1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Emigracioni i romëve në Gjermani

Tatiana Vaksberg3 Qershor 2015

Së paku 500 familje rome nga një lagje në Vidin në Bullgari kanë ardhur në Gjermani. Reporterja e DW, Tatiana Vaksberg, ka jetuar një muaj në vendbanimet e tyre,ka hulumtuar motivet dhe strukturat në këtë lagje.

https://p.dw.com/p/1Fb0V
Fotografi: DW/T. Vaksberg

Borisi*, tregtari 30-vjeçar në lagjen rome, i njeh të gjitha rrugët, që çojnë në Gjermani. Ai jeton në Bullgari, por gati i gjithë farefisi i tij kanë ikur ndërkohë në Gjermani, në qytetin Koblenc, i cili është i njohur në mesin e romëve nga Vidini. Familjet e para rome të kësaj lagjeje kanë shkuar në Koblenc në vitet 1990. Ndërsa sot udhëtojnë tri herë në javë dy minibusë nga lagjja rome deri në Koblenc. Ata nuk kanë ndonjë orar të saktë, por të gjithë e dinë orarin e qarkullimit. Vetëm duhet të lajmërohesh në kafene te Georgi dhe paguan 80 Euro në një drejtim. Me këto para ke paguar rrugën prej derës në derë, që do të thotë një shërbim komplet. Bagazhi merret në mbrëmje, ndërsa udhëtarët në mëngjesin e ardhshëm.

Nuk ka kriminelë droge!

„Por te Georgi nuk mund të shkosh dhe të blesh një biletë thjesht“, paralajmëron Borisi. Shoferët nuk marrin njerëz të panjohur, të cilët nuk i kanë marrë në Koblenc, sepse autoritetet gjermane shikojnë me shumë vëmendje se kush po udhëton. Pra nuk lejohet në asnjë mënyrë që në autobusë të futen shitës droge, apo tutorë prostitutash. Udhëtarët duhet të kenë ndonjë të afërt, apo të njohur në Koblenc, për të mundur të udhëtojnë, shpjegon Boris.

Në Koblenc nuk mund të bësh asgjë, nëse nuk i njeh „ligjet“ e atjeshme. Këto „ligje“ nënkuptojnë „way of life“ (mënyrën e jetës), që do të thotë se duhet të njohësh rregullat e jetës atje. Kjo do të thotë se duhet të dish rendin e marrjes së mbeturinave, se gruaja nuk duhet të trajtohet si shërbëtore në shtëpi dhe se jeta e re fillon me paraqitjen zyrtare tek autoritetet. Fillimi i jetës për ata, që vijnë për herë të parë, mund të jetë shumë i komplikuar, shpjegon Borisi dhe shton: një banesë mund të gjesh vetëm, nëse je paraqitur legalisht dhe ke një vend të rregullt pune. Pasagjerët dërgohen drejt në adresat e caktuara para nisjes. Borisi është i gatshëm që mua si dhuratë të më gjejë një vendstrehim në Koblenc e madje edhe një punë të përkohshme – një punë në të zezë, deri sa nuk e gjej veten.

Kush ka mundësi largohet nga kjo lagje
Fotografi: DW/T. Vaksberg

„60-70% e banorëve kanë ikur“

Në lagjen rome nuk ka ndonjë statistikë zyrtare për banorët, që kanë ikur në Gjermani. Pronari i kafesë Georgi, pronar i një prej minibusëve, ka një listë të veten. Sipas tij, në Koblenc kanë shkuar mbi 300 familje, ndërsa në Këln 200 të tjera. Borisi mendon se nga kjo lagje kanë ikur më shumë se këto 500 familje. Ndoshta 60-70% e të gjithë banorëve kanë ikur ndërkohë. „Gratë, që kujdesen për të moshuarit në Itali, Angli, apo Finlandë… ka dhe të tjerë, që kanë shkuar në Greqi, apo Spanjë, për punë sezonale“, shpjegon ai.

Edhe Borisi gjendet në udhëkryq. Ai duhet të vendosë, nëse do të ikë diku përgjithmonë, ose të kërkojë të paktën një punë të përhershme në Vidin, ku ka ndërtuar një shtëpi dykatëshe me të gjitha pajisjet. Por në Vidin ka një papunësi të madhe (vitin e kaluar 23%, por këtë vit do të jetë edhe më e lartë). Vetëm në mars 600 persona e kanë humbur vendin e punës. Ndërkohë që kualiteti i jetës është gjithnjë e më i keq në këtë lagje rome. Edhe vajza e Borisit është nën presion të madh në lagje, sepse njerëzit mendojnë se ajo është tepër e shkolluar dhe duhet të martohet …

Ai shpreson se në Gjermani do të ketë një shans të ri për një fillim të ri. “Në Gjermani nuk të pyet kush, nëse je cigan, apo jo. Atje shikojnë vetëm punën.“

Pozicionimi i qyteteve në Gjermani

„Të shkosh atje lart“, është metafora, që përdoret në katë lagje për qytetet gjermane. Ata që shkojnë në Koblenc, më pas shkojnë në Këln. Ndërsa fëmijët e tyre, të cilët kanë lindur në Gjermani, nuk flasin më bullgarisht, apo gjuhën rome. Më të suksesshmit vazhdojnë rrugën për në Frankfurt mbi Majn. „Tani e kam kuptuar fjalën: ai nuk kthehet më, sepse ka mbërritur në Frankfurt“, shpjegon Borisi.

Kush ka mundësi largohet nga kjo lagje
Kush ka mundësi largohet nga kjo lagjeFotografi: DW/T. Vaksberg

Ndërkohë që shumica e të mbeturve në vendlindje jetojnë duke i falënderuar ndihmave nga jashtë. Elena* vjen me vrap pas bisedës me burrin e saj në Koblenc. Ai e njofton se ka gjetur një punë legale, 7 euro për një orë. Tani ai mund të gjejë edhe një banesë dhe nuk duhet të ketë frikë nga autoritetet, për shkak të punës ilegale. „Edhe Elena do të ikë së shpejti“, mendojnë banorët.

Më pas më shpjegojnë se çfarë duhet pasur për një punë në Gjermani. Një patentë shoferi të kategorisë C, apo një zanat në ndërtimtari. Të gjitha punët tjera paguhen më dobët. „Nuk mjaftojnë për një shtëpi!“

„Çfarë shtëpie, në cilin vend?“, pyes.

„Këtu, ku tjetër? Në Gjermani fitohen paratë, ndërsa shpenzohen këtu në Bullgari. Shiko të gjitha këto shtëpi të ndërtuara – të gjitha me paratë e fituara në Gjermani.“

„Përveç në rastet, kur ke mbërritur në Frankfurt. Prej atje nuk kthehet askush në Bullgari“, thonë banorët.

*Të gjithë emrat janë ndryshuar nga Redaksia.