1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Etapa e fundit në garën elektorale në Greqi

Jannis Papadimitriou16 Shtator 2015

Parashikohet një garë elektorale pikë më pikë mes të majtëve dhe konservatorëve në Greqi. Në duelin televiziv Cipras - Meimarakis ra në sy që e majta dhe konservatorët afrohen disi më shumë në politikën e kursimeve.

https://p.dw.com/p/1GXX3
Griechenland Erste Fernsehdebatte vor vorgezogener Parlamentswahl
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Messinis

Më të ndryshëm s'mund të ketë: Nga njëra anë 40 vjeçari ish-kryeministri i majtë Aleksis Cipras, i cili në mbarë Europën lufton kundër politikës së kursimeve dhe në zgjedhjet e janarit fitoi me premtimin, se do ta çlirojë Greqinë prej kthetrave të dikatit të krusimeve. Nga ana tjetër 62 vjeçari Evangelos Meimarakis, një konservator i kalibrit të vjetër, i cili do mirëkuptim me partnerët e BE-së. Para gjashtë javësh karizmatiku Cipras, deri atëherë kryetari i padiskutueshëm i partisë së majtë Syriza, kishte një avantazh të paarritshëm.

Por që atëherë kanë ndodhur mjaft zhvillime në Hellas. Në mes të gushtit parlamenti miratoi një paketë të re kursimesh, kjo edhe me votat e shumë deputetëve të Syrizas. Si rrjedhojë partia u përça. Të larguarit themeluan një parti të vetën të majtë radikale me emrin "Uniteti i popullit". Përpara kësaj bankat greke u mbyllën përkohësisht. Gjithashtu u vendosën kontrollet e kapitalit, që përkundër garancive të atëhershme, vazhdojnë edhe sot. Pasoja e të gjitha këtyre është, se pushteti dhe avantazhi i Ciprasit janë në rënie.

Në ofensivë

Në duelin televiziv të hënën në mbrëmje (14.09) Ciprasi doli në ofensivë dhe luajti me karatat më të vlefshme: duke theksuar se ai është koka e pakonsumuar në politikën greke. Sfidanti i tij në të kundërt përfaqëson një sistem politik, i cili që prej vitesh ka qenë në qeveri dhe ndaj nuk ka guximin të lajë hesapet me korrupsionin dhe implikimet e së shkuarës. "Cila parti i ka përvetësuar paratë e zeza të Siemensit? Cilat raste të spikatura të evazionit fiskal janë zbuluar në kohën e qeverisjes suaj?" kundërvihej Cipras plot zell për sulm.

Meimarakis e kujtoi atë për të ashtuquajturën lista Lagarde me emrat e mbi 2000 grekëve që kanë llogari bankare në Zvicër dhe që atëherë ajo si ministre e Financave në Francë ia pati dorëzuar homologut të saj në Athinë. "Me ndihmën e kësaj liste ne mundëm të tërheqim me vonesë tatimet në vlerën e 35 milionë Eurove. Ndërsa ju në të kundërt nuk keni nxjerrë asnjë mëkatar përpara përgjegjësisë", replikoi i indinjuar kreu i opozitës.

Griechenland - TV-Duell Tsipras gegen Meimarakis
Fotografi: Reuters/M. Karagiannis

Afrim lidhur me kursin e kursimeve

E vjetra kundër së resë, kjo është motoja e luftës elektorale. Në zgjedhjet e fundit para tetë muajsh gjithçka sillej rreth shifrave, afateve të pagesave dhe fjalës së urryer M: "Memorandumi i politikës së kursimeve". Me këtë nënkuptohej plani i kursimeve i përcaktuar prej kreditorëve, të cilin Ciprasi pas marrjes së postit e "grisi" dhe "me një ligj të vetëm" donte ta shufiqzonte. Për këtë sot nuk flitet më.

Megjithatë vijat e demarkacionit në politikën greke nuk janë majtas e djathtas, por mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të memorandumit. E nëse edhe të majtët nënshkruajnë një memorandum, ata mund të qeverisin bashkë me konservatorët, mendon kreu konservator i opozitës. Ciprasi kundërshton: "Vendi ynë ose do të ketë një qeveri progresiste, ose një qeveri konservatore", kështu deklaroi si në duelin televiziv. Një koalicion me bazë të gjerë me zotin Meimarakis do të ishte "i panatyrshëm" mendon Ciprasi dhe sjell si shembull ristrukturimin e borxhit grek që synon partia e tij: "Konservatorët thonë, se borxhet janë të qendrueshme. Por si do të kërkosh ti borxhe të reja të borxheve, kur ato janë të qendrueshme? E pra e shihni, që ka dallime thelbësore mes partive tona".

Provë për vallëzim dysh?

Shumë besojnë, se një refuzim i menduar seriozisht tingëllon krejt ndryshe. Panajotis Lafazanis, kryetar i partisë "Uniteti i popullit" e shkëputur prej Syrizas mendon madje, se dueli televiziv nuk ishte gjë tjetër veçse një "provë për një qeverisje të përbashkët", me konservatorët. Kundërshtarin e dikurshëm të kursimeve dhe ish-shokun e tij të idealit Lafazanis e ironizon duke e cilësuar si një shkelës të premtimit, dhe të "gjithë qeshin me këtë".

Analisti politik Pavlos Tsimas megjithatë nuk sheh se është i nevojshëm një koalicion i gjerë, sepse shumë parti të vogla do t'ia dalin të përfaqësohen në parlament e kësisoj mund t'i shërbejnë partive të mëdha si partnere të mundshme koalicioni. "Megjithatë duhet ta kemi të qartë, se pas zgjedhjeve do të kemi një qeveri koalicioni", i tha Cimas televizionit Skai. E rëndësishme është që është zbehur grindja për politikën e kursimeve. "Kundërshtarët ndërkohë mendojnë, se ky memorandum mundësisht duhet të zbatohet sa më shpejt dhe me vendosmëri. Përveç kësaj ata do të përpiqen këtu aty të sheshojnë diçka apo të rinegociojnë", thotë analisti.

A janë të mundshme ndryshimet? Në duelin televiziv Ciprasi shpreh bindjen, se marrëveshja me donatorët është "një organizëm i gjallë". Të hapura janë ende çështjet veçanërisht mbi reformën në tregun e punës, rithemelimin e fondit të privatizimit, hapjen e tregut të energjisë, anullimin e kredive të këqia në bankat greke dhe një rregullore e re për borxhet.