Puna e tij nuk vlerësohet vetëm nga gjermanët të cilët duan të mësojnë për të kaluarën e tyre në kohën e RDGJ-së. Edhe njerëz nga vende të tjera duan të dinë se mund të trajtohet një trashëgimi e tillë e vështirë, interesohen për autoritetin e dosjeve të Stasit. Për përpunimin shkencor të së kaluarës arkivi është i pazëvendësueshëm, mendon Richard Schröder, kryetar i Këshillit të të ngarkuarit të Federatës: "Mund të thuhet se historia e RDGJ-së është pjesa e hulumtuar më mirë e historisë gjermane dhe kjo për shkak të aksesit tek dosjet që është atje i mundur."

Më e lirë nuk do të bëhet

Por ndërkohë, një çerek shekulli pas fundit të diktaturës së RDGJ-së gjithnjë e më shumë qytetarë pyesin për kuptimin e ekzistencës së autoritetit. Jörg Drieselmann për shembull, drejtor i Muzeut të Stasit në Berlin i ka dhënë tashmë për vete përgjigje kësaj pyetjeje: "Unë mendoj se nuk kemi më nevojë për të." Madje edhe kryetari i këshillit të autoritetit e konsideron të kapërcyer kuptimin e tij: "Qëllimi për këtë plotfuqi të posaçme, pra rregullimin e aksesit tek dosjet, tani nuk ekziston më. Ai është i rregulluar në rrugë gjyqësore. Aksesi tek dosjet zhvillohet vetvetiu."

Stasi-Unterlagen-Behörde
Fotografi: picture-alliance/dpa

Por me argumentin që sjell edhe Jörg Drieselmann, pra që "mund të kursehen para në masë të konsiderueshme", Schröder nuk është dakord. Edhe nëse autoriteti do të shpërbëhej, puna nuk mbaron aty. Ai ka një vështrim të diferencuar për këtë çështje: "Mund të ketë efekte sinergjie. Por në parim vlen që kur detyrat vazhdojnë të kryhen, pavarësisht se nën çfarë emri, ato do të shkaktojnë gjithnjë pak a shumë të njëjtat kosto."

Po me dosjet çdo të bëhet?

Nëse autoriteti do të shpërbëhej, jo vetëm duhej të shpërndahej puna por edhe vetë dosjet: ku do të shkojnë ato dhe ku mund të shihen? Richard Schröder përmend këto alternativa: "Qendra federale për formim politik, fondacioni 'Përpunimi' dhe strukturat muzeale si ndërtesa nga drejtonte Mielke (ish ministri i Brendshëm i RDGJ) apo burgu i Stasit."

Mundësia tjetër më e afërt do të ishte të përdoreshin kapacitetet e disponueshme: "Dosjet mund të administroheshin edhe më tej në arkivin federal." Një propozim për të cilin nuk ka çfarë të kritikojë as Drieselmann: "Atje gjendet e përqendruar në masë të madhe ekspertiza për ta trajtuar këtë material ashtu si duhet."

Veç kësaj thotë drejtori i Muzeut të Stasit në Berlin, puna në arkivin federal është më mirë e organizuar se sa në autoritetin për dosjet e Stasit. Arkivi federal ka përvojë më të gjatë me shkencëtarët dhe ndërkohë mund t'i përgjigjet më mirë kërkesave të tyre. Në krahasim me këtë "një punë shkencore kuptimplotë nuk është më e mundur në autoritetin e të ngarkuarit të Federatës për dosjes.""

Roland Jahn
Roland JahnFotografi: DW/R. Romaniec

Edhe pesë vjet të tjera

Që puna e autoritetit të dosjave të Stasit nuk ka përfunduar ende, për këtë janë dakord të gjithë. I ngarkuari aktual i Federatës, Roland Jahn, përmbledh arsyet për këtë: "Puna është e rëndësishme pasi ka ende njerëz të cilët kanë përjetime nga koha e diktaturës. Dhe është e rëndësishme të zbardhet si funksionon diktatura, këtë kërkon ta dijë edhe brezi i ardhshëm."

Kush nuk ka "parë dosjet" ende ose fillon vetëm tani me kërkimet për mënyrën e funksionimit të regjimeve shtypëse, nuk duhet të bëhet nervoz: ka ende kohë të mjaftueshme për hulumtime. Vërtet të premten (04.07.2014) Parlamenti gjerman angazhoi një komision ekspertësh që do të merret me të ardhmen e autoritetit për dosjet. Ai duhet të japë propozime se çfarë do të bëhet në të ardhmen me këtë autoritet por ato priten në vitin 2019.