1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erdogani ndërmerr masa të dhunshme kundër demonstruesve

Baha Güngör/Bahri Cani4 Qershor 2013

Megjithë kritikën nga jashtë dhe nga brenda protestat dhe dhuna në Turqi vazhdojnë. Ekspertët janë të mendimit se nuk duhet përjashtuar as mundësia e shkallëzimit të mëtejshëm.

https://p.dw.com/p/18jSo
Fotografi: Reuters

Turqia është përfshirë prej ditësh në protestat më të mëdha në këtë vend kundër kryeministrit Recep Tayyip Erdogan. E pashembullt është edhe sjellja brutale e policisë në Stamboll, në Ankara, në Izmir dhe në qytetet e tjera. Megjithë gjendjen e tendosur Ergogani të hënën (03.06.2013) ka nisur vizitën e tij në Marok, Tunezi dhe Algjeri. Të paktën dy të vdekur dhe rreth 2500 të lënduar është bilanci i deritanishëm. Rreth 2000 njerëz janë arrestuar.

"Erdogani është kryeministër i dhunshëm"

Protestat e filluara nga aktivistët për ruajtjen e mjedisit tani janë shtrirë në të gjitha shtresat e shoqërisë turke. Qëndrimi i Erdoganit, se fjala është për protesta të "grupeve margjinale" janë bërë shkas edhe për krahasimet e para të tij me depostët arabë në periudhën e "pranverës arabe". Por Günter Seufert, ekspert për Turqinë nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë në Berlin, mendon se krahasimi i Erdoganit me despotët arabë nuk është me vend. "Turqia nuk ka një regjim totalitar, sepse në këtë vend ka një radhë të insitucioneve demokratike, që funksionojnë si duhet", pohon ai.

Sjellje brutale e policisë kundër demonstruesve
Sjellje brutale e policisë kundër demonstruesveFotografi: Reuters

Kolumnisti turk dhe eksperti për politikë Cengiz Candar pohon se pas më shumë se 10 vitesh në pushtet qeveria e Erdoganit po ndjen një lodhje: "Ai po përpiqet, që këtë lodhje dhe problemet e tjera t'i zgjidhë edhe me dhunë, gaz lotësjellës dhe topa uji, nëse është e domosdoshme. Por nuk e besoj se kjo do t'i ndihmojë, që po i njëjti popull vitin e ardhshëm ta zgjedhë për president."

Nuk mund të besohet se Erdogani do të kërkojë falje për sjelljet e tij, siç ka kërkuar lideri i opozitës Kemal Kilicdaroglu, pas një bisede të hënën me presidentin Abdullah Gül. Seufert thotë se këto protesta mund t'i kushtojnë shumë Erdoganit. Ai nuk beson se Erdogan do të fitojë shumicën absolute në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Pa opozitë homogjene

Një opozitë homogjene kundër Erdoganit nuk ekziston. Simpatizantët e Partisë Republikane Socialdemokrate (CHP),nacionalistët, kurdët dhe alevitët, si dhe sunitët janë të përçarë. Ndërkohë që as nga Erdogani nuk pritet ndonjë zgjidhje, e cila do tu shkonte në favor demonstruesve. Ai tha se nuk do të lëjojë që "disa plaçkitës të vendosin se çfarë projektesh do të ndërtohen në vend".

Demonstrues në parkun Gezi në Stamboll
Demonstrues në parkun Gezi në StambollFotografi: Reuters

Sa i përket vendeve fqinje, nga Siria e përfshirë nga lufta qytetare, menjëherë kanë ardhur tone përqeshjeje ndaj Erdoganit. Minsitri i Jashtëm i këtij vendi i ka udhëzuar qytetarët e vet, që të mos udhëtojnë në Turqi, me shpjegimin se atje është rrezik për sigurinë, për shkak të "sjelljes së dhunshme të qeverisë së Erdoganit kundër demonstruesve paqësorë". Kombet e Bashkuara kanë kumtuar se deri tani nga Siria në Turqi kanë ikur 380.000 refugjatë.