1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekonomia gjermane do të angazhohet në Greqi

26 Gusht 2011

Berlini shqyrton mundësitë ekonomike në Greqi, për t'i dhënë asaj dorën e ndihmës. Kusht është që qeveria greke të intensifikojë përpjekjet për privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore dhe të zbatojë reformat.

https://p.dw.com/p/12OKp
Philipp Roesler
Philipp RoeslerFotografi: dapd

Që nga kjo verë ministri i Ekonomisë, Philip Rösler i partisë liberale (FDP) po përpiqet të ngrejë "një iniciativë investimesh dhe ofensivë për rritjen ekonomike në Greqi". Që kjo është tepër e nevojshme, këtë e tregojnë edhe të dhënat ekonomike nga Greqia. Këtë vit ekonomia greke do të zvogëlohet me së paku 5%, ekspertët llogarisin me një papunësi 17% dhe të ardhurat buxhetore do të vazhdojnë të zbresin - megjithë rritjen e disafishtë të taksave.

Ajo që dihet: Me masat e kursimit ekonomia greke nuk mund të rimëkëmbet. Po si mund të futet Greqia në shtegun e rritjes ekonomike? Sekretari i shtetit në ministrinë gjermane të Ekonomisë, Stefan Kapferer ka besim tek ekspertiza teknike gjermane:

Paketa e ndihmave për Greqinë.
Paketa e ndihmave për Greqinë.Fotografi: DW/Fotolia-Giordano Aita/Dan Race

"Kemi rënë dakord që kfW-ja gjermane dhe pala greke të përpilojnë strategjinë e një banke investimesh dhe kemi rënë në ujdi që të shkëmbejmë ekspertë për fushat e ndryshme nga e drejta e kartelit deri tek shkollimi profesional. Ka një spektër të gjerë mundësish për bashkëpunim, që nuk mund të kufizohet vetëm tek niveli politik mes ministrive. Ky është një sinjal për rritje ekonomike."

A do të financohen firmat greke nga kfW-ja?

Gazetarët grekë ishin të interesuar nëse do të ketë financim të firmave greke përmes kfW gjermane, por përgjigja ishte negative. Megjithatë mund të rrjedhë shumë kapital i huaj në Greqi në rast të një programi privatizimesh në shkallë të gjerë. Politikani gjerman Kapferer sheh potenciale të mëdha për firmat gjermane në fushën e energjisë, transportit, dhe turizmit. Ajo që ende diskutohet është ngritja e një zone ekonomike të veçantë me privilegje tatimore. Hollësitë do t'i diskutojë ministri gjerman i Ekonomisë, Philip Rösler në fillim të tetorit në Athinë, me së bashku 100 përfaqësues nga ekonomia gjermane.

"Në paketën e dytë për Greqinë që e përmbyllën kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së është përfshirë edhe një listë e gjerë e mundësive për privatizim. Ky është edhe qëllimi ambicioz i Greqisë, që përmes kësaj rruge të përftojë 50 miliardë euro, dhe sigurisht firmat gjermane i shohin këto mundësi", tha ai.

Greqia duhet t'i kryejë detyrat e veta

Euro
EuroFotografi: picture-alliance/dpa

Tek kursi i privatizimit ka ngecur aktualisht Greqia. Prandaj BE dhe FMN-ja i kanë lidhur ndihmat e mëtejshme me hapa të qartë të Greqisë në këtë drejtim. Sekretari gjerman i shtetit Kapferer: "Sigurisht që presioni duhet të mbetet i lartë. Por unë besoj që qeveria greke e di se synimet që i ka vënë vetes dhe ato që ka miratuar së bashku me trojkën mund të arrihen vetëm po qe se vazhdon të punojë fort në këtë drejtim."

Në bisedimet e Athinës nuk u folën vetëm fjalë të bukura. Sepse shumë firma gjermane aktualisht në Greqi ankohen për një burokraci të ekzagjeruar dhe pjesërisht për struktura jotransparente ekonomike.

Autor: Jannis Papadimitriou/Lindita Arapi

Redaktoi: Bahri Cani