1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edhe serbët e Kosovës në zgjedhjet presidenciale të Serbisë

Bekim Shehu
24 Mars 2017

Qeveria e Kosovës ende nuk ka qëndrim nëse do të lejojë apo jo mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në Kosovë. Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të Serbisë thotë se edhe në Kosovë serbët do të votojnë.

https://p.dw.com/p/2Ztz7
Rajone me shumicë serbe në Kosovë
Rajone me shumicë serbe në Kosovë

Zgjedhjet presidenciale të Serbisë, të cilat do të mbahen mbahen më 2 prill, do të zhvillohen edhe në Kosovë, ndonëse jo në mënyrën e rregullt, ashtu siç mbahen ne Serbi. Këtë e thonë zyrtarë të qeverisë në Beograd, duke u bazuar në praktikat e kaluara, kur në Kosovë u është mundësuar serbëve të Kosovës, që kanë dyshtetësi të votojnë për zgjedhjet e Serbisë. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës i thanë DW-së se qeveria akoma nuk ka qëndrim, nëse do të lejojë, apo jo, mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Por në të kaluarën qeveria e Kosovës nuk ka penguar mbajtjen e zgjedhjeve serbe, por as nuk është përfshirë në organizimin e tyre. Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të Serbisë tashmë ka njoftuar se qendra votimi do të hapen edhe në Kosovë.

Ndërkohë, njëri nga drejtuesit e listës serbe për Kosovën "Srpska”, Slavko Simiq, thotë se ashtu sikurse në të kaluarën serbët e Kosovës do të votojnë për zgjedhjet presidenciale të Serbisë, sepse, kjo u lejohet në bazë të dyshtetësisë që kanë. "Zgjedhjet do të mbahen edhe në Kosovë ashtu siç janë zhvilluar edhe në të kaluarën”, thotë Slavko Simiq.Komisioni i zgjedhjeve në Serbi bën të ditur se më 2 prill, edhe në Kosovë do të hapen 90 vendvotime. Sipas të dhënave që ka prezantuar Komisioni Zgjedhor i Serbisë, në Kosovë janë të regjistruar rreth 100 mijë votues serbë.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka, i tha DW-së, se Kmisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës nuk ka kurrfarë roli në mbajtjen eventuale të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në Kosovë. "KQZ-ja është institucion i Republikës së Kosovës dhe organizon zgjedhje në Republikën e Kosovës. Për neve zgjedhjet e Serbisë janë jo ekzistuese në Kosovë. Ne nuk kemi asnjë rol, as kërkesë nga askush, as nga institucionet tona e as nga institucionet ndërkombëtare, kështu që ne nuk kemi asnjë lloj përfshirjeje në këto zgjedhje”, thotë Valdete Daka.

OSBE sërish menaxhuese

Mediet në Serbi shkruajnë se Beogradi zyrtar po insiston që zgjedhjet presidenciale t'i zhvillojë në mënyrë uniforme, duke përfshirë brenda hartës së vet elektorale edhe Kosovën. Një tentativë e ngjashme ishte edhe gjatë zgjedhjeve të kaluara të Serbisë, por, kjo nuk është lejuar nga qeveria e Kosovës. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare serbe të vitit 2016, serbëve të Kosovës u ishte lejuar që të votonin për liderët e tyre në Serbi. Ky proces u menaxhua nga misioni i OSBE-së, pa përfshirjen e institucioneve të Kosovës, me përjashtim të policisë së Kosovës, e cila megjithatë, ka mbikqyrur dhe ka patrulluar përreth qendrave të votimit.

Ndërkohë, vetë misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) tashmë ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në çështjet teknike lidhur me zgjedhjet presidenciale të Serbisë në Kosovë. Zyrtarë të misionit të OSBE-së në Kosovë i thanë DW se ky mision akoma është në fazën e diskutimeve lidhur me ndihmën që OSBE mund ta jap lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë edhe në Kosovë.

"Akoma jemi na fazën e konsultimeve lidhur me këtë çështje dhe sapo të konfirmohet diçka do të ju njoftojmë me detajet. Por, ajo që dua të them është se më parë, gjatë vitit 2012, 2014, 2016, OSBE-ja ka kryer procesin e grumbullimit të votave në Kosovë në kontekstin e zgjedhjeve presidenciale ose parlamentare të Serbisë. Edhe kësaj radhe në diskutimet me palët ne udhëhiqemi nga ky model i praktikuar më parë”, thotë zëdhënësi i OSBE-së, Senad Saboviq.

Sidoqoftë, megjithë qëndrimin akoma të paqartë të qeverisë së Kosovës, nëse do ta lejojë apo jo mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në Kosovë, partitë politike opozitare të Kosovës edhe në të kaluarën por edhe tash, kanë kundërshtuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Sipas tyre, qeveria e Kosovës nëse lejon mbajtjen e zgjedhjeve Presidenciale të Serbisë në Kosovë do të shkelë kushtetutën, sepse sipas tyre në territorin e Kosovës nuk mund të organizojë zgjedhje asnjë shtet tjetër.