1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Veriu i Kosovës me komandant të ri serb

Bekim Shehu / Prishtinë25 Qershor 2013

Emërimi i komandantit të policisë serbe për rajonin veriut të Kosovës, Nenad Gjuriq u bë dy ditë para se parlamenti i Kosovës ta ratifikojë projektligjin e marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

https://p.dw.com/p/18vdL
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, konfirmoi të martën me 25.06. emërimin e komandantit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Kosovës. Ai është Nenad Gjuriq, ish pjestar i policisë së Kosovës. “Ne marrim obligimin që të implementojmë edhe pjesën teknike të marrëveshjes politike të 19 prillit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sot, veç është emëruar komandanti i policisë për pjesën e regjionit të veriun, që është Nenad Gjuriq, i cili ka qenë më herët pjesëtar i Policisë së Kosovës”, konfirmoi kryeministri Hashim Thaçi gjatë një mbledhje të qeverisë së Kosovës. Me emërimin e sotëm të komandantit të regjionit të veriut të Kosovës, shënohet edhe fillimi real i zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit Kosovë-Serbi.

Në foto, kryeministri Hashim Thaçi
Në foto, kryeministri Hashim ThaçiFotografi: Reuters

Emërimi i komandantit të policisë serbe për rajonin veriut të Kosovës, u bë dy ditë para se parlamenti i Kosovës ta ratifikojë projektligjin e marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Seanca për ratifikimin e këtij projektligji do të mbahet ditën e enjte. Ratifikimi i këtij projektligji po vazhdon të kundërshtohet nga Lëvizja “Vetvendosje”, e cila ka paralajmëruar protesta. “Ne do ta kundërshtojmë fuqishëm ratifikimin e paralajmëruar të këtij projektligji brenda Kuvendit dhe jashtë tij”, ka thënë Albin Kurti, lider i lëvizjes Vetvendosje.

Ky subjekt politik vazhdon ta kundërshtojë edhe dakordimin e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, nga takimi i fundit që zgjedhjet lokale në Kosovë të mbahen me datën 03.11.2013, me qëllim që në këtë datë zgjedhje të zhvillohen edhe në katër komunat më shumicë serbe në veri të Kosovës. Kryeministri Thaçi, tha gjatë mbledhjes së qeverisë se tre nëntorin e konsideron si datë kompromisi.  “E konsideroj sukses të jashtëzakonshëm mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të para lokale në të njëjtën ditë. Kjo po ndodh për herë të parë në Kosovë dhe mendoj se pikërisht mbajtja e zgjedhjeve lokale në të njëjtën ditë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, shënon edhe suksesin më të madh në procesin e normalizimit dhe integrimit në veri, në kuptimin edhe territorial edhe atë shoqëror”, tha kryeministri Hashim Thaçi.

Në foto, lideri i Lëvizjes Vetvendosje, Albin Kurti
Në foto, lideri i Lëvizjes Vetvendosje, Albin KurtiFotografi: picture-alliance/dpa

Sidoqoftë, emërimi i sotëm i komandantit serb të policisë për rajonin e veriut të Kosovës dhe ratifikimi që pritet të enjten në Kuvendin e Kosovës i projektligjit për marrëveshjen e 19 prillit Kosovë-Serbi, bëhen para datës 28 qershor kur shefat e shteteve anëtare të BE-së, “do të vendosin”, që Kosovës t'i japin dritën jeshile për nisjen e negociatave për marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit. Njohësit e çështjeve evropiane, thonë se për herë të parë Komisioni Evropian hap negociata për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, me një shtet të cilin nuk e kanë njohur të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.