1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këngëtarja Eda Zari në bisedë me Deutsche Welle

Mimoza Cika-Kelmendi12 Dhjetor 2013

Eda Zari, e njohur si këngëtare Jazz-i, ka hyrë tashmë në kategorinë e shqiptarëve të famshëm përtej kufijve të Shqipërisë dhe Gjermanisë. Kjo, falë talentit dhe familjes së saj, dinastisë Lela.

https://p.dw.com/p/1AY34
Eda Zari
Fotografi: DW/M. Kelmendi

E lindur dhe rritur në një familje muzikantësh, por edhe e shkolluar këtu në Gjermani, Eda Zari ka arritur sot një karrierë mjaft të suksesshme, jo vetëm në Gjermani. Zëri i saj i vlerësuar edhe nga kritika ka tërhequr vemendjen e artdashësve kudo brënda dhe jashtë Shqipërisë. Ajo ka realizuar gati dhjetë albume duke fituar disa çmime shqiptare dhe ndërkombëtare. Në albumin e saj të fundit„Toka incognita (Toka e panjohur) bien në sy motivet e polifonisë shqiptare. Për të gjitha këto arritje në rrugën e saj si artiste, Eda i është mirënjohës talentit që e ka burimin nga familja e saj, dinastia Lela nga Përmeti, që e bën atë të ndjehet edhe më krenare. Eda Zari është e angazhuar edhe në shumë aktivitet humane dhe mbështetëse e shumë projekteve ndërkombëtare.

DW: Eda ju jeni tashmë këngëtare e njohur e zhanrit jazz. Por si ndodhi? Ju e zgjodhët vetë këtë lloj muzike apo ju zgjodhi jazz-i juve? Dihet që kjo lloj muzike nuk është e lehtë dhe në Shqipëri nuk ka ndonjë traditë, madje dikur ka qenë edhe e ndaluar, ose është quajtur edhe muzike e „deklasuar“?

Eda Zari: Dëshira ime ishte pikërisht ajo uria e diçkaje që nuk ishte e lejuar të paktën në kohën tonë. Pra ka qenë gjithmonë dëshira për të lëvruar një zhanër, i cili jo fort ka qenë i dëgjuar. Po ashtu dëshira ime e madhe ka qenë për të lëvruar dhe për të improvizuar, pra për të sjellë thjesht një shpirt, shpirtin tim kreativ.

Eda Zari
Eda ZariFotografi: A. Selmani

DW: Në koncertet e fundit në Gjermani bie në sy repertori i juaj i bazuar në perlat e këngës popullore shqiptare. Ka të bëjë kjo që ju i njihni më mirë apo thjesht tingëllojnë më mirë në jazz dhe provoni në këtë mënyrë edhe formën tjetër të këtyre këngëve? Apo kjo është e veçanta që ju i ofroni edhe publikut gjerman?

Eda Zari: Unë natyrisht aty e gjej veten, kjo është ajo me të cilën unë shumë më mirë identifikohem si artiste duke sjellë rrënjët e mia, duke sjellë elementin e muzikës shqiptare, duke e gërshetuar dhe ngjizur, duke e shkrirë me gjithë influencat e mia muzikale që kam kaluar gjatë gjithë karrierës time dhe mendoj se ky është fustani im më me efekt dhe më me identitet. Vetëm në këtë mënyrë unë mund të jem e vërtetë ndaj vetes, ndaj asaj që krijoj dhe ndaj vendit tim, kulturës time.

DW: Pas gjithë kësaj karriere mjaft të suksesshme në Gjermani, Evropë, por edhe në trevat shqiptare, ju keni përcjellë edhe imazhin e Shqipërisë, sidomos këtë e keni bërë në mënyrë të shkëlqyer ndaj publikut të huaj, veçanërisht atij gjerman. Jo më kot mbani edhe titullin e e Ambasadores së kulturës të akredituar nga presidenti i Shqipërisë. Mendoni Eda se ka ardhur vërtet momenti që tashmë të kemi një „diplomaci kulturore" jashtë Shqipërisë, Kosovës, që do të menaxhohej pikërisht nga ju artistët që jetoni e punoni jashtë atdheut?

Eda Zari: Në fakt ky titulli Ambasadore e kulturës është goxha i madh dhe më përkëdhel shumë, por për hir të vërtetës them se nëpër botë ka shumë shqiptarë ambasadorë edhe pa titull të cilët në formatin e tyre, në profesionin e tyre qofshin artistë të muzikës, apo instrumentistë, piktorë, sportistë, të çfarëdo fushe e prezantojnë shumë mirë Shqipërinë dhe po ashtu Kosovën.

Ata së pari prezantojnë veten e tyre denjësisht dhe sigurisht vendin tonë, kulturën tonë si ambasadorë të mirëfilltë të kulturës dhe të vendit, reprezentantë të denjë të Shqipërisë, që janë të shumtë. Pra neve na del si detyrë, jo se kemi tituj ambasadorësh, por na del si detyrë thjesht për të prezantuar veten tonë, për të treguar se ne kemi mjaft ç'të tregojmë, ç'të themi nëpërmjet kulturës tonë, nëpërmjet traditave tona, aq më tepër nëpërmjet mediumeve tona, pikërisht me artin tonë.

Eda Zari Künstlerin Albanien mit Mimoza Kelmendi DW
Eda Zari në bisedë me Mimoza Cika - KelmendinFotografi: DW

DW: Kjo është e vërtetë Eda, sepse një gjë e tillë u pa edhe në koncertin që ju dhatë në Filarmoninë e Esenit, në mbrëmjen gala që u mbajt në sallën e Filarmonisë me rastin e konferencës ekonomike gjermano - shqiptare. Duke qenë se ishit pjesë e këtij aktivitetit, si e vlerësoni këtë konferencë bashkëpunimi mes dy vendeve?

Eda Zari: Duke u bazuar në atë që quhet „ku është një dëshirë është një udhë“, unë mendoj se është një dëshirë e mirë për të bër diçka në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Kontributi i këtij vendi të fuqishëm në Europë për Shqipërinë ka qenë jashtëzakonisht i madh në këto dy dekada që Shqipëria ka kaluar jo lehtë. Sigurisht që konferenca ekonomike ka qenë një organizim, i cili i është dashur shumë kohë për tu realizuar duke u përballuar me vështirësira të ndryshme, por që pati një domethënie shumë të madhe për të dyja palët. Po ashtu mendoj që të tilla aktivitete duhet të kthehen në rituale, veçanërisht këtu në landin tonë, NRW, për të treguar gjithmonë e më mirë se ne jemi prezent këtu,ne ngrejmë zërin tonë, ne dijmë të përfaqsohemi dhe të përfaqsojmë denjësisht veten tonë, jo vetëm me artin, jo vetëm me kulturën, por edhe në fusha të tjera siç është ekonomia, energjia, turizmi dhe të tjera që u thanë edhe gjatë konferencës.

Intervistoi: Mimoza Cika-kelmendi