1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Emigrantë ekonomikë nga Ukraina

Nils Zimmermann4 Gusht 2015

Numri i personave nga Ukraina, që kërkojnë azil në Gjermani, është rritur. Shumë prej tyre janë emigrantë ekonomikë, jo të përndjekur politikë. Autoritetet pyesin: Duhet t'i kthejmë, apo t'i pranojmë si fuqi punëtore?

https://p.dw.com/p/1G9Du
Mecklenburg-Vorpommern Flüchtlingsheim in Wolgast
Fotografi: DW/N. Zimmermann

Të enjten në mbrëmje në qendrën e refugjatëve në Wolgast, qarku Vorpommern-Greifswald (KVG), një qytet i vogël në brendësi të vendit përballë ishullit Usedom. Më në verilindje të Republikës Federale Gjermane nuk shkohet dot më. Shtëpia është një ndërtesë me parafabrikate si shumë të tjera në lagjen, që është ndërtuar në kohën e RDGj-së. Ajo strehon 140 azilkërkues.

Vitali Balushinskiy, inxhinier, 28 vjeç, është njëri prej tyre. Ai ulet në tavolinë dhe tregon se përse ka ardhur në Gjermani dhe çfarë shpreson nga jeta e re në këtë vend. Balushinskiy është i fortë, i gjatë, flokët ngjyrë kafe të çelët i ka të qethur shkurt. Ka sy të kaltër dhe është njëri i qetë. Ai jeton në kampin e refugjatëve me gruan e tij dhe vajzën katër vjeçare. Ai ka studiuar në Lviv, vjen nga Ukraina perëndimore.

Kur në Ukrainën lindore shpërtheu kaosi një vit e gjysëm më parë, ai ishte i punësuar në industrinë e paketimit në Donetsk. "Vendi im i punës u zhduk për shkak të luftës në Donbas, unë u ktheva në Ukrainën perëndimore. Atëherë duhej të regjistrohesha në ushtrinë ukrainase. Por unë nuk dua të vdes njeri", thotë ai. E ka fjalën se nuk do të vrasë askënd, ai nuk do të marrë armë në dorë. Kjo është baza e kërkesës së tij për azil.

Inxhinier Balushinskiy me gruan dhe fëmijën
Inxhinier Balushinskiy me gruan dhe fëmijënFotografi: DW/N. Zimmermann

Pak perspektivë

Megjithatë ligji gjerman nuk parashikon që mund t'u jepet azil dezertorëve ukrainas. Kjo ishte një përgjigje e qeverisë gjermane ndaj një "interpelance të vogël" të deputetëve të partisë "Die Linke" (E Majta) në mes të qershorit.

Pak ukrainasve u njihet azili. Në gjysmën e parë të vitit 2015 sipas të dhënave të Entit Federal për Migracion dhe Refugjatë (BaMF) ka patur 2.621 aplikime për azil nga ukrainas, vetëm 5,4 përqind e tyre kanë përfituar një lloj formë të mbrojtjes përmes azilit.

Por megjithatë Balushinskiy mund të shpresojë që të qëndrojë më gjatë në Gjermani, pa u dëbuar. Sepse "aplikimet për azil të aplikantëve nga Ukraina që nga 7 gushti 2014 ... shqyrtohen si jo prioritare", tha një zëdhënës i shtypit të BaMF. Kërkesat për azil të refugjatëve nga Siria, Iraku dhe Eritrea kanë prioritet.

Të dëbohen apo të mbahen?

Çfarë do Vitali Balushinskiy? Fare thjeshtë: të punojë dhe të jetojë me familjen e tij në siguri. Atij i pëlqen Gjermania dhe gjermanët - njerëzit janë të mirë, të gatshëm për të ndihmuar, japin rroba në kampin e refugjatëve. Ai ndihmon për të seleksionuar rrobat, përpiqet të jetë i dobishëm.

Mecklenburg-Vorpommern Seenlandschaft, Mönkebude
Mecklenburg-Vorpommern MönkebudeFotografi: DW/N. Zimmermann

Për kohën e shkurtër, që ndodhen në Gjermani, tetë muaj, ai flet shumë mirë gjermanisht. Kur erdhi këtu, ai nuk dinte asnjë fjalë. Por ai mëson me qejf, dhe do të përgatitet për punën këtu.

Drejtoresha e qendrës së refugjatëve, ku jeton familja Balushinskiy, Milia Bentzien, një gjermano-libaneze e sjellshme, thotë se ajo nuk lejohet të përfshihet në procedurën e azilit, dhe kjo është për të të ardhur keq, sepse ajo ka shumë kontakt me refugjatët, ato e dinë ", " se kush do të përshtatej mirë këtu." Ajo thotë, se Vitali Balushinskiy dhe familja e tij do të përshtateshin në mënyrë të përkryer me ne.

Shumë të papunë

Një azilkërkues mund të punojë në parim pas tre muajsh. Por në qoftë se ai ka një ofertë pune, zyra e punësimit duhet së pari të kontrollojë, nëse vendi i punës mund t'i jepet një qytetari të papunë gjerman apo një emigranti nga BE, apo ndonjë të huaji tjetër, që ka këtu leje qëndrimi dhe pune. Azilkërkuesit vijnë në fund.

Në qarkun Vorpommern-Greifswald për azilkërkuesit si Balushinskiy perspektivat e punës nuk janë rozë, për arsye se ka shumë të papunë. Sipas statistikave të Agjencisë Federale të Punësimit KVG në korrik 2015 shkalla e papunësisë ishte 11.6 për qind, ajo e punësimit nën kufirin mesatar 15.2 për qind.

Për krahasim: në Republikën Federale të Gjermanisë kuota e papunësisë ishte 6.3 për qind, punësimi nën mesataren 8.1 për qind. Pra rreth dy herë më e lartë se mesatarja kombëtare.

Histori të diskutueshme

Një familje tjetër ukrainase, e vendosur në një apartament me parafabrikate në komunën e e vogël Tutov. Një vjehërr fjalëshumë rreth të gjashtëdhjetave, një çift rreth të tridhjetave, një vajzë pesë vjeçe.

Familja B. shpreson të gjejë në Gjermani kushte më të mira pune se në Ukrainë, Poloni he Rusi
Familja B. shpreson të gjejë në Gjermani kushte më të mira pune se në Ukrainë, Poloni he RusiFotografi: DW/N. Zimmermann

Kujdestarja e refugjatëve thotë gjatë rrugës për në vendin e takimit për intervistën, se familja rusishtfolëse B. është nga Odesa, ato thonë se janë të përndjekur politikë, sepse mbështesin presidentin e rrëzuar Viktor Janukoviç dhe se diskriminohen edhe për shkak se kanë paraardhës hebrenj.

Por, ajo thotë se nuk e beson këtë histori, përveç asaj që familja vjen nga Odesa. "Këto janë thjesht refugjatë ekonomikë", thotë ajo. Mbikëqyrësja është vetë ukrainase dhe e njeh situatën në atdheun e vjetër. Nuk ka ndonjë diskriminim të madh kundër hebrenjve, dhe në Ukrainën Perëndimore nuk ka përndjekje të njerëzve, që kanë qenë për Janukoviçin, thotë ajo.

Gazetarit të DW i ra në sy se çifti në intervistë, kur u pyet: si do t'i vlerësonit shkaqet e konfliktit në Ukrainë, nuk kishte asgjë për të thënë. "Unë nuk interesohem për çështje politike", tha burri, po ashtu edhe gruaja.

Ai kishte punuar në Poloni dhe Rusi në ndërtim. Por puna ishte paguar gjithmonë keq, e pasigurt dhe në afat të shkurtër, ai donte siguri. Prandaj ka ardhur në Gjermani. "Në fakt unë nuk dua para nga shteti, unë dua vetëm të lejohem të punoj këtu", thotë ai në rusisht. Kujdestarja përkthen.

Por refugjatë ekonomikë, të cilët marrin strehim dhe mbështetje financiare nga shteti, përfitojnë të ardhura, që duhet të ishin në dispozicion për refugjatët nga zonat e luftës, si Siria. Çfarë mendoni për këtë?, pyet gazetari. Fytyra të pakënaqura, por pa përgjigje të qartë.

Që prej disa javësh në Mecklenburg-Vorpommern, një familje siriane nga Homs, qytet i shkatërruar nga lufta.
Që prej disa javësh në Mecklenburg-Vorpommern, një familje siriane nga Homs, qytet i shkatërruar nga lufta.Fotografi: DW/N. Zimmermann

Çdo muaj vijnë të tjerë

"Me 20 korrik kishte 415 azilkërkues në rrethin Vorpommern-Greifswald", thotë Nadine Hoffmann, e ngarkuara për integrimin në qytetin Greifswald. Përveç kësaj ka 85 të huaj, statusi i të cilëve si refugjatë është miratuar. Tani ato lejohen të regjistrohen në Qendrën e Punësimit, të kërkojnë punë dhe të marin ndihmat sociale për të papunët, si çdo qytetar.

Çdo muaj vijnë të tjerë. Për refugjatët në Gjermani kujdesen në rradhë të parë qeveritë e landeve - me shpenzimet e tyre. Dhe nuk është për t'u habitur që shumë qytetarë në KVG tregohen pak të nxehur, kur vjen fjala për azilkërkuesit.

Banesa pa qira dhe mobilje të reja

"Njerëzit si ne duhet të shkojnë në punë çdo ditë", thotë një grua rreth të tridhjetave, që jeton në komunën e vogël të Tutovit në një shtëpi, ku janë vendosur disa familje refugjatësh. "Dhe ato marrin një apartament të paguar me mobilje të reja brenda."

Ministri gjerman i ekonomisë Sigmar Gabriel ka vizituar qendrën e refugjatëve në Wolgast.
Ministri gjerman i ekonomisë Sigmar Gabriel ka vizituar qendrën e refugjatëve në Wolgast.Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Wüstneck

Ajo nuk do që të citohet me emër, si dhe të tjerët, me të cilët DW donte të diskutonte për çështjen e refugjatëve.

"Një temë delikate", tha një punonjës në sektorin e tregtisë me aparatura elektrike, i cili ndodhej me dy shokë në sheshin e tregut në Anklam. "Mendoj se ne duhet të kemi mëshirë, të tregojmë solidaritet, kur disa vijnë këtu nga një zonë luftimesh.""Por ka edhe shumë qytetarë këtu, që janë të papunë dhe marrin vetë ndihma sociale", thotë shoku i tij. "Kush do t'i paguajë që gjitha këto? Në fund ne."