1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekonomia gjermane para recesionit ?

Auron Dodi18 Tetor 2014

Qeveria gjermane ka korrigjuar prognozat ekonomike. Berlini i kundërshton parashikimet për kalim të mundshëm në recesion të ekonomisë gjermane. Auron Dodi përgatiti këtë informacion për partnerin e DW, News24

https://p.dw.com/p/1DY54
Auron Dodi dhe Ola Bruko

Korrigjimi që i bëri qeveria gjermane prognozave të rritjes ekonomike është i ndjeshëm. Produkti i brendshëm bruto i Gjermanisë, pra shuma e të gjitha mallrave dhe shërbimeve për vitin 2014 pritet të rritet vetëm 1,2 përqind. Nga 1,8 përqind, që ishte parashikuar disa muaj më parë. Kurse për vitin 2015, rritja ekonomike pritet të jetë 1,3 përqind, jo 2 përqind, siç qe parashikuar.

Me korrigjimin, qeveria gjermane iu afrua prognozës së katër instituteve kryesore të studimit të ekonomisë gjermane. Dhe korrigjimit të prognozës për Gjermaninë, që bëri Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Por ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Sigmar Gabriel bën thirrje që analiza e parametrave ekonomike bëhet me kujdes. Gabrieli paraqiti të martën në Berlin shifrat e korrigjuara të prognozës së qeverisë. Me këtë rast ai kujtoi se në themel "ekonomia e brendshme e Gjermanisë mbetet po aq e fortë sa më parë". Gabrieli e relativizoi rëndësinë e uljes së rritjes ekonomike. „Nuk është katastrofë natyrore“, tha ai.

Faktorë të jashtëm ndikojnë mbi ekonominë gjermane

Qeveria gjermane e shpjegon uljen e rritjes ekonomike me situatën jashtë Gjermanisë. Kryesisht me dobësinë e fqinjëve të Gjermanisë. Sipërmarrjet gjermane, po nisin ta ndiejnë stanjacionin në eurozonë.

Të hënën (13.10.2014) u publikuan të dhëna që flasin për vështirësi të reja në eurozonë. Në gusht, prodhimi industrial në eurozonë ra me 1.8 përqind. Pas rritjes vetëm me 1 përqind në korrik.

Edhe problemet në tregjet e huaja - krizat gjeopolitike në Ukrainë dhe në Lindjen e Afërt, ngadalësimi i rritjes ekonomike në shtetet në ekspansion ekonomik si kanë efektin e tyre. Ekonomia gjermane është e orientuar në eksport dhe prandaj preket nga ulja e shitjeve dhe e porosive. Ministri gjerman i ekonomisë premtoi në këtë kuadër se qeveria do të punojë për t’i nxitur investimet private në infrastrukturë.Veçanërisht në energji dhe në rrjetet e internetit të shpejtë.

Politika ekonomike e qeverisë nuk do të ndryshojë

SHBA, Franca dhe Italia kërkojnë prej kohësh nga Gjermania që ajo ta ndryshojë politikën e saj ekonomike: që shteti të ndërhyjë e investojë më shumë në ekonomi.

Por shanset që kjo të ndodhë janë të vogla. Këtu përplasen me këmbëngulje dy filozofi ekonomike. Filozofia ekonomike e amerikanëve dhe e disa fqinjëve të Gjermanisë, sipas së cilës, shteti duhet ta stimulojë rritjen ekonomike duke investuar. Dhe kur nuk i ka paratë e investimeve - duhet t'i marrë borxh. Këtë e kërkojnë edhe pak ekonomistë gjermanë.

Përkundrazi: qeveria gjermane është e bindur se vetëm një shtet që nuk zhytet në borxhe e rrit besimin te konsumatorët. Dhe i shtyn sipërmarrjet të investojnë. "Më shumë borxhe në Gjermani, nuk sjellin rritje ekonomike në Itali, në Spanjë, në Francë apo Greqi", kujtoi këtë javë ministri gjerman i Ekonomisë. Ai kërkoi sërish që qeveritë e këtyre vendeve të ndërmarrin reforma strukturore. Gabriel shprehu mbështetjen për programin e sinjalizuar të investimeve në të gjithë BE, të Komisionit të ardhshëm Evropian të Jean Claude Juncker-it.

Politika ekonomike e qeverisë gjermane ka mbështetje të gjerë

Në përgjithësi, politika ekonomike e qeverisë gjermane ka mbështetje të gjerë në Gjermani. Kritikët e politikës ekonomike të qeverisë janë zëra të veçuar. Tek socialdemokratët është krahu i majtë që e sheh zgjidhjen vetëm te investimet konjukturore. Siç kërkojnë francezët. Po ky krah nuk ka peshë të ndieshme në politikën qeveritare gjermane. Edhe ndonjë ekspert ekonomie kritikon disa vendime të qeverisë Merkel. Siç është ulja e moshës së daljes në pension, për ata që kanë punuar 45 vjet. Ose futja e pagës minimale, të garantuar me ligj në Gjermani. Ministri gjerman i Financave, Schäuble tha megjithatë se Gjermania natyrisht do t'u japë prioritet investimeve. Po rritje ekonomike, mund të kesh, vetëm kur arrin të mbushësh çeqet, pra kur ke para.

Qeveria i kundërshton parashikimet për recesion

Te disa ekspertë të ekonomisë gjermane është rritur pesimizmi për ekonominë gjermane. Ka madje që thonë, se vetëm një mrekulli e vogël do ta shmangte recesionin. Siç dihet, për recesion flitet kur kemi rrudhje të ekonomisë në dy tremujorë, njëri pas tjetrit.

Por qeveria mendon se Gjermania do ta shmangë recesionin. Pas një rrudhjeje prej 0.2 përqind, në tremujorin deri në qershor, qeveria pret rritje ekonomike, në tremujorin e tretë.

Objektivi i qeverisë gjermane është të arrijë një buxhet të balancuar. Për herë të parë që prej vitit 1969. Buxhet i balancuar do të thotë që shpenzimet të mos i tejkalojnë të ardhurat. Edhe këtë javë, ministri gjerman i Ekonomisë e quajti këtë një synim të rëndësishëm dhe të drejtë.