1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Euro prioritet i Hungarisë, ndonëse ajo vet nuk është në eurozonë

1 Janar 2011

Nga 1 janari 2011Hungaria pason prej Belgjikës presidencën e radhës të BE-së. Edhe pse kriza e euros pritet të vazhdojë të mbetet tema kryesore, Hungaria synon të vendosë thekset e veta.

https://p.dw.com/p/zoH9
Me 2003 Hungaria e tha po BE-së, tani e kryeson atë!Fotografi: AP

Belgët e filluan dhe përfunduan presidencën e tyre të BE-së pa qeveri të re. Për shkak të përçarjeve të thella mes flamandëve dhe valonëve, që prej zgjedhjeve qershorin e kaluar, nuk u arrit krijimi i një qeverie të re, dhe kështu qeveria e vjetër vazhdoi të kryente funksionet drejtuese. Por ajo i kreu pa zhurmë dhe në mënyrë profesionale detyrat e saj. Edhe falë ndërmjetësimit të saj u arrit, që në fund të këtij viti të vendoseshin bazat për një mbikqyrje më të rreptë financiare në BE dhe një mekanizëm të përhershëm për shpëtimin e euros. Veç kësaj ka filluar nga puna Shërbimi i Jashtëm Evropian. Ministri i Jashtëm belg Steven Vanackere, i dorëzon megjithatë pasuesit të tij në detyrë dhe gjithë BE-së mjaft punë.

Dy dobësitë e mëdha të BE-së

„Kemi dy dobësi të mëdha në Bashkimin Evropian, me qeverisjen ekonomike dhe Shërbimin Diplomatik Evropian. Pyetja se në ç'masë arrihen përmirësime në këto dy fusha, është vendimtare për të ardhmen e Unionit dhe vendeve anëtare“, thotë Vanackere.

Politiker Janos Martonyi
Janos MartonyiFotografi: AP

Homologu i tij hungarez Janos Martonyi shprehet me tone modeste. Programin e punës së presidencës hungareze ai e sheh të përcaktuar në masë të madhe nga kriza e euros.

„Mendoj se tani asgjë nuk është më e rëndësishme se sa qetësimi i tregjeve dhe lënia pas e krizës“, pohon Martonyi.

Prioritetet e Hungarisë

Hungaria duhet të vazhdojë të përpiqet për të ashtuquajturën qeverisje ekonomike evropiane, që do të thotë për një harmonizimin sa më të mirë të politikës ekonomiko-financiare të vende të eurozonës. Vetë Hungaria nuk bën pjesë në eurozonë dhe ka problemet e veta të mëdha buxhetore dhe ekonomike. Enikö Györi, sekretarja hungareze e shtetit për çështjet evropiane, konstaton madje një ftohje të hungarezëve me BE-në: "Sondazhet nuk janë shumë shpresëdhënëse. Njerëzit në Hungari qysh prej anëtarësimit e kanë humbur entuziasmin për BE-në. Pra ka ardhur koha që kjo të ndryshojë. Hungarezët duhet të ndiejnë që kanë të bëjnë me presidencën e BE-së."

Kriza e euros shtynë projektet tjera

Qeveria hungareze e ka të qartë, se për shkak të krizës së euros, shumë prej projekteve të saj fillestare duhet të presin: siguria energjetike, partneriteti në Lindje dhe afrimi i Ballkanit. Por ministri i Jashtëm hungarez Martonyi, thekson para së gjithash një projekt, nga i cili qeveria e tij në asnjë mënyrë nuk mund të heqë dorë: një plan zhvillimi për të gjithë zonën e Danubit.

Passau Fluss-Kreuzschifffahrt auf der Donau
Danubi ka prioritet!Fotografi: dpa

„Strategjia e Danubit është shumë komplekse: ajo përmbledh çështje të mbrojtjes së mjedisit, çështje të transportit, infrastrukturës dhe turizmit. Por ajo përmban edhe aspekte të kulturës, trashëgimisë kulturore, identitetit të Evropës Qendrore dhe të Evropës në përgjithësi", shpjegon Martonyi.

Në të vërtetë nga hungarezët dëgjon shumë për historinë dhe identitetin, për identitetin evropianoqendror. Vendi i tij dhe një rajon i tërë janë zhvendosur nga skaji i Evropës në qendër, thekson Martonyi. Hungarezët ndiejnë obligimin t'ia tregojnë këtë pjesës tjetër të Evropës.

Autor: Christoph Hasselbach/Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani