1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eduard Shevarnaze - Një jetë sovjetiko-gjeorgjiane me rëndësi ndërkombëtare

Ingo Mannteufel/Vilma Filaj-Ballvora7 Korrik 2014

Eduard Shevarnaze si ministër i jashtëm në qeverinë e Gorbaçovit i dha fund Luftës së Ftrohtë dhe mundësoi bashkimin e Gjermanisë. Tani ai ndërroi jetë në moshën 86 vjeçare. Një nekrologji nga Ingo Mannteufel.

https://p.dw.com/p/1CWuo
Eduard Shevarnaze
Fotografi: Vano Shlamov/AFP/Getty Images

Emërimi i kryetarit gjeorgjian të partisë, Eduard Shevarnaze, si ministër sovjetik i Punëve të Jashtme në korrik 1985 ishte një surprizë. Asokohe 57 vjeçari Shervanaze nuk kishte përvojë në politikën e jashtme. Ai në atë kohë kishte bërë një karrierë të shpejtë në parti dhe në shtet në Gjeorgji dhe kishte bërë emër në luftën kundër korrupsionit në republikën sovjetike të Kaukazit të Jugut, si kryetar gjeorgjian i Partisë Komuniste duke pasur lidhje të ngushta me KGB -në. Kësisoj ai i përshtatej shkëlqyeshëm Mihail Gorbaçovit, i cili vetö vetëm disa muaj më parë ishte bërë sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Kjo jo vetëm se si Gorbaçovi edhe Shevarnaze vinin nga Kaukazi, por edhe pre ata njiheshin me njëri-tjetrin qysh në fillim të viteve 1960-të. Të dy i bashkonte objektivi për t'i dhënë një perspektivë të re ekonomike Bashkimit Sovjetik, që karakterizohej prej rrënimit, korrupsionit dhe keqmenaxhimit. Ekonomia sovjetike në stanjacion në mesin e viteve 1980 rrezikonte legjitimitetin e sundimit të sistemit komunist dhe të ideologjisë socialiste të fitores. Për të përmirësuar nivelin në rënie të jetesës së popullsisë, duhej që të shfrytëzoheshin për ekonominë sovjetike të konsumit tjetër paratë nga buxheti i shtetit të parashikuara për industrinë e rëndë dhe atë të armatimeve. Por kjo sipërmarrje presupozonte çtensionimin në konfliktin Lindje-Perëndim, e veçanërisht me SHBA-në.

Ministri i Jashtëm i mendimit të ri

Në pesë vitet që pasuan Shevarnaze në qeverinë e Gorbaçovit hyri në historinë botërore si ministri i Jashtëm i mendimit të ri në politikën e jashtme sovjetike. Me emrin e tij dhe të Gorbaçovit lidhen marrëveshjet e çarmatimit me SHBA-në, tërheqja e trupave sovjetike nga Afganistani dhe politika e mos-ndërhyrjes në revolucionet paqësore në Europën Qendrore dhe Lindore. Veçanërisht për Gjermanët Eduard Shevarnaze, ashtu si edhe Gorbaçovi, do të mbetet gjithmonë në kujtesë si një figurë, që konsiderohet si njëri prej baballarëve të bashkimit gjerman. Si përfaqësues i Bashkimit Sovjetik në bisedimet dy-plus-katër ai bashkëpunoi për bashkimin gjerman, përkundër rezistencës së shumë komunistëve të vjetër sovjetikë dhe gjeneralëve të ushtrisë në Moskë. Shevarnaze bënte pjesë ndër burrat e shtetit, që i dhanë fund „Luftës së Ftohtë“ mes superfuqive SHBA dhe Bashkimi Sovjetik, gjë që i solli atij shumë mirënjohje ndërkombëtare.

Shevarnaze dhe Gorbaçov në mes.
Shevarnaze dhe Gorbaçov në mes.Fotografi: picture-alliance/dpa

Në dhjetor 1990 Shevarnaze megjithatë deklaroi dorëheqjen nga posti i ministrit të jashtëm sovjetik: Ai paralajmëroi ndaj një diktature dhe njëkohësisht protestoi me këtë hap kundër forcave, që pengonin reformat e mëtejshme në Bashkimin Sovjetik, si dhe shpërbërjen e sistemit të sundimit komunist. Ndonëse ai vazhdoi të punojë në rrethin e Gorbaçovit, pas puçit kundër tij në gusht 1991 dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në dhjetor përfundoi roli i Shevarnazes në Moskë.

Kthimi në atdhe

Largimi i tij nga Moska megjithatë nuk do të thoshte fundi i karrierës politike të Eduard Shevarnazes. Ai u kthye në Gjeorgjinë e tronditur politikisht dhe ekonomikisht, për të marrë pushtetin në republikën sovjetike të Kaukazit, që kish fituar pavarësinë prej Bashkimit Sovjetik. Në zgjedhjet vjeshtën e vitit 1992 ai fitoi me një shumicë dërmuese dhe në dekadën pasuese, duke nisur nga 1995, ai ia doli që si president i Gjeorgjisë ta stabilizojë vendin pavarësisht shkëputjes së Abkazisë dhe Osetisë jugore.

Por politika e tij në Gjeorgji nuk përfundoi si një histori suksesi: Në vitet e fundit të mandatit të tij si president Shevarnaze u dëshmua si pengesë për suksesin e plotë të demokracisë dhe ekonomisë së tregut në Gjeorgji. Përmes nepotizmit dhe korrupsionit dukej se ai punonte më shumë për të ruajtur pushtetin, se sa për zhvillimin e një shteti ligjor në Gjeorgji. Kur në nëntor 2003 në zgjedhjet parlamentare pati manipulime të votave, protetstat masive çuan në të ashtuquajturin revolucioni i trëndafiltë. Kështu Shevarnaze pati një largim jo të lavdishëm nga posti, por sidoqoftë ky ishte një ndryshim paqësor dhe pa gjakderdhje i pushtetit.

Me dorëheqjen e Shevarnazes më 23 nëntor 2003 mori fund një epokë politike edhe në Gjeorgji e kësisoj ai i la lamtumirën politikës. Shevarnaze nisi të shkruajë memuarët e tij. "Demokracia ishte qëllimi im më i madh“, është shprehur ai në intervistë për Deutsche Welle me rastin e publikimit të librit të tij me kujtime nga jeta. Këtë qëllim Eduard Shevarnaze e ka arritur pjesërisht. Meritat më të rëndësishme të tij si ministër i jashtëm sovjetik mbulohen prej hijes së fundit të palavdishëm politik si një president në plakje, që u kap shumë gjatë pas pushtetit.