1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EULEKS-i do të nisë konsultime me policët serbë të larguar nga SHPK

Bekim Shehu17 Dhjetor 2008

Qëllimi është që komuniteti serb të përfshihet në institucionet kosovare dhe të bëhet pjesë e vendosjes së rendit dhe ligjit në territorin e Kosovës. Në këtë kuadër do të bisedohet edhe me policët serbë të Kosovës.

https://p.dw.com/p/GHwr
Policë të EULEKS-it në Prishtinë, nëntor 2008
Policë të EULEKS-it në Prishtinë, nëntor 2008Fotografi: AP

Qeveria e Kosovës dhe misioni evropian EULEKS do të bashkërëndojnë veprimet në mënyrë që në Kosovë të ketë respektim të rendit dhe ligjit. Në një takim të bordit kordinues për sundimin e ligjit në Kosovë, ku morën pjesë krerët e qeverisë dhe misionit EULEKS, u tha se ligji duhet të funksionojë të tërë territorin e Kosovës, ndërsa vëmendje e vecantë do t'i kushtohet veriut të vendit dhe çështjeve që kanë të bëjnë me serbët e Kosovës. Në këtë linjë EULEKS-i shumë shpejt do të fillojë konsultimet me policët serbë të larguar nga SHPK-ja, në mënyrë që ata t'i bashkohen kësaj strukture. Për këtë është e interesuar edhe qeveria e Kosovës, e cila megjithë mospjesëmarrjen e policëve serbë në shërbim i paguan ata tash e tetë muaj.

Ministri i rendit në qeverinë e Kosovës, Zenun Pajaziti, thotë se Prishtina zyrtare bashkë me EULEKS-in do t'i shtojnë angazhimet në mënyrë që policët serbë të jenë të inkuadruar rregullisht në punën e tyre. Qeveria pret reflektim pozitiv nga serbët, sepse në të kundërtën, policët serbë që nuk dëshirojnë të jenë pjesë e institucioneve kosovare nuk do të paguhen më nga qeveria e Kosovës.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, thonë se policët serbë mund t'i bashkohen shërbimit policor të Kosovës, por vetëm nën komandën e policëve ndërkombëtarë. Ata madje kërkojnë që në vendbanimet serbe të shtohet numri i stacioneve policore dhe të mos ketë pasoja për policët serbë, të cilët pas shpalljes së pavarësisë nuk pranuan të bashkëpunojnë me kolegët e tyre shqiptarë.

Mirëpo, problemet me serbët e Kosovës janë të shumta sidomos në veri të vendit. Telashet e para pas vendosjes së misionit EULEKS u shënuan me hekurudhat e Kosovës. Një tren i linjës së shpejtë hyri në fundjavë në territorin e Kosovës nga Serbia, pa asnjë marrëveshje me autoritet e këtushme. Kjo ngjalli reagime në Prishtinë dhe në misionet ndërkombëtare, UNMIK dhe EULEKS. Zyrtarët ndërkombëtarë thanë se ata nuk janë pyetur fare nga Beogradi dhe u vjen keq që kjo ka ndodhur, mirëpo, nuk paralajmëruan masa. Qeveria e Kosovës këtë veprim te Beogradit e cilësoi cënim të sovranitetit të Kosovës.

Mirëpo, ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç ka deklaruar per mediat ne Serbi se autoritetet e Beogradit nuk kanë nevojë të pyesin askënd për hyrjen e trenave serbë në krahinën jugore të Serbisë "Kosovë". Sidoqoftë, zyrtarët e EULEKS-it kanë shtuar praninë e tyre në dy pikat doganore veriore të Kosovës me Serbisë. Të mërkurën EULEKS-i, vendosi disa kontenierë të rinj në këto dy pika doganore, pasi ato ishin djegur menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Të gjitha mallrat që hyjnë nga Serbia në Kosovë tash e tutje do t'i nënshtrohen procesit të zhdoganimit, sepse ka tetë muaj që buxheti i Kosovës po humb me miliona euro nga mosfunksionimi i doganave në veri të Kosoves.


(AUD)