1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

290710 UN Wasser Menschenrechte

29 Korrik 2010

Njerëzit gëzojnë të drejtën për të pasur ujë të pijshëm të pastër! Të mërkurën Asambleja e Përgjithshme e OKB-së(28.7.) miratoi një rezolutë e cila e cilëson të drejtë bazë qasjen e çdo banori të globit në burime uji.

https://p.dw.com/p/OXTJ
Qilime algash në lumenj
Qilime algash në lumenjFotografi: picture-alliance/dpa

E drejta themeltare humanitare e çdo banori të globit për ujë të pijshëm të pastër tani njihet zyrtarisht, ashtu si e drejta për ushqim apo e drejta për të jetuar pa tortura apo diskriminime raciste. Të mërkurën (28.7.) Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me shumicë të madhe një rezolutë përkatëse. Projekt-rezoluta u paraqit nga ambasadori i Bolivisë në OKB, Pablo Solon.

"Njeriu përbëhet në pjesën më të madhe nga uji, rreth dy të tretat e trupit dhe 75% e trurit tonë janë ujë. Është e mundur të jetosh shumë javë pa ushqime. Por nuk mund të mbijetosh shumë ditë pa ujë."

Por pikërisht para kësaj sfide vdekjeprurëse ndodhet një pjesë gjithnjë e më e madhe e popullsisë së globit. 884 milionë banorë të globit, sipas statistikave të programit të OKB-së për mjedisin, nuk kanë qasje në ujin e pastër të pijshëm, rreth 2,7 miliardë nuk kanë mundësi të përdorin tualete dhe paisje të tjera të thjeshta sanitare. Pasojat janë dramatike: çdo vit rreth dy milionë vetë vdesin nga mungesa e ujit të pijshëm ose nga sëmundjet që shkaktohen nga përdorimi i ujit të ndotur. Pablo Solon:

Flash-Galerie Oberharzer Wasserwirtschaft
Fotografi: Harzwasserwerke GmbH

"Sëmundjet që shkaktohen nga mungesa e ujit të pijshëm dhe paisjeve sanitare, shkaktojnë më shumë viktima se luftërat. Diareja është një nga shkaqet më të shpeshta të vdekjes tek fëmijët nën pesë vjeç. Mungesa e ujit të pijshëm vret më shumë fëmijë se Sida, malarja dhe rubeola të marra së bashku."

Mungesa e ujit dhe shkatërrimi i sipërfaqeve dikur bujqësore kanë qenë probleme të njohura, veçanërisht në Afrikë dhe Azi. Ndërkohë ato kanë mbërritur edhe në Evropë. Në jug të Spanjës shkretëtira shtrihet çdo vit me rreth një kilometër në drejtim të veriut. Në gjithnjë e më shumë rajone të globit, sasia e pakët e ujit të pijshëm bëhet shkak për konflikte të dhunshme mes shteteve dhe brenda tyre.

Për kanadezen Maude Barlow, themeluese e projektit "Blue Planet" mungesa e ujit të pijshëm të pastër është për gjithnjë e më shumë njerëz në botë një nga shkeljet më të egra të të drejtave humanitare. Ajo druan madje se kjo mungesë do të bëhet edhe më e theksuar:

"Nuk do të ketë ujë të mjaftueshëm për të gjithë nëse nuk i japim fund ndotjes së mjedisit. Ne gjendemi në një krizë ekologjike uji. Sasia e ujit të pijshëm në glob po pakësohet."


Përpjekje nga Kanadaja dhe Britania e Madhe për pengimin e rezolutës

Flash-Galerie Oberharzer Wasserwirtschaft
Fotografi: Harzwasserwerke GmbH

Me projektin e saj "Planeti blu", Maude Barlow angazhohet për mbrojtjen dhe një ndarje të drejtë të burimeve mbarëbotërore të ujit. Dy vjet më parë ajo iniciioi fushatën për një rezolutë të Kombeve të Bashkuara për të drejtën humanitare për ujin. Në votimin e rezolutës 122 nga 163 shtetet e pranishme anëtare votuan pro. 41 të tjerët, thuajse të gjithë vende nga veriu i industrializuar, abstenuan.

Veçanërisht SHBA, Kanadaja dhe Britania e Madhe ishin përpjekur pa sukses të pengonin votimin për rezolutën. Por kampi i vendeve të pasura të veriut nuk ishte aq i bashkuar sa në votime të tjera për çështje të ngjashme. Gjermania votoi pro rezolutës. Ambasadori gjerman në OKB, Peter Wittig u distancua qartë nga rezervat dhe vlerësimet negative të SHBA-së dhe shteteve të tjera:

"Ne nuk bashkohemi me këto vlerësime. Gjermania ndien detyrimin për të kontribuar në vënien në jetë të objektivave të mijëvjeçarit të OKB-së për përgjysmimin e varfërisë. Këtu bën pjesë edhe objektivi për të përgjysmuar deri në vitin 2015 numrin e njerëzve që nuk kanë qasje në ujin e pijshëm dhe strukturat sanitare. Për ne qasja tek uji i pijshëm dhe pajisjet sanitare është pjesë e së drejtës për një standard të përshtatshëm jetese, siç parashikohet në nenin 11 të Paktit Ndërkombëtar mbi të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, së bashku me të drejtën për ushqim dhe strehë. Për këtë arsye ne sot votojmë pro rezolutës.”

Pranimi i rezolutës për garantimin e së drejtës për ujë të pijshëm ka para së gjithash një rëndësi të madhe simbolike. Kështu shtohet trysnia mbi përgjegjësinë politike të shteteve për t'u garantuar qytetarëve të drejtën elementare për ujë të pijshëm.


Autor: Andreas Zumach/Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi