1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

310511 EHEC Erkrankungen Deutschland

31 Maj 2011

15 vetë kanë vdekur në Gjermani nga infeksioni me virusin e rrezikshëm të zorrëve EHEC. Autoritetet mendojnë se do të ketë edhe raste të tjera. Kërkimet për burimin e saktë të infeksionit deri tani pa rezultat.

https://p.dw.com/p/11RXV
Fotografi: picture-alliance/dpa

Si arrijnë bakteriet e rrezikshme EHEC te kastravecat, domatet dhe sallatat? Autoritetet janë në kërkim të shkaqeve, që kanë çuar në numrin e lartë të infeksioneve dhe madje dhe në disa raste vdekjesh në Gjermani. Sipas Ilse Aigner, ministre e Ushqimit, Bujqësisë dhe Mbrojtjes së konsumatorit, ka shumë sinjale por nuk është gjetur akoma rrugëdalja.

"Ne përballemi të gjithë me një sfidë të madhe, duhet të mbledhim qindra deri mijëra gurë mozaiku nga Gjermania dhe nga jashtë vendit për të na krijuar një vështrim të përgjithshëm, që të na japë një përgjigje të qartë për pyetjet lidhur me shfaqjen e këtij infeksioni."

Rreziku ende i pranishëm - burimi i infeksionit aktiv

Ndërkohë, me përjashtim të Saksonisë dhe Brandenburgut, janë të prekura të gjitha landet gjermane, në radhë të parë ato gjermanoveriore. Më shumë se 370 raste të sëmundjes janë konfirmuar zyrtarisht, këtyre i shtohen edhe shumë raste të dyshuara. Ministri gjerman i shëndetësisë, Daniel Bahr, këshillon që të lahen mirë duart dhe perimet, sepse rreziku është ende prezent.

" Si rezultat për fat të keq pritet rritja e numrit të rasteve" -tha ministri Bahr.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Daniel Bahr.
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Daniel Bahr.Fotografi: AP

Spitalet në veri të Gjermanisë të mbingarkuar

Sëmundja prek pothuajse vetëm të rriturit dhe shumë shpesh gratë. Jo të gjithë pacientët të infektuar me patogjenin EHEC janë në rrezik jete, por shumë përballen me dhimbje të forta, me diare me gjak dhe me ndërprerjen e funksionimit të veshkave. Kjo është një sfidë për mjekët, thotë profesor Reinhard Burger, shef i institutit Robert Koch:

"Në Gjermaninë e Veriut ka patur raste aq të vështira sëmundjesh, saqë ka qenë e domosdoshme dializa, ose hemodializa. Këtu spitalet ishin të mbingarkuara dhe kanë qenë të detyruar të dërgojnë pacientë në spitalet fqinje. Kapacitetete për përkujdesje mjekësore intensive nuk ka më."

Bakteriet EHEC transferohen nga kafsha tek njeriu, përmes ushqimit apo ujit të ndotur me fekale të kafshëve. Se si patogjeni ka arritur tek ushqimet, mbetet ende enigmë. Ekipet e institutit Robert Koch pyesin vazhdimisht pacientët, se çfarë kanë ngrënë.

Salatgurke EHEC Spanische Gurken als Ehec-Quelle identifiziert
A janë trangujt spanjollë burimi i vërtetë i infeksionit?Fotografi: picture alliance/dpa

Dëme të mëdha ekonomike për prodhuesit e perimeve

Në Gjermaninë e Veriut dyshohet se janë konsumuar domate, kastraveca dhe sallata të ndotura me mikrobin e zorrëve. Në se është fjala për perime të prodhuara në Gjermani, apo të importuara nga jashtë, nuk është e qartë. Që kur instituti Robert Koch ka këshilluar që të mos konsumohen domate, kastraveca dhe sallata, shitja e tyre ka rënë në mënyrë dramatike. Me gjithë kritikën e bujqve, instituti mbetet te rekomandimi i tij dhe ka mbështetjen e plotë të ministres Ilse Aigner:

"Këto udhëzime, sidomos për llojet e perimeve, që vijnë nga Gjermania e Veriut, mbeten në fuqi, derisa të mos jetë zbuluar shkaku i vërtetë i infeksionit dhe për sa kohë na duhet të pranojmë, se burimi i infeksionit është akoma aktiv."

Jo vetëm bujqit në veri të Gjermanisë janë të zemëruar, edhe qeveria spanjolle është e indinjuar, sepse autoritetet gjermane kanë konsideruar fillimisht trangujt spanjollë si burimin e mundshëm të infeksionit. Ministrja spanjolle e Bujqësisë Rosa Aguilar, kërkon tani kompensime për humbjet e eksportuesve spanjollë të perimeve.

"Ne jemi të zhgënjyer me mënyrën se si Gjermania ka vepruar me këtë situatë", citohet ministrja. Kështu përhapja e EHEC-it në Gjermani merr edhe dimensione të politikës së jashtme.

Autor: Nina Werkhäuser / Angelina Verbica

Redaktoi: E.Xhani