1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Efekti Soçi" si problem serioz i Putinit

Ingo Mannteufel6 Shkurt 2014

Synimi i presidenti Putin me organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore ishte përmirësimi i imazhit të Rusisë. Por ndërkohë gjithnjë e më shumë po flitet për "efektin Soçi".

https://p.dw.com/p/1B3bT

Presidenti rus Vladimir Putin ndjehet në prag të Lojërave Olimpike Dimërore 2014 në Soçi si këngëtarja dhe aktorja e njohur amerikane Barbra Streisand para disa vitesh. Në vitin 2003 ajo kishte hedhur në gjyq një fotograf, për shkak të fotografimeve të shtëpisë së saj nga ajri. Por pikërisht hedhja në gjyq bëri që këto fotografi të jenë në fokusin e interesimit të mediave. Prej atëherë, gazetarët dhe mediat flasin për "efektin Streisand“. Në përpjekje për të evituar informacionet e padëshirueshme, arrihet efekti i kundërt dhe informacionet zgjojnë vëmendjen e opinionit të gjërë. Një efekt të ngjashëm ka arritur edhe presidenti Putin: "efektin Soçi".

Lojërat e Putinit

Presidenti rus Putin është angazhuar para 10 vitesh me plot fuqi për organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore 2014 në Soçi. Para sysh në atë kohë kishte një qëllim të qartë: Bota do të duhej të shihte Rusinë e re të udhëhequr nga ai, 20 vjet pas shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik. Që në kohën e planifikimit ishte e qartë se projekti do të kushtojë me miliarda euro për ndërtimin e infrastrukturës sportive dhe rrugore. Por Putinin nuk e shqetësonte ky fakt. Lojërat Olimpike në Soçi duhet të prezantojnë një Rusi të fuqishme dhe të vetëdijshme. Kjo duhet të jetë fitorja e Rusisë.

Por në vend të fjalëve të mira dhe mirënjohjeve për Rusinë e re, ky vend gjendet në shënjestër të kritikave. Sa më shumë që afrohen Lojërat Olimpike, aq më shumë flitet për anët e errëta të Rusisë së sotme. Ndërkohë janë botuar në mbarë botën me qindra artikuj, kronika në radio dhe komente e reportazhe në TV, ku zbardhen problemet e brendshme në Rusi dhe në kuadër të përgatitjeve të Lojërave si: korrupsioni, sundimi autokratik i autoriteteve të shtetit, sjellja arrogante dhe arbitrare e organeve të shtetit, gjendja kritike e të drejtave të njeriut, shkatërrimi i mjedisit, censura e mediave, ligjit homofobike, trajtimi çnjerëzor i punëtorëve me origjinë të huaj, konfliktet etnike në Kaukazin Verior etj. Raporte të tilla me siguri që ka pasur edhe më parë. Por Lojërat Olimpike Dimërore e kanë sjellë në fokus gjendjen në Rusi dhe e kanë shtuar interesin e opinionit botëror për gjendjen. Përshtypjet problematike do të mbeten, pavarësisht se si do të kalojnë Lojërat Olimpike dhe kush do të jetë fitues.

Projektet e mëdha janë gjithmonë problematike

Pa dyshim që projektet të tilla janë gjithmonë problematike. Kur flitet për gjëra të tilla, gjermanëve u kujtohet menjëherë ndërtimi i aeroportit në Berlin. Disa kritika ndaj Rusisë janë të padrejta, mendojnë shumë rusë, të cilët janë të pakënaqur me trajtimin e këtij vendi në rrafshin ndërkombëtar. Megjithë kritikat me vend lidhur me këto Lojëra, Rusia ka shënuar ndryshime të mëdha prej kohës së shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik - ekonomikisht dhe teknikisht.

Redaktori i Deutsche Welle-s, Ingo Mannteufel.
Redaktori i Deutsche Welle-s, Ingo Mannteufel.Fotografi: DW

Por në kohën e Lojërave më shumë janë në fokus problemet në Rusi, sesa përpjekjet për përmirësimin e imazhit të këtij vendi, që ishte edhe qëllimi kryesor i Putinit. Tani po përdoret një nocion i ri: "efekti Soçi".