1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Epokë e re në marrëdhëniet greko-gjermane? Rösler premton në Athinë

8 Tetor 2011

70 përfaqësues nga ekonomia gjermane e shoqëronin ministrin gjerman të Ekonomisë, Philip Rösler gjatë vizitës së tij në Athinë të premten. Greqia shpreson shumë nga asistenca gjermane, dhe ajo do të përfshijë disa fusha.

https://p.dw.com/p/12o28
Philipp Rösler në GreqiFotografi: dapd

Gjermania po i zgjat dorën e ndihmës Greqisë në disa fusha por sidomos për të përmirësuar klimën për sjelljen e investorëve në vend. Kjo u bë e qartë gjatë vizitës së ministrit gjerman të Ekonomisë Philip Rösler në Athinë të premten. Rösler premtoi asistencë gjermane në ristrukturimin e administratës greke dhe zgjidhjen e problemeve financiare të vendit.

Me ministrin grek të Ekonomisë, Mihalis Krysoqodis, Rösler nënshkroi një deklaratë të përbashkët, e cila parasheh ndihmën gjermane në këto fusha. Ministri grek i Ekonomisë e vlerësoi vizitën e Röslerit si "një hap të parë drejt një epoke të re në marrëdhëniet greko-gjermane." "Gjermania luan një rol vendimtar dhe na mbështet" tha ai. Edhe konkluzioni i Röslerit duket pozitiv: "Së bashku kemi diskutuar rrugët për të dalë nga kriza. Nga njëra anë u bë fjalë për vështirësitë e financimit, por ne u impresionuam nga përpjekjet e qeverisë greke për të kryer reforma."

Rösler krahas ministrit grek të Ekonomisë Mihalis Krysoqodis
Rösler krahas ministrit grek të Ekonomisë Mihalis Krysoqodis para Forumit greko-gjerman të ekonomisë në AthinëFotografi: dapd

Ideja gjermane për Greqinë

Me një shpurë të gjerë shoqëruesish, saktësisht 70 përfaqësues nga ekonomia gjermane, Rösler diskutoi projekte konkrete me Greqinë. Ministri gjerman i Ekonomisë bëri fjalë për një vëllim të mundshëm investimi prej 1,5 miliardë eurosh. Aktualisht një ide gjermane ka gjetur vëmendje në Greqi. Ngritja e një banke speciale, e cila do të nxisë investorët përmes kredive me interes të ulët. Ministri gjerman i Ekonomisë kishte me vete edhe ekspertin përkatës për këtë, kryetarin e bordit të Bankës Gjermane për rindërtimin, KfW Ulrich Schröder: "Jemi në bisedime me Ministrinë Greke të Ekonomisë për një bankë nxitëse të investimeve. Ngritja e një banke të tillë është një projekt i madh, që nuk përfundon aq shpejt. Bëhet fjalë se si mund të mobilizohen sa më shpejt për ekonominë greke fondet e BE për Greqinë, që përfshijnë një shumë prej 13 miliardë eurosh", tha Schröder.

Ulrich Schröder,
Shefi i KfW-s Ulrich SchröderFotografi: picture-alliance/ dpa

Vizitë e ngjeshur - Pse Gjermania interesohet për Helios

Pas një takimi me ministrin grek të Financave, Evangelos Venizelos, Rösler theksoi se Evropa duhet të bëjë gjithçka për të penguar sulmet kundër valutës së përbashkët. Rösler, i cili në Gjermani jo para shumë kohësh bëri fjalë për falimentimin grek, nuk e përmendi më as daljen e Greqisë nga eurozona. Rösler foli me Venizelos edhe për arsyet e krizës aktuale: "Ishim të një mendimi se ka dy arsye. Nga njëra anë, borxhet, por dhe mungesa e aftësisë për të qenë konkurent. Ishim të një mendimi se në Evropë, në Gjermani do të gjendet mirëkuptim për problemet e Greqisë, vetëm kur të tregojmë një vizion të përbashkët evropian."

Jorgos Papakonstantinu, ministri grek i Mjedisit
Jorgos Papakonstantinu, ministri grek i MjedisitFotografi: DW

Vizita e shkurtër e Röslerit në Athinë qe e ngjeshur. Në takimin me ministrin grek të Mjedisit, Jorgos Papakonstantinu, Rösler foli edhe për projektin me emrin Helios. Me këtë projekt lidhet ndërtimi i parqeve gjigandë energjitikë me panele diellore në Greqi, projekt që do të drejtohet nga firmat e të dyja vendeve. Sipërfaqja që pritet të përdoret për këtë projekt do të përfshijë 200 kilometra katrorë. Energjia e prodhuar në Greqi një ditë do të shitet edhe në Gjermani.

Autor:  dpa, ard/Arapi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora