1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekstremizëm i majtë dhe i djathtë në rritje në Bullgari

Alexander Andreev12 Maj 2013

Frika nga pasojat e një krize financiare ka luajtur rol të rëndësishëm në fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Bullgari. Përfituese janë partitë ekstremiste dhe dhe nacionaliste të majta dhe të djathta.

https://p.dw.com/p/18WLj
Fotografi: BGNES

Në fillim të këtij viti bullgarët demonstruan me javë të tëra. Demonstruesit, të cilët nuk i përkisnin ndonjë partie, protestuan kundër efekteve të krizës financuare, rritjes së çmimeve të energjisë dhe të papunësisë. Në shumë qytete të mëdha, aktivistët valëvisnin flamujtë bullgarë dhe këndonin këngë patriotike nga shekulli i 19-të, koha e çlirimit prej "zgjedhës turke", sundimit 500 vjeçar të Perandorisë Osmane. Dy vetë i vunë zjarrin vetes. Si pasojë e protestave, më 20 Shkurt, qeveria e kryeministrit Bojko Borisov dha dorëheqjen dhe shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të reja më 12 maj. Megjithatë fryma nacionaliste ndihet kudo dhe e ka influencuar fushatën zgjedhore në vend.

Fryma nacionaliste rritet

Sot nuk kujtohet shumë njeri për osmanët. Demonstruesit bënin fjalë për një "sundim të të huajve" i një tipi tjetër - atë të operatorëve ndërkombëtarë të energjisë, dhe rrjeteve të supermarketeve, të cilët bullgarët i bëjnë përgjegjës për koston e lartë të jetesës. Për kulturologun Alexander Kiosev protestat kanë çuar qartësisht në rritjen e armiqësisë kundër të huajve. "Kryengritje të tilla dëshpërimi gjithmonë tentojnë t'i gjejnë fajtorët tek të ashtuquajturit të huaj. Jo vetëm investorët e huaj, por edhe turqit e romët shpesh bëhen tabelë qitjeje për agresivitetin, i rrezikshëm edhe nga prezenca e huliganëve të futbollit dhe kriminelëve."

Fytyra të reja armiqsh

"Turqit" - kur thuhet kështu fjala është për minoritetin turqishtfolës dhe mysliman në Bullgari, i cili përbën rreth 8% të popullsisë bullgare. Po këtë përqindje arrin edhe komuniteti rom, sipas statistikave. Për partitë populiste si aleanca "Ataka", e përfaqësuar si në Parlamentin Bullgar ashtu edhe në Parlamentin Europian, këta dy minoritete janë dy armiqtë e pastër të vendit. Për vite të tëra, "Ataka" korrte sukses politik me protestat kundër xhamive të reja, kundër mësimit të turqishtes në shkolla, apo me pretendimet se popullsia rome jeton në kurriz të "bullgarëve të vërtetë" dhe shfrytëzon sistemin social të vendit që edhe pa ta është i dobët.

Sociologu Andrej Rajçev shikon në Bullgari lindjen e një tendence të re. "Protestat nuk kanë ngritur një valë të reja të armiqësisë kundër të huajve dhe racizimit, por pranueshmëria në shoqëri e ideve të tilla është rritur." Aleanca "Ataka" duket e pandalshme, por radikalizimi po merr një drejtim tjetër, thekson Raytchev. "Më shumë dëgjohen thirrje për 'shpronësimin e kapitalistëve të huaj', të cilat tingëllojnë interesante për një pjesë të bullgarëve."

Radikalët në krye

Rajçev dhe vëzhgues të tjerë vërejnë tendenca radikalizimi si në kampin e majtë ashtu edhe atë të djathtë të shoqërisë. Huliganët e gatshëm për dhunë, shpesh homofobë dhe nxitës të urrejtjes kundër homoseksualëve, nacionalistët radikalë që ëndërrojnë për Bullgarinë e madhe, apo ekstremistët e djathtë që janë kundër romëve dhe turqve u bashkuan në protesta me ultra të majtët dhe nostalgjikët e komunizmit në rrugë. Para zgjedhjeve të 12 Majit 2013 shumë parti të vogla, të dala nga qarqe të tilla kërkojnë votën e zgjedhësve.

Kërkesat e tyre variojnë nga "kthimi i pasurisë kombëtare popullit", tek premtimi "i zbrazjes së getove rome dhe të papunëve afatgjatë" - këtu përfshihen edhe ata që kërkojnë që romët të detyrohen të punojnë. Në vetvete ato janë slogane populiste, por që për një shtresë jo edhe aq të vogël të bullgarëve ato duken si të logjikshme dhe vendosmëri politike, mendon politologu Parvan Simeonov.

Protesta të keqpërdorura

Ndërsa politologu Ognian Minçev përmbledh: "Një përqindje një shifrore prej kohësh në Bullgari është e prirur ndaj armiqësisë kundër të huajve, homofobisë dhe paragjykimeve raciste." Nuk ishin protestat ato që çuan në rritjen e një grupi të tillë, por ato sollën radikalizimin. Minçev është i mendimit se "tek këto protesta bënë thirrje edhe disa politikanë që përdorin argumenta populistë, por që në të vërtetë nuk janë në gjendje të marrin mbështetje serioze politike në zgjedhje."

E pikërisht për këtë bëhet fjalë në zgjedhjet e së dielës (12.05.2013). Cilat parti do të dinë të fitojnë këtë 15-20%-sh të zgjedhësve që mbështetën në mënyrë aktive protestat e rrugës? Dy partitë e mëdha, ajo konservatore e djathtë, GERB e ish-kryeministrit Boiko Borisov dhe partia socialsite, BSP janë të rezervuara me komentet e tyre ndaj sloganeve populiste dhe premtimeve të drejtuesve të protestave. Është e pritshme që një ose dy nga partitë radikale do të arrijnë të futen në parlament duke vështirësuar kështu krijimin e qeverisë.