1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Berlini - metafora e Europës

29 Prill 2017

Nga Berlini priten gjëra të mëdha: Mbrojtja e lirisë dhe kreativitetit, toleranca ndaj tjetrit, aftësimi për të pranuar të huajën. Por qyteti kërkon ende vetveten mendon Carmen-Francesca Banciu.

https://p.dw.com/p/2c61V
Carmen-Francesca Banciu, Autorin
Fotografi: Marijuana Gheorghiu

Lidhja me Berlinin ka qenë një dashuri me shikim të dytë, sepse kisha frikë nga ky qytet. Kisha ardhur vetëm për një vit me bursë, e pas kësaj doja të vazhdoja drejt Parisit. Në marsin e vitit 1990, Berlini ishte ende i ndarë, një ishull në detin e RDGJ-së që po shpërbëhej. Por fryma e kësaj epoke ndjehej gjithkund dhe më bënte të dridhesha.

Në fillim isha si e ngrirë dhe nuk mund të vendosja dot marrëdhënie me qytetin. E ndjeja plagën e hapur në Checkpoint Charlie, ushtari rus dhe ai amerikan, që kontrollonin kalimin në sektorin tjetër nuk ishin bërë ende rekuizita të industrisë së turizmit. Pikërisht në këtë vend munda ta shihja, ta përjetoja dhe kuptoja epokën e Murit të Berlinit dhe të ndjeja mirënjohjen, se ky mur nuk kishte më pushtet mbi mua.

Vorbulla e historisë

Berlini nuk ishte ende Berlin kur erdha unë. Tek Checkpoint Charlie mund t'i dalloje mirë dy botët, dy sisteme politike, dy mënyra jetese, dy mentalitete. Aty përplaseshin Perëndimi dhe Lindja. E në një të ardhme të afërt ato duhej jo vetëm të kuptoheshim me njëra-tjetrën, por të bënin më të mirën. Të bëheshin bashkë. Një. Ka qenë një privilegj që si autore të vëzhgoja se si po lindte bota e re, një privilegj jo vetëm të shihje, por edhe edhe të gjeje fjalët e duhura për këtë, fjalët e një gjuhe të re.

Nuk isha e para që e kisha kuptuar këtë, e përthithur nga vorbulla e këtyre ndryshimeve, e rilindjes së Berlinit, një qyteti të ri botëror. Nuk isha e vetmja që doja të merrja pjesë në këtë formësim. Sapo u hapën kufijtë, Berlini u kthye në një qytet të hapur, ofroi një hapësirë e frymë të re për eksperimente dhe qira të leverdishme. Ky qytet ofroi zemrën e hapur për larminë, për ata që ishin ndryshe, për ata që nuk donin të ishin konformistë, për individualitetin.  Një Laissez faire – lëre të rrjedhë, një osmozë mes ishullorëve dhe të ardhurve, sepse edhe Berlini lindor në vetvete ishte një ishull. Madje edhe ne Kreuzberg, ku dëgjoje më shumë turqisht e ndjeje lirinë dhe lidhjen më këtë qytet në ardhje e sipër.

Ndryshimi i qytetit

Pak pas bashkimit, Berlini kërcënonte të mbytej nën peshën e historisë dhe kishte nevojë për një fllad tjetër për shërim. Artistë, shpikës, kurajozë, kokëkrisur, njerëz me frymë krijuese të të gjitha llojeve i trazuan energjitë e qytetit. Në pjesën lindore kaloi një furtunë e vërtetë, madje disa gjëra duhej të shpikeshin nga e para: Lindën forma të reja komunikimi artistik mes individit dhe qytetit, mes artistit dhe qytetit. Forma të pazakonta të performancës artistike dhe vendeve ku ofrohej kulturë. Artistët, muzikantët, dizajnerët, arkitektët e shndërruan Berlinin, e bënë më dinamik, modern, hip. Shpesh me pak para, por me shumë fantazi. E sapo krijohej një lagje e re, ndryshonte jeta – çmimet e qirave rriteshin duke nxjerrë jashtë shpirtrat krijues. Prenzlauerberg, Kreuzberg, pjesë të Neuköllnit - nuk përballohen dot më nga berlinezët me rrogë normale. Shpirtrat krijues po largohen gjithnjë e më shumë në periferi apo jashtë qytetit. Por ata janë frymëmarrja e një qyteti, pa ta qytetet vyshken.

Edukimi i shumëgjuhësisë

Berlini është qyteti i Startups. Shumë firma ndërkombëtare, shtëpi botuese apo universitete janë themeluar apo janë zhvendosur në këtë qytet. Berlini është tani një metropol, ku anglishtja është lingua franca, gjuhë e zakonshme komunikimi. Por ka një nevojë gjithnjë e më të madhe për shumëgjuhësi, kjo është fryma e re e kohës, por një aspekt i pakuptuar ende si duhet nga institucionet e organizatorët e financuar nga bashkia. Krahas respektit dhe kujdesit për gjuhën e kulturën e vendit, në kohët e globalizimit është me rëndësi të veçantë edukimi me shumëgjuhësinë, një nga detyrat e rëndësishme të shkollave, e institucioneve të kulturës.

Një qytet me qëllime

Në Berlin e kupton se marshimi i anglishtes jo vetëm si gjuhë e teknikës dhe muzikës nuk mund të ndalet më. Kush nuk e kupton këtë, nuk mëson të veprojë në mënyrë kreative me të, si një balancim mes vetjakes dhe të huajës, e rrëzon Berlinin nga skena e re ku është ngjitur dhe e rikthen në provincialitet.

Berlini është metaforë e kohës sonë. Përmes shkrirjes në një të Lindjes e Perëndimit në mesin e Europës ky qytet ka qëllime të mëdha: Dhe bota ndaj tij pritshmëri të mëdha: Mbrojtjen e lirisë, e energjive kreative, pranueshmërinë për tjetrin, tolerancën, zemërgjerësinë, aftësinë për të nxitur paqen e ndërmjetësimin –dhe një qëndrim të prerë ndaj diktaturave, qofshin politike apo fetare.

Berlini ende nuk është bërë Berlin, por ecën përpara përditë nga pak. Me secilin që vjen, e që ndjehet i pranuar dhe që dëshiron të lerë gjurmët e tij në këtë qytet. Berlini është në ardhje e sipër. Mirë kështu!

 

 

Carmen-Francesca Banciu është shkrimtare gjermano-rumune, dhe docente për shkrimin kreativ, po ashtu zëvendëskryeredaktore e revistës Levure Litteraire.