1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erdogan trazon Këlnin

exh (dpa, rtr, spon)24 Maj 2014

Vizita e kryeministrit turk Erdogan të shtunën në Këln polarizoi komunitetin turk. Kjo, pavarësisht faktit se ky qytet duron shumë dhe konsiderohet si tolerant. Kryebashkiaku Roters e cilësoi vizitën provokim.

https://p.dw.com/p/1C6FA
Fotografi: picture alliance/AA

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan hodhi poshtë kritikat e Perëndimit ndaj stilit të tij qeverisës. Vendimi i kombit turk duhet të respektohet, tha ai gjatë vizitës së tij të shkurtër në Këln. Edhe kritikat ndaj qendrimit të policisë turke me demonstruesit ai i quajti të gabuara, pasi sipas tij bëhet fjalë për "akte terroriste". Erdogan theksoi se është për integrimin e turqve në Gjermani por kundër "asimilimit". Kryeministri turk nënvizoi lidhjen mes turqve në Evropë dhe Turqisë. Ai tha se sillte me vete "përshëndetjet e 77 milionë vëllezërve" në Turqi. Erdogan u brohorit në Këln në Lanxess-Arena nga rreth 15.000 përkrahës me duartrokitje dhe brohoritje si "Turqia është krenare për ty".

Duke iu referuar rreth 301 viktimave në tragjedinë në minierën e Somas, Erdogan theksoi se do të bëjë gjithcka për të nxjerrë para përgjegjësisë fajtorët e katastrofës.

Protesta kundër vizitës së Erdoganit

Protesta kundër vizitës së Erdoganit në Këln24.05.2014
Protesta kundër vizitës së Erdoganit në Këln, 24.05.2014Fotografi: picture-alliance/dpa

Pak orë para vizitës së diskutueshme të kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan në Këln në qytetin e katedrales, u mblodhën mijëra vetë për të demonstruar. Aksioni i protestës zhvillohej me moton „Ne i themi jo Erdoganit“. Shumë protestues mbanin bluza me mbishkrimin: „Kudo Taksim – kudo qëndresë“ duke aluduar kësisoj për protestat kundër qeverisë islamiko-konservatore të Turqisë në sheshin Taksim në Stamboll. Të tjerë kishin vënë helmeta sigurie me mbishkrimin „Soma“, emrin e qytetit ku humbën jetën 301 minatorë.

Të premten (23.05.2014) në mbrëmje u desh të ndërhynte policia në qendër të qytetit për të ndarë përkrahësit nga kundërshtarët e Erdoganit. Sipas një zëdhënësi të policisë të dyja palët këmbyen retorika të ashpra. Kryetari i bashkisë së Këlnit Jürgen Roters bëri thirrje për maturi. Në të njëjtën kohë Roters duke folur të shtunën (24.05.) për radion gjermane WDR, e cilësoi vizitën e Erdoganit në Këln një provokim në sfondin e tragjedisë në minierën e Somas dhe protestave të dhunshme në Turqi.