1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi europian për Kosovën

Lindita Arapi5 Nëntor 2013

Çfarë do të bëhet me Veriun e Kosovës? Shtypi europian vazhdon të komentojë zhvillimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe zhvillimet e ditës së dielë në Veriun e Kosovës.

https://p.dw.com/p/1ABii
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gazeta austriake "Die Presse" kritikon qëndrimin defensiv të forcave të sigurisë gjatë akteve të dhunës në Veri. "KFOR dhe partnerët duhet ta kishin menduar se do të kishte sulme. Në vend që të reagonin me vendosmëri ndaj personave që thyen rregullin, ata qëndruan duarkryq për një kohë të gjatë, eufemizmi tipik për këtë rast quhet "çtensionim". Nuk është çudi që huliganët ndjeheshin të inkurajuar dhe forcat e sigurisë kaluan një test devijimi me një rezultat të turpshëm. Nuk është kaq tragjike, u shpreh OSBE, deri në orën 17:00, gjithçka ishte nën kontroll. OSBE përpiqet të zbusë situatën. Më së voni nga e diela dihet që ngjyra blu në logot e BE-së, OSBE-së, dhe NATOs në raport me Kosovën do të thotë mendjelehtësi."

Edhe gazeta e Luksemburgut "Luxemburger Wort" komenton të martën shkallëzimin e situatës në Veri: "Është fakt që hendeku i thellë e i krijuar në shekuj, nuk mund të mbushej nga sot me nesër. Por bashkësia ndërkombëtare dhe BE nga ana tjetër nuk e përballojnë dot financiarisht të financojnë pafundësisht status-quon atje. Ka ardhur koha që ekstremistëve të të dyja kampeve në Kosovë t'u tregohet vendi, në rast nevoje edhe me ndihmën e forcave të sigurisë. Shteti multietnik i Bosnje Hercegovinës, një dështim që në lindje, është një shembull kërcënues. Atje jetojnë boshnjakë, kroatë dhe serbë për gati dy dhjetëvjeçarë në një gjendje pati: Çdo shpresë për përparim politik dhe ekonomik shuhet nga bllokada e "përfaqësuesve të interesave" të të tre grupeve etnike."

Gazeta gjermane "Süddeutsche Zeitung" komenton se zgjedhjet lokale në Kosovë do të duhej të ishin një test, një grup prove për zbatimin e planit të të aksioni, me të cilin kosovarët dhe serbët kishin bërë të ditur përafrimin e tyre. Por siç e tregojnë edhe incidentet në ditën e zgjedhjeve, një afrim i vërtetë është ende shumë larg. Më shumë shtrohet pyetja nëse "qeveria e Serbisë ka gisht në dhunën e agjitacionin të atjeshëm?"

Nën titullin "Rezistencë", gazeta e njohur gjermane, "Frankfurter Allgemeine Zeitung" vëren se ajo që ndodhi të dielën në Veriun e Kosovës mund të vlerësohet me shikim të parë si kthim mbrapa. "Por ngjarjet atje mund të analizohen ndryshe. Pavarësisht se kush fshihet pas sulmeve ndaj qendrave të votimit, e ka parë veten me sa duket në defensivë për shkak të ujdisë (megjithëse të brishtë) të Prishtinës, Beogradit e Brukselit. Tani çështja që shtrohet është mosrënia e vullnetit të angazhimit ndërkombëtar në Kosovë dhe e vullnetit politik të Beogradit, këta duhet të vazhdojnë presionin ndaj përzierjes së ekstremizmit nacionalist dhe kriminalitetit, - që kanë lulëzuar në hapësirën boshe ligjore të Veriut të Kosovës. Një reagim i tillë rezistence si ai i së dielës në mbrëmje, ishte i pritshëm."

Gazeta zvicerane "Neue Zürcher Zeitung" i titullon zhvillimet në Kosovë si "Zgjedhje të nervozuara". Zgjedhjet në Kosovë u zhvilluan në një situatë të acaruar, shkruan NZZ. Por kjo klimë e ndezur nuk të habit. Është hera e parë që qeveria e Serbisë mbështeti zgjedhjet e organizuara nga autoritetet e Kosovës. Me zgjedhjet do të duhej të vulosej marrëveshja e prillit për integrimin e Veriut në strukturat e Kosovës. Por shumë serbë e refuzojnë kategorikisht çdo lloj bashkëpunimi me Prishtinën."