1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Kori operistik

Adriana Altaras
20 Nëntor 2016

Adriana Altaras, regjisore teatri, tërhoqi vëmendjen me inskenimin e „Monologëve të vaginës“. Për Deutsche Wellen ajo shkruan për korin si trupë multukulturore europiane, me tekat por edhe mrekullinë e saj artistike.

https://p.dw.com/p/2SwfG
Deutschland Adriana Altaras
Fotografi: picture alliance/dpa/E. Elsner

Opera shihet si një formë konservatore e artit, madje në një masë ajo është e tillë. Vepra të kohëve të shkuara luhen sërish pjesërisht me besnikëri, muzika dhe kompozitorët e para qindra viteve nderohen, pavarësisht nëse u ka kaluar koha apo janë të mërzitshëm. Përveç kësaj me operën duhet të mësohesh, për shembull që të durosh kur në opera këndohet aq gjatë në një moment të vdekjes. Por shpesh opera është e mrekullueshme. Vënia në skenë - moderne, përmbajtjet - aktuale, muzika, solistët, kori mund të të ngrenë lart nga një e përditshme gri.

Por shumë pak vetë e dinë se në opera, veçanërisht pas një kori operistik fshihet një asambël ndërkombëtar. Që aty ka ndodhur migrimi është normalitet.  Shpesh më pyesin: Çfarë bën me korin ti? Sa vetë janë, 40, 60 apo 80 vetë? Kor ekstra? Nuk të kam zili, puna me korin është e vvshtirë …

Artistë nga Europa lindore

Këngëtarët quhen Vesela, Borjana, Vilislava, ndërsa ata Nasko, Vesko, Gjury. Edhe disa me emrin Kim i gjen, natyrisht. Ata vijnë nga Bullgaria, Maqedonia, e tij vende që për një kohë të gjatë nuk ishin autonome dhe lidheshin me emrin Ballkan. Ndërkohë ata jetojnë në Gjermani,  Austri,  Zvicër, kanë kontrata të rregullta pune, ngasin makina të shtrenjta dhe janë pjesë e korit të teatrit të qytetit, ku unë vë në skenë pjesët e mia. Kori është element i rrallë në teatrin klasik, përjashto këtu tragjeditë greke, megjithatë kori është një element tipik i operës, dhe si regjisore ndeshem me të pikërisht në opera.

Tekat e dashuria

A është kori një trupë uniforme? Një bllok i veshur njësoj,  i maskuar njësoj, me të njëjtin ritëm? Apo i individualizuar? Por si mund ta kontrollosh secilin? Thuhet se mund të perceptohen vetëm 7 vetë ashtu si duhet:  Por çfarë ndodh me 50 të tjerët ndërkohë?  Sot pas 10 vitesh përvojë regjie në opera ende  provave të korit ndjehem sikur mbi trupin tim ka kaluar një traktor, nga ata të mëdhenjtë, të kuq, kolkozë.  Veshët buçasin, brenda meje kam një ndjesi se nuk dua të takoj kurrë më njerëz. Sepse është një trupë që shfaqet njëherësh në prova, që përdor çdo sekondë për të biseduar me këngëtarin përbri, që pas një ore e tridhjetë minuta bën pushim. Një trupë që nuk ngjit shkallët për shkak të gjurit, nuk lejon duhanin për shkak të zërit, nuk duron dot erën , me të cilën sprucohen perdet për t'u mbrojtur nga zjarri. Mantelet e provave nuk vishen se kundërmojnë lagështi, këpucët jo, se të vrasin, dhe emergjenca e plotë shfaqet, kur një mbrëmje më parë është vënë në skenë Wagner-i. Pas kësaj shfaqjeje, ata nuk i ke më për gjë. Parimisht pas tre orësh është fundi i provave, si në Gjermani, Zvicër apo Austri. Vetëm pas kësaj kjo trupë gjallërohet, të gjithë kërcejnë dhe vrapojnë si të punonin tek import-eksporti.

Por megjithëkëto – unë jam e dashuruar me këtë kor, gëzohem kur i shoh këta këngëtarë,  këtë trupë individualistësh, të detyruar të këndojnë bashkë një jetë të tërë. Në disa opera e teatro qytetsh shumica e këngëtarëve vijnë nga Ukraina apo Polonia. Në disa të tjera shumicën e përbëjnë ata nga Bullgaria apo Çekia, sikur i pari të ketë marrë të gjithë fshatin me vete. Më ndodh të flas serbisht apo kroatisht, kur nuk më kuptojnë gjermanisht.

Mësoju emrat përmendësh

Në provën e parë paraqes konceptin artistik: Asnjë buzëqeshje, asnjë reagim, asnjë shenjë jete. Jam mësuar të mos bëhem e pasigurtë nga kjo, unë marr frymë dhe buzëqesh për ta. Ndjek me vëmendje këshillën e një miku regjisor: Mësoju emrat përmendësh! Ju drejtohem me ju, por ua di emrat, di nga cili fshat vijnë, kush përgatit proshutë vetë, kush bën raki në qilare. Ende nuk është harruar rakia e Miriamit, e sjellë nga Shqipëria, ende janë në mendje salçiçet e Pavelit, të varura në Drezden për t'u tharë.

Ka edhe një grup koreanësh. Asnjëherë nuk do ta kuptoj si arrijnë ata të krijojnë lidhje me humorin tim, kur edhe unë vetë vij nga "larg” nga hapësira e Ballkanit, ndërsa socializimi i tyre ka ndodhur mijëra kilometra larg. 

Çdo anëtar i korit ka biografinë dhe tekat e tij. E mrekullueshme! Ata nuk janë perfekt, si aktorët e rinj: Të hollë, të bukur, dhe pak provokues. Jo, këtu gjen kolosë, fytyra, tipare, karaktere. Shumë të shkurtër, shumë të gjatë, shpesh me mbipeshë. Të gjithë kanë kënduar "Carmen” së paku katër herë, e njohin lëndën shumë më mirë se unë, e duan të më testojnë. Tani. Garë pa dorashka! Më duhet t'i bind, të provoj idetë e mia.

„Sasko, mund të vallëzosh me grupin për dasëm e Mottl dhe Zeitl, merre Milenën dhe një shami dore…" Kur ngre sytë, shoh në skenë kërcimin më të mrekullueshëm ballkanik të dasmës, që ka pasur ndonjëherë në Anatevka. Sasko është i zoti, duket. Më e keqja është, kur nuk ke më ide të reja, se këtë, nëse e pikas dikush, e pikas menjëherë i gjithë kori…pas një momenti përçmimi, vijnë të paktën tre ide me vlerë nga kori. Edhe ata janë artistë, si ne të gjithë, por mes tyre dhe karrierës botërore si solistë ka pasur diçka ndërmjet – nganjëherë lufta, nganjëherë një katastrofë tjetër. Nganjëherë dëshira për të njohur pjesën tjetër të botës.

Pa këta artistë nga shumë vende të Ballkanit duhet të mbyllnin dyert disa teatro të qytetit në Gjermani.Të jesh 40 vjet pjesë e një trupe. Të mos dalësh në radhë të parë, por të këndosh deri në fund të operës. Të mbash një paruke bjonde si 80 pjesëtarë të tjerë të korit. Kori është më shumë se kor. Kori është strategji mbijetese.