1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

171210 Montenegro EU

20 Dhjetor 2010

Në Mal të Zi ka një shkak për të festuar: Të premten (17.12.), shefat e shteteve dhe të qeverive të BE vendosën në Bruksel që t'i japin këtij vendi evropianolindor statusin e një kandidati për anëtarësim.

https://p.dw.com/p/QgEE
Filip Vujanoviç presidenti i Malit të ZiFotografi: picture-alliance/ dpa

Vendi i vogël evropianolindor Mali i Zi me 680 mijë banorë është një hap më pranë hyrjes në BE. Të premten (17.12.), shefat e shteteve dhe të qeverive të BE vendosën në takimin e tyre të nivelit të lartë në Bruksel që t'i japin këtij vendi evropianolindor statusin e një kandidati për anëtarësim.

Para disa kohësh, Brukseli i paraqiti Podgoricës shtatë kushte për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Bëhet fjalë para së gjithash për reforma në fushën e demokracisë dhe të shtetit juridik.

Montenegro Ministerpräsident Milo Djukanovic in Podgorica
Kryeministri malazez Milo GjukanoviçFotografi: AP

Brukseli ka besim tek Podgorica

Kryeministri Milo Gjukanoviç u tregua i vendosur, që t'i plotësojë kushtet, megjithëse në përgjithësi ai është i kujdesshëm kur vjen puna te afatet:

"Më e rëndësishmja është që të plotësojmë detyrat tona bazë. Kjo do të thotë, të kryejmë reforma, të sigurojmë vazhdimësinë e investimeve të huaja, të krijojmë vende të reja pune dhe të rrisim pagat dhe pensionet. Ne duam të bëhemi pjesë e BE."

Në Bruksel dhe në Berlin besojnë në aftësinë për transformim të Malit të Zi. Një zëdhënës i Partisë Popullore Socialiste të Malit të Zi, në opozitë, Aleksandar Damjanovic shpjegon në bisedë me DW se ç'hapa konkretë pret tani partia e tij nga qeveria: "Ne duhet ta shfrytëzojmë në mënyrë optimale këtë rast që na u dha me statusin e vendit kandidat. Ne nuk duhet të shtyhemi prej të tjerëve në drejtim të BE. Këtë duhet ta bëjmë vetë. Kjo duhet të tregohet me të gjitha gjestet, me vepra dhe me një qendrim të përgjegjshëm ndaj detyrimeve, të cilat i kemi marrë mbi vete, për t'u bërë vend anëtar i BE."

Welche Zukunft für die Jugend in Montenegro + EUFOR
Pamje nga PodgoricaFotografi: DW

Rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar

Për Dejan Milovacin, zëvendësdrejtorin e organizatës më të fortë joqeveritare malazeze "Rrjeti për Afirmimin e Shoqërisë Civile" është shumë e rëndësishme që Brukseli do të kërkojë në radhë të parë rezultate konkrete, para së gjithash përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar: "Ne duhet ta tregojmë veten para së gjithash përmes luftimit të korrupsionit dhe të kriminalitetit në strukturat shtetërore. Rastet e vogla të njohura deri tani nuk duhet të shërbejnë si zëvendësim për rezultate konkrete, të cilat priten prej nesh."

Pas gati dy dekadash si kryetar shteti dhe qeverie, kryeministri Milo Gjukanoviç pritet të tërhiqet ditët e ardhshme. Që më parë ai kishte shpallur se do ta bënte këtë hap, sapo Mali i Zi të merrte statusin e vendit kandidat. Megjithëse Gjukanoviçi do ta mbajë pozicionin e tij drejtues në Partinë Demokratike të Socialistëve, vëzhguesit besojnë se dorëheqja e tij do ta forcojë dhe përshpejtojë procesin demokratizues në Mal të Zi.

Autor: Mustafa Canka/Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi