1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Europa e bashkuar „First“

4 Qershor 2017

Nuk është ndonjë arritje e madhe, të ndjehesh moralisht më lart përballë Trumpit. Por Europa duhet të sqarojë njëherë mirë me veten, se çfarë vlerash kërkon të mbrojë, shkruan në serinë "Europa ime", Jagoda Marinic.

https://p.dw.com/p/2e4qs
Jagoda Marinic Autorin
Fotografi: D. Piroelle

Trump doli para shtypit botëror këtë javë dhe bëri të ditur pak a shumë kështu: Unë do të vazhdoj të jap kontributin tim për të shkatërruar botën. Marrëveshja me klimën është për SHBA një "deal” - ujdi e keqe. Regjisori Michael Moore shkroi në Twitter pas kësaj: "Trump sapo ka kryer një krim kundër njerëzimit." Le të kujtojmë kohën e fushatës zgjedhore "Trump kundër Clintonit”- Filozofi slloven, Slavoj Zizek shkaktoi valë zemërimi në Europë, kur ai dha një rekomandim zgjedhor për Donald Trump. Ky sigurisht nuk ishte menduar si kompliment. Në këtë rekomandim luhatej një shpresë: ajo që qytetarët demokratë me një president si Trump do të zgjoheshin më në fund. Ndërkohë që Hillary Clinton është mësuar të lajë pisllëqet e politikës me sapunin e zakonshëm, Trump e nxjerr zbuluar sistemin e korruptuar të ekonomisë. Parimisht Zizek mendonte: me një njeri si Trumpi, revolucioni është më afër.

Por Trump është edhe më keq se sistemi i korruptuar, që ai përfaqëson. Në konferencën e shtypit të enjten (01.06) pamja e zakonshme: Trump doli para mikrofonit si zakonisht thellësisht i prekur nga vetja dhe qenia si president, dhe bëri të ditur daljen nga Marrëveshja e Klimës për të mirën e SHBA-së. Në universin e Trumpit edhe klima ndahet në shtete kombëtare.

Të luash golf në akull

Do të jetojnë njerëzit, për të cilët ai kujdeset në këtë mënyrë në një kupolë që mbulon SHBA-në e i shpëton ata nga ndryshimet e klimës? Si funksionon nacionalizmi në sferën biologjike? Do të dalin njerëzit në rrugë, ashtu si mendonte Zizek? Do të ketë një marsh të dytë, "March on Washington"? Presidenca e Trumpit është një tratativë e vazhdueshme negociimi. Tani ajo po e çon atë drejt izolimit, sepse SHBA e ndajnë këtë fat me Sirinë dhe Nikaraguan.

Në samitin e G7-s u bë i qartë stili i tij politik. Trump luan me dëshirë golf me botën, por jo në bar po në akull. Askush nuk e di më si ta gjuajë topin për të goditur në shenjë. Në rast dyshimi Trumpi rrëshqet vetë. Të pozicionohesh kundrejt kësaj fuqie botërore tani do të thotë të trondisësh themelet e botës.

Kancelarja Merkel u përpoq pas G7-s të kundërshtonte izolacionizmin. Europa nuk do të jetë partneri më i dobët. Që nga G7-a bëhet e qartë, se pse një pjesë e shtypit anglo-sakson e cilësoi Merkelin lideren e botës së lirë. Merkel e kritikoi Trumpin si Michelle Obama: pa e përmendur me emër. Pak më vonë ajo u takua me krerët e Indisë dhe Kinës. Kjo duhet përtypur njëherë: për të mbrojtur botën perëndimore, kemi nevojë për aleanca të tjera me Kinën. Tani na mungoka vetëm Rusia. Falë Trumpit, BE-ja do të luftojë me Kinën për tregtinë e lirë botërore.

Europa duhet të tregojë pjekuri

Kemi të bëjmë me një rend botëror të pasigurtë - dhe një botë që të bën të pasigurtë. Europa duhet tani të tregojë pjekuri edhe në një kohë, kur po kalon krizën më të madhe - sepse pikërisht tani që në arenën ndërkombëtare po lidhen aleanca të reja, krizat brenda unionit nuk janë zgjidhur. Jugu europian i dobësuar nga kriza vazhdon të mbesë prapa. Edhe ata që kërkojnë ndihmë para dyerve të Europës i shtrojnë pyetje Europës që ngre lart vlerat humane, por që nuk kanë marrë përgjigje nga BE. Nuk është ndonjë arritje e madhe të ndjehesh moralisht më lart se Donald Trump. T'i dalësh ballë një presidenti të tillë të dobët duket më e lehtë se mendohej - Mungesa e besueshmërisë së Trumpit rrit interesin ndaj Europës në rajone të tjera të botës. Edhe akuza se BE nuk merr përgjegjësi në politikën botërore mund të marrë fund shpejt.

Por një gjë nuk duhet të harrojë BE: Ajo mund të jetë një partner i fortë në botën e jashtme, nëse është e tillë edhe brenda. Kundërshtitë brenda Europës nuk janë sqaruar ende. Roli gjerman po ashtu. Nëse Merkeli është liderja e botës së lirë, çfarë duhet të bëjë pjesa tjetër e botës - të vazhdojë të ndjekë atë? Merkel ka ca probleme të pazgjidhura në shtëpinë e ve. Nëse Trump heq dorë nga klima, prodhuesit gjermanë të automobilëve si Vokswagen në SHBA akuzohen për skandalin e manipulimit të gazrave ndotës. Gjermania i blen rregullisht vlerat e CO2-it. Mbrojtja e mjedisit është një virtyt verbal me të cilën krenohen në Gjermani, por që jo gjithmonë duan të paguajnë për të.

Boshllëku që lë Trumpi

Merkel po e rigjen veten në këtë fushatë zgjedhore. Skena botërore duket se është si e bërë për të, por në shtëpinë e vet, - e shtëpia e saj është edhe Europa ajo kursen deri në asfiksim. Në Greqi duhet të shkurtohen sërish pensionet. Niveli i pensioneve të gjermanëve është për të ardhur turp, po të marrësh parasysh pasurinë e këtij vendi, hendeku mes të pasurve dhe të varfërve, veriut dhe jugut rritet.

Këtë javë ishte Bernie Sanders i ftuar në Berlin, një njeri me zemër të majtë, besushmërinë e të cilit nuk e arrin dot Martin Schulzi. E majta është aty, ku qëndrojnë ata njerëz, që sipas Zizek, duhet të lëvizin nga vendi, nëse tek Trumpi shohin sistemin e personifikuar. „Nuk duhet të pranojmë më pangopshmërinë e miliarderëve", tha Sanders në Berlin. Por aktualisht ne pranojmë që ata të kapin majat e pushtetit dhe madje ta mbajnë atë. Nëse BE dëshiron të mbushë boshllëkun që lë Trumpi, atëherë ne europianët duhet më në fund të bëjmë të qartë - se cilën Europë duhet të përfaqësojë nga jashtë BE, e se për cilat vlera flet vërtet kjo bashkësi.

Jagoda Marinic është një shkrimtare gjermano-kroate, autore e teatrit dhe gazetare. Prindërit e saj kanë ardhur si emigrantë kroatë në Gjermani. Aktualisht ajo jeton në Heidelberg. Së fundmi u botuar romani i saj, „Made in Germany – çfarë është gjermane në Gjermani?"