1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eksperienca e ish RDGJ-së ne trajtimin e dosjeve sekrete te diktaturës

Arben Muka21 Tetor 2008

Të martën në Tiranë është duke u zhvilluar nje konferencë e posacme ku e ftuar në një diskutim publik për hapjen e dosjeve dhe drejtuesja e zyres federale per dosjet e Stasi-t në Gjermaninë Lindore, Marianne Birthler.

https://p.dw.com/p/FeBv
Fotografi: AP

Auditori ku u mbajt aktiviteti për trajtimin e dosjeve ishte mbushur plot e përplot. Kishte që nga politikanë, aktivistë për të drejtat e njeriut, ish të përndjekur politikë, ligjëvenes, anëtarë të qeverisë, përfaqësues të klerit, historianë, gazetarë, qytetarë të thjeshtë, e deri dhe ish nëpunës të periudhës komuniste. Të lodhur deri në mosbesim nga mënyra ciklike se si politika shqiptare e ka trajtuar në këto vite të tranzicionit cështjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit në kohën e diktaturës, grupet e interesit treguan vëmendje të madhe se si ishte operuar me to në një vend i ish Lindjes Komuniste, ku ka patur thuajse të njëjtat praktika të shërbimit të fshehtë, si armë e rregjimit.

Në panel e ftuara kryesore e debatit publik ishte Marianne Birthler, shefe e Zyres federale për dosjet e Stasi-t në ish Gjermaninë Lindore, RDGJ. Prezenca e saj u bë i mundur nga ambasada gjermane në Tiranë dhe Fondacioni "Friedrich Ebert". Me të drejtë zonja Birthler është konsideruar si e ngarkuara me punë për dosjet sekrete në RDGJ.

Diskutimi gjatë konferencës u fokusua në disa aspekte konkrete të përvojës gjermane: si u realizua ky proces, si u ndërtua baza ligjore, cilat ishin institucionet që e implementuan, si u garantua mos keqperdorimi dhe mos manipulimi me hapjen e dosjeve etj.. Duke u nisur nga përvoja gjermane gjatë diskutimit u theksua dhe një nga elementët kryesorë të këtij procesi, që gjithësecilit i njihej e drejta për tu njohur me dosjen e tij. Por dhe garancia e mbrojtjes së të dhënave personale.

Sic u shprehën dhe përfaqësues të panelit në konferencë ajo që e bëri efektive këtë operacion ishte besimi që u krijua tek publiku, se gjithshka ishte në dobi të tij, për të njohur realisht të kaluarën, por dhe për të verifikuar cdokend që kishte lidhje me dosjet dhe kërkonte për të marrë funksione dhe detyra të larta në institucionet qendrore dhe lokale.

Për ta bërë më atraktive veprimtarinë organizatorët kanë ndërthurrur diskutimin nga të pranishmit me shfaqjen e filmit gjerman "Jeta e të tjerëve", që ka në fokus pikërisht këtë temë që diskutohej.


Arben Muka


►◄