1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Euro-Grupi shqetësohet për Spanjën

13 Mars 2012

Zgjati disa muaj, mirëpo tani paketa e re e ndihmës për Greqinë është gati. Megjithatë, eurozona ka një shqetësim të madh të ri: Spanjën. Madridi duhet të kursejë edhe më shumë për të kontrolluar deficitin.

https://p.dw.com/p/14Jp9
Spanja: shqetësimi i ri. Luis de Guindos, ministri i Ekonomisë i Spanjës dhe Jean-Claude Juncker
Spanja: shqetësimi i ri. Luis de Guindos, ministri i Ekonomisë i Spanjës dhe Jean-Claude JunckerFotografi: Reuters

Te Ministrat e Financave të eurozonës po përhapet njëfarë shtendosjeje. Rasti aktual i krizës, Greqia, duket të jetë zgjidhur, së paku hë për hë. Kushtet për miratimin e paketës së dytë të ndihmës janë përmbushur, tha shefi i eurogrupit Jean-Claude Juncker të hënën paradite (12.3.) gjatë mbërritjes së tij në Bruksel. "Nuk ka asnjë dyshim, që programi i dytë i ndihmës për Greqinë do të miratohet dhe do të niset."

Megjithatë, vendimi përfundimtar do të merret të mërkurën (14.3.), theksoi Juncker. 

Më shumë se 100 miliardë euro planifikohet t'i falen Greqisë. Ndër parakushtet për paketën e ndihmës bën pjesë një heqje dorë në masë të madhe prej kërkesës për kthimin e huave nga ana e sektorit privat. Me sa duket ajo i kapërcen të gjitha pritjet: Në sajë të këtij veprimi Greqia synohet të mbërrijë deri të 2020-n në një nivel huash prej 117 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Deri tani ishte bërë fjalë për 120,5 për qind.

Sipas Ministrit të Financave, Evangelos Venizelos, ndërkohë në aksion po marrin pjesë 96 për qind e kredidhënësve. Kjo është (sipas tij) një histori suksesi. Tani prej, që edhe 4 për qind që mbeten, të shprehen të gatshëm për heqjen dorë prej kërkesave për kthimin e huave. "Jam shumë optimist, se do të ketë një pjesëmarrje të pandërprerë të sektorit privat dhe natyrisht një kthim të Greqisë te rritja ekonomike."

Ministrat e Financave të Eurozonës
Ministrat e Financave të EurozonësFotografi: Reuters

Eurogrupi kërkon ulje deficiti nga Spanja

Deri në rimëkëmbjen ekonomike të Greqisë, mbetet me siguri të përshkohet një udhë e gjatë. Deri atëherë eurozona duket të ketë një vend tjetër problem: Spanjën. Vitin e kaluar ky vend pati një deficit të madh prej 8,5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Për sivjet, Komisioni Evropian i kishte ngarkuar Spanjës realizimin e një deficiti prej 4,4 për qind, mirëpo qeveria në Madrid pret realisht 5,8 për qind. Megjithatë, këtë nuk donin ta pranonin as Komisioni Evropian e as Komisari i BE-së për monedhën Olli Rehn në konferencën për shtyp të hënën (12.3.) në mbrëmje vonë. "Qëndrimi i eurogrupit, të cilin e ndan tërësisht Komisioni, është që qeveria spanjolle të shkojë 0,5 për qind përtej korrigjimit të paralajmëruar të deficitit të tepruar."

Megjithatë, objektivi i ri do të thotë natyrisht njëfarë zemërgjerësie. Në fillim të takimit Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble pati sinjalizuar, se një gjë e tillë ishte edhe e përligjur. Spanja nuk do të kthehet në një Greqi të re, tha ai. "Greqia është vërtet një histori krejt e veçantë. Këtë e kemi parë intensivisht dy vitet e fundit. Spanja ka bërë përparime të mëdha. Në të njëjtën mënyrë e shohin këtë edhe tregjet financiare. Natyrisht, të gjithë gjendemi ende në një rrugë të vështirë. Megjithatë, përvoja dhe zhvillimet e javëve dhe muajve të fundit tregojnë që jemi në udhë të mbarë, dhe të gjithë jemi të vendosur, ta vazhdojmë pikërisht këtë rrugë me sukses."

Autor: Christoph Hasselbach/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi