1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekonomia gjermane mbështet Maqedoninë

8 Maj 2012

Investimet gjermane në ekonominë e Maqedonisë janë gjithëpërfshirëse. Shkëmbimet tregtare midis Maqedonisë dhe Gjermanisë gjatë 2011-ës arritën vlerën 1.48 milion euro.

https://p.dw.com/p/14rjR
Walter Leuchs, zëvendësambasador i RFGJ në Shkup
Walter Leuchs, zëvendësambasador i RFGJ në ShkupFotografi: DW/Musliu

Maqedonia dhe Gjermania kanë një bashkëpunim të shkëlqyer ekonomik. Ekonomia gjermane është një prej partnereve kryesorë tregtare të Maqedonisë, nga pavarësia deri më sot. Kompanitë gjermane janë midis investuesve të parë më të mëdhenj në Maqedoni. Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Maqedoni dhe njëkohësiisht përgjegjës për çështje ekonomike, Walter Leuchs thotë se Maqedonia e ka Gjermaninë partner strategjik në bashkëpunimin ekonomik. Këmbimi tregëtar midis dy vendeve nga viti në vit shënon rritje. Në vitin 2011 shkëmbimet tregtare midis dy vendeve kanë arritur vlerën prej 1.48 milionë eurosh.

Investimet gjermane janë të orientuara në disa degë industriale, ndërsa në projektet ekonomike përfshihen rajone të ndryshme të Maqedonisë.

“Jemi të përfshirë me projekte edhe në rajonet të banuara nga shqiptarët. Këtu mund të theksoj projektin e fabrikës së allçisë KNAUF, që është projekt kryekëput gjerman, ku ka të punësuar mbi 200 punonjës”, thotë Walter Leuchs.

Shkupi merr mbështetje
Shkupi merr mbështetjeFotografi: DW

Në Maqedoni funksionojnë disa zona të lira ekonomike, investuesit gjermanë kanë shprehur interesim për të investuar në to. Kështu është rasti me kompaninë “Kromber & Shubert”, që ka investuar në zonën e Manastirit. Por shumë kompani gjermane nuk i kufizojnë investimet e tyre vetëm në zonat e lira ekonomike.

Sipas Walter Leuchs-it, kriza ekonomike evropiane nuk ka ndikim negativ të madh në ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ekonomia e Maqedonisë ia ka dalë ta mbijetojë këtë krizë duke bashkëpunuar në mënyrë intensive më vendet e rajonit duke mos përjashtuar këtu edhe Greqinë. Bashkëpunimi rajonal është tejet i rëndësishëm dhe një hap shumë i domosdoshëm për vendet e rajonit në synimet e tyre për anëtarësim në BE.

Zëvendësambasadori gjerman Leuchs është i mendimit se Maqedonia i shfrytëzon shumë pak fondet e BE-së për bashkëpunim rajonal.

Urat e bashkëpunimit thellohen
Urat e bashkëpunimit thellohenFotografi: Petar Stojanovski

“Qeveria e Maqedonisë duhet të punojë më shumë në këtë drejtim dhe duhet t'i motivojë të interesuarit, sidomos bujqit që t'i shtrojnë me kohë kërkesat siç duhet deri tek institucionet përkatëse, me qëllim që t'i marrin ndihmat që iu takojnë.”

Përfaqësues të qeverisë së Maqedonisë kanë shkuar disa herë në Gjermani për t'i informuar investuesit potencialë gjermanë për mundësitë që ofron Maqedonia. Negociatat me kompanitë “Siemens” dhe “BMW” po shkojnë në drejtim të duhur dhe ndodhen në një fazë më të avancuar. Sektorët ku pritet hyrja e kapitalit gjerman janë industria automobilistike, teknologjia informatiko-komunikuese, bujqësia, industria ushqimore, turizmi dhe burimet energjetike.

Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi