1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Shqipëri - Flet për DW eurodeputeti Knut Fleckenstein

Ani Ruci20 Qershor 2013

Knut Fleckenstein: Nëse drejtuesit politikë të Shqipërisë dështojnë ta kryejnë me përgjegjësi procesin elektoral të 23 qershorit ata do të ndëshkohen nga vetë qytetarët e tyre.

https://p.dw.com/p/18tWW
Fotografi: DW/S. Padori-Klenke

DW: Z. Knut Fleckenstein, Shqipëria, këtë të dielë, më 23 qershor shkon në zgjedhjet parlamentare të rradhës. Cilat janë pritshmëritë e Parlamentit Europian nga këto zgjedhje?

Knut Fleckenstein: Të gjithë anëtarët e Parlamentit, pavarësisht nga grupet politike ku bëjnë pjesë, presin nga Shqipëria që zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit të jenë të lira dhe të ndershme. Kjo do të thotë që asnjë parti politike, asnjë qytetar i Shqipërisë të mos ta gjejë veten në një situatë ku të ketë arësye për të dyshuar për këto cilësi të zhvillimit të zgjedhjeve.

Si do ta përshkruanit Ju fushatën elektorale për këto zgjedhje?

Përshtypja ime është ajo e një fushate shumë të tensionuar. Kur isha në prill në Shqipëri, dukej sikur fushata kishte filluar tanimë kohë më parë. Gjithësesi, fushata zyrtare filloi shumë më vonë. Shokuese, shumë e habitshme për një vëzhgues që vjen nga jashtë Shqipërisë është polarizimi ekstrem i debatit politik. Deri në një farë shkalle, ky është qartë efekti i një fushate elektorale, ku kandidatët janë në konkurrencë për vëmendjen e medias, popullaritet dhe në fund të fundit për votat. Në rastin e Shqipërisë, gjithësesi, kjo tendencë është shumë më e theksuar se në vende të tjera europiane. Kjo e bën më të vështirë për kandidatët që fitojnë zgjedhjet, që më pas të pranohen si përfaqësues të gjithë vendit.

Çfarë do të thotë për Ju detyrimi i kanaleve private televizive në Shqipëri për të transmetuar video për aktivitetet e përditshme elektorale, të përgatitura paraprakisht në selitë e tyre? Çfarë vë në rrezik kjo praktikë që po përsëritet nga një process elektoral në tjetrin, në një vend si Shqipëria që aspiron të hyjë në BE?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë një vendim shumë kontravers, duke I detyruar stacionet televizive të transmetojnë video për aktivitete gjatë fushatës elektorale, të prodhuara krejtësisht nga vetë partitë. Reklamat televizive për një parti të caktuar dhe aktivitetet e fushatës elektorale të partive duhet të jenë qartësisht të dallueshme. Të parat janë reklama, të dytat janë raportim gazetaresk. Me vendimin e tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka prekur seriozisht lirinë e medias në Shqipëri.

Le të ndalemi tek çështja e nxehtë e KQZ-së: A është ai një institucion legjitim, i aftë të çertifikojë fituesin e zgjedhjeve që do të zhvillohen këtë të dielë? A mund të shpallë ky komision rezultatin me një vendim që nuk mund të merret me një shumicë të kualifikuar prej pesë votash, si thotë ligji?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një institucion që ka legjitimitetin për të çertifikuar rezultatet e zgjedhjeve. Prandaj është një papërgjegjshmëri e lartë që partitë pjesëmarrëse në këto zgjedhje kanë pranuar ta dobësojnë këtë institucion në një mënyrë që KQZ-ja nuk është më e aftë të kryejë funksionet e vet. Kjo situatë ka ngjallur shqetësim të madh tek partnerët e Shqipërisë në Bashkimin Europian, vecanërisht në Parlamentin Europian. Qeveria e Shqipërisë veproi në mënyrë të papërgjegjshme kur rrëzoi një anëtar të KQZ-së. Ky veprim është në kontradiktë me ambicien e deklaruar të saj për të qenë përsëri në pushtet dhe për të arritur progres në objektivat europiane të Shqipërisë.

A është kriza në KQZ një faktor që mund ta ulë besimin dhe mirëbesimin e votuesve tek një rezultat i pakontestuar i këtyre zgjedhjeve?

Absolutisht, po! Një administratë zgjedhore mirë- funsksionuese është është shtylla kurrizore e besimit të votuesve në gjithë procesin zgjedhor. Partitë në zgjedhje janë konkurrente. Prandaj duhet një administratë zgjedhore e pavarur, e besueshme dhe efikase që të sigurojë që të gjitha partitë pjesëmarrëse në garë të zbatojnë të njëjta regulla loje. Përndryshe si munden qytetarët ta besojnë rezultatin e zgjedhjeve, nëse ata nuk mund të besojnë në ndershmërinë e gjithë procesit zgjedhor?

A ka një rrezik potencial që humbësi i këtyre zgjedhjeve, cilido qoftë koalicioni i djathtë apo i majtë, të kundërshtojë rezultatin e zgjedhjeve, fitimtarin, për shkak të situatës në KQZ, nëse ajo nuk do të zgjidhet, në dy ditët që kanë mbetur nga 23 qershori?

Për fat të keq Shqipëria ka një histori zgjedhjesh të kontestuara. Dukej sikur me legjislacionin e ri zgjedhor që u adoptua, zgjedhjet e kontestuara do të mbeteshin në të shkuarën. Shqipëria dukej se qëndonte në shinën e duhur drejt më shumë stabiliteti politik. Ja, pse Komisioni Europian rekomandoi që t'i jepet Shqipërisë statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse nuk ishin të kryera plotësisht të gjitha reformat e nevojshme. Komisioni rekomandoi vendosjen e një kushti kryesor dhe Këshilli Europian e konfirmoi këtë kusht: Shqipëria duhet të dëshmojë pjekurinë e saj politike duke mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është shumë zhgënjyese për partnerët e Shqipërisë në BE, që partitë politike e kanë vënë në rrezik në mënyrë të panevojshme këtë test të rëndësishmëm lakmusi për Shqipërinë.

A ka fuqi misioni vëzhguesve ndërkombëtar i OSBE/ODIHR-it, BE, Parlamenti Europian dhe në përgjithësi faktori ndërkombëtar t'i bindin drejtuesit politikë të Shqipërisë të gjejnë një formulë të pranueshme nga të dyja palët për t' i dhënë fund krizës në KQZ?

Dëshiroj që kjo të ndodhë, të mundnim t'i bindnim të gjithë drejtuesit politikë të Shqipërisë – pavarësisht se ku janë të vendosur në spektrin politik - që të tregojnë një interes të jashtëzakonshëm në gjetjen e një kompromisi që të zgjidhë krizën në KQZ.

Në fund të fundit, nëse udhëheqësit politikë të Shqipërisë dështojnë ta kryejnë me përgjegjësi procesin elektoral të 23 qershorit ata do të ndëshkohen nga vetë qytetarët e tyre.

Grupi im politik në Parlamentin Europian është shumë mbështetës ndaj Shqipërisë në vazhdimin e procesit të integrimit europian. Ne do të donim që Shqipërisë t' i njihet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Është zhgënjyese për ne të shohim se pavarësisht nga përpjekjet tona ky qëllim mund të mos arrihet. Unë i kam bërë thirrrje vazhdimisht BE-së të mbështesë më fuqimisht Shqipërinë. Por kjo bëhet një detyrë gjithmonë dhe më e vështirë nëse drejtuesit politikë të Shqipërisë nuk realizojnë gjithë sa u premtojnë qytetarëve shqiptarë. Ata që besojnë në të ardhmen politike të Shqipërisë në BE, duhet të sigurojnë që këto zgjedhje do të jenë të lira dhe të ndershme dhe do të njihen si të tilla nga gjithë partitë politike pjesëmarrëse dhe nga votuesit e tyre.

Shënim: Knut Fleckenstein është social- demokrat gjerman, anëtar i Parlamentit Europian nga Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, anëtar i Komitetit të PE për cështjet e jashtme dhe aktiv në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri.

: