1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eremitage feston 250 vjetorin

Markus Reher8 Dhjetor 2014

Katerina e Madhe, gjermania në fronin e carit, themeloi në shekullin e 18-të koleksionin më të madh të artit në botë. Shën Petersburgu festoi tani 250 vjetorin e tij. Muzeu tërheq çdo vit rreth tre milionë vizitorë.

https://p.dw.com/p/1E0qJ
Eremitage St. Petersburg
Fotografi: picture-alliance/Arco

Në Shën Petersburg u përkujtua 250 vjetori i hapjes së Eremitage, njërit nga muzetë më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm të botës. Mbretëresha Katerina e Madhe, gjermania në fronin e carëve, e pati krijuar këtë muze arti në shekullin e 18-të.

Pjesa qendrore e muzeut me famë botërore Eremitage është pallati i dimrit i Shën Petersburgut, dikur selia e carit. Këtu qëndrojnë të ekspozuara veprat e Leonardo da Vincit dhe të tjera kryevepra të artit evropian. Artistët modernë si Matisse e Kandinsky, por edhe klasikët si Rubens apo Rembrandt. Në më shumë se 350 salla janë ekspozuar më shumë se 60.000 eskponate. Në arkiv gjenden rreth tre milionë objekte, ndër të tjera eksponate arkeologjike si dhe koleksioni më i rëndësishëm i artit klasik evropian krahas Luvrit dhe Prados.

Muzeu vizitohet çdo vit nga rreth tre milionë vizitorë. Këtu gjen turistë nga e gjithë bota. "Është fantastike. Unë e kam parë Luvrin dhe muzetë e tjerë. Ky këtu mund të matet me to. Është marramendëse. Është gjëja më e madhe, që kam parë ndonjëherë. Ka kaq shumë detaje interesante", shprehet një vizitor nga Dubai.

Katerina e Madhe, pikturë e Virgilius Erichsen (1722-1782) e ekspozuar në Ermitage
Katerina e Madhe, pikturë e Virgilius Erichsen (1722-1782) e ekspozuar në ErmitageFotografi: picture-alliance/akg-images

Katerina e Madhe e themeloi koleksionin e pikturave para 250 vjetësh, kur bleu pikturën e parë nga një tregtar në Berlin. Koleksioni i muzeut përbëhet nga vepra të mjeshtrave holandezë dhe francezë si Rembrandt, Rubens, Matisse dhe Paul Gauguin. Ai përmban po ashtu nga dy vepra të gjeniut universal italian Leonardo da Vinçi, si dhe 31 vepra të piktorit spanjoll Pablo Picasso. Ndërkohë muzeu Eremitage, që mirëmbahet nga 2 500 punonjës, po hapet gradualisht edhe për artin bashkëkohor.

Michail Piotrovskij, drejtor i Eremitage në shën Petersburg thotë se ky muze është pjesë e krenarisë për kulturën dhe historinë ruse: "Kjo është një festë e mrekullueshme. Ne përkujtojmë të gjithë historinë e muzeut, transformimin e tij nga fillimisht një pallat mbretëror në një muze global."

Eremitage është një pjesë përbërëse e qendrës së qytetit të shën Petërburgut, të shpallur trashëgimi botërore nga UNESCO.