1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"E vështirë që të mos i urresh këta njerëz"

10 Tetor 2016

Gjetja e substancave tepër shpërthyese e ka trazuar qytetin e madh Chemnitz. I dyshuari kryesor më në fund u kap.

https://p.dw.com/p/2R3kH
Polizeieinsatz in Chemnitz
Fotografi: picture alliance / dpa

Që prej së shtunës, ngjarjet në Chemnitz kanë avancuar : fillimisht policia shpërtheu banesën e një siriani 22 vjeçar, pasi autoritetet patën mësuar nga qarqe të sigurisë se Dschaber al-Bakri kishte planifikuar një atentat me bomba. Në banesë ata gjetën rreth një kilogram lëndë shpërthyese. Por Al-Bakr tashmë kishte ikur. Siç u bë e qartë më vonë, i dyshuari i shpëtoi për pak komandës speciale: me siguri sepse policia pati lëshuar një të shtënë paralajmëruese. Ai u shpall në kërkim në të gjithë Gjermaninë dhe në orët e para të mëngjesit sot u kap. Tri të njohur të sirianit u arrestuan të shtunën, dy prej tyre ndërkohë janë liruar. Të dielën policia kontrolloi banesa të tjera. 

Dschaber al-Bakr ka me sa duket një origjinë islamiste. Sipas të dhënave të agjencisë gjermane të lajmeve, dpa, ai besohet se ka lidhje me të ashtuquajturin Shteti Islamik. Stefan Mayer, zëdhënës i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës - prej këtu erdhi sinjali- e quan këtë deri tani një "pohim". Mbi bazën e hetimeve në vazhdim ai nuk mund ta konfirmojë këtë pohim. Edhe pyetjen nëse al-Bakr ka qenë vërtet i regjistruar si refugjat në Gjermani, ai e lë të pakomentuar. "Do të na duhet të presim deri sa ta kemi kapur këtë tipin", tha Mayer para kapjes së sirianit në një intervistë me DW.

Fajin e ka qeveria - për shumë vetë këtu kjo është e qartë

Jürgen Baderi ishte skeptik për punën e policisë. Kemnitasi 74 vjeçar inspekton kordonin ndalues të policisë dhe thotë: "jam i sigurtë se ai ka ikur prej kohësh". Bader thotë se nuk ka fjetur veçanërisht mirë natën e fundit. Ashtu si edhe banorë të tjerë, ai flet me shumë përçmim për refugjatët. "Kjo është ajo ndodh kur i lë të hyjnë këtu këta njerëz", thotë një burrë i vjetër, i cili nuk dëshiron ta thotë emrin dhe me mendimin e të cilit këtu duket se janë dakord shumë vetë. Por të tjerë edhe pranojnë se refugjatët që janë strehuar këtu janë të sjellshëm. Vetëm se kontakti me njeri-tjetrin është minimal.

Jo shumë larg kordonit ndalues, në tokë shikon disa vrima të hapura. Këtu e shpërtheu policia në mënyrë të kontrolluar substancën tepër shpërthyese të gjetur në banesën e sirianit. "Faji është i qeverisë, sepse ata lënë çdo njeri të hyjë këtu", thonë ata. Shpërthimi u dëgjua në të gjithë bllokun, thonë banorët.

Në një kohë kur shumica e më shumë se 100 banorëve të këtushëm mundën të kthehen sërish në apartamentet e tyre, blloku i banesave vazhdon të mbetet i bllokuar. Para të hënës në mëngjes askush nuk lejohet të kthehet.