1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: 2017- vit i lodhur, shpresat tek 2018!

31 Dhjetor 2017

Ata që në fundin e vitit 2016 ishin të zemëruar, në fund të këtij viti 2017 janë vetëm të lodhur. Sikur u mësuam me urrejtjen e përditshme, mendon Krsto Lazarevic. Megjithatë ka shpresa për vitin 2018.

https://p.dw.com/p/2q8gE
Europäische Fahne EU Flagge
Fotografi: picture-alliance/dpa/K.-J. Hildenbrand

Në vitin 2016 një njeri i mbushur me urrejtje dhe me retorikën e një 7-vjeçari u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara, britanikë të plakur e të zemëruar i dhanë votën Brexit, sepse të rinjtë britanikë që e donin Europën preferuan të qëndronin në shtëpi, me Prince ndërroi jetë edhe një legjendë e muzikës pop. Në të gjithë botën, shumë njerëz ngritën gishtin e mesit në fund të vitit 2016, në shenjë zemërimi, „dreqi të marrtë 2016!". Viti 2016 do të hyjë në histori si viti që e përplasi pa nevojë botën perëndimore pas muri. Jo si pasojë e krizës ekonomike si në vitin 1929, por sepse thjesht shumë vetë vendosën për nacionalizmin e prapambetur e jo për shoqëritë e hapura. Jo sepse i kanë punët keq, por sepse kanë dëshirë të shkelin me këmbë poshtë vetes.

2017 nuk ishte më mirë, por u mësuam tanimë…

Një vështrim pas në vitin 2017 nuk të ndez më aq…jo sepse gjërat kanë ndryshuar për mirë, por sepse u mësuam që bota perëndimore në vitet e ardhshme nuk do të jetë një vend më i mirë, dhe se duhet ta quajmë veten të lumtur, nëse arrijmë të ruajmë gjendjen të paktën siç është tani. Viti 2017 shkoi drejt fundit ashtu si 1790, 1915 apo 1969. Ky është viti pas goditjes së fortë, 2016. Ndërkohë që edhe vetë 2017 nuk ishte më e qetë.

Muajt e parë të presidencës së Trumpit të dukeshin si shaka. Shumë nga planet e tij nuk realizoheshin, sepse gjykatës me ndërgjegje apo kongresi e bllokonin atë. Por kur në 12 gusht në Charlottesville Heather Hayer u aksidentua për vdekje nga një ekstremist i djathtë, shakaja mori fund. Presidenti i 45-të i SHBA nuk ia doli të dënonte një vrasje, sepse më e rëndësishme për të ishte duartrokitja e neonazistëve dhe ekstremistëve ë tjerë të djathtë. Në Gjermani në vitin 2017, një parti populiste e djathtë u zgjodh forca e tretë në Bundestag, një parti që i duron neonazistët. Fondacioni Amadeu-Antonio dhe Pro Asyl numërojnë 1700 akte dhune ndaj refugjatëve në Gjermani.

Kriminelë lufte në Ballkan festohen

Në Austri u zgjodh zëvendëskancelar një njeri me të shkuar neonaziste. Në vitin 2000 BE vendosi sanksione kundër pjesëmarrjes në qeveri të FPÖ-së. Në vitin 2017 nuk ndodhi asgjë, veç urimeve nga kryeqytetet europiane. Kancelar është një njeri që nuk e ka mbaruar studimin, dhe se programi i tij kryesor konsistoi më shumë në mbylljen e itinerarit të Ballkanit. Në Ballkan himnizohen kriminelë lufte në sheshe, si Slobodan Praljak, që pas dhënies së dënimit i dha fund jetës në mënyrë publike. Madje vetë presidentja dhe kryeministri i një vendi anëtar të BE, si Kroacia e quajtën si të padrejtë vendimin kundër atyre që janë përgjegjës për vdekje dhe dëbim. Në Çeki u zgjodh kritiku i Europës, Andrej Babis si kryeministër dhe për të qeverisur me shumë gjasë i duhen votat e ekstremistëve të djathtë dhe komunistëve. Polonia dhe Rumania janë para zbatimit të reformave të kontestuara në drejtësi. Në Poloni shkeljet e „vlerave europiane" janë kaq të dukshme, saqë BE për herë të parë aktivizoi nenin 7 që në fund si pasojë ka heqjen e të drejtës së votës në BE.

Europa kthehet më shumë djathtas

Qeveria hungareze i ka hedhur në kosh vlerat liberale europiane. Por përkundër Polonisë nuk dënohet, sepse partia e Viktor Orban është pjesë e partive popullore europiane në një komunitet me partitë e Unionit dhe ÖVP austriake. Në një kohë që kontinenti merr kthesë të fortë djathtas, në vitin 2017 janë mbytur 3.100 vetë në Mesdhe. Shumë nga ata që në vitin 2016 ishin të zemëruar, tani janë vetëm të lodhur. Të paktën ata që besojnë tek shoqëria e hapur. U mësuam që të drejtat bazë të minoriteteve të vihen në pikëpyetje. U mësuan me urrejtjen e përditshme në rrugë, që më pak gra janë ulur në parlament.

Krsto Lazarevic
Krsto LazarevicFotografi: Privat

Shpesh „frika" ndaj refugjatëve është thjesht racizëm

Kemi frikëra, që ia themi njëri-tjetrit, por që në talk-shout e mëdha politike nuk gjejnë vend. Kemi frikë që liritë dhe të drejtat që i kemi për zemër na merren. Frikë që po bëhet normale shkelja me këmbë e më të dobtëve në shoqëri. Frika nga rënia sociale. Por këto frikëra nuk tematizohen në talk-shout. Gjithnjë flitet për „frikën" ndaj refugjatëve dhe terrorit. E shpesh ajo nuk është „frikë" ndaj refugjatëve, por thjesht racizëm.

Shumë kritikë të azilit nuk shqetësohen që të pasurit i mbajnë miliarda shtetit, miliardat që ata duhet t‘i paguanin si tatime fshihen në oaze fiskale. Pas zbulimeve të Paradise Papers nuk e hapi më gojën njeri. Për „kritikët e azilit" ka rëndësi që refugjatëve t'u merren të mirat që kanë, si pritet të jetë në Austri një praktikë normale. Viti 2017 është viti që i lodhi shumë njerëz, ndërkohë që duhet të ishim vigjilentë.

2017 të paktën shpëtuam nga më e keqja

Por nuk duhet të trishtohemi në këtë fundviti. Të paktën shpëtuam nga më e keqja. Ekstremistja e djathë Marine Le Pen humbi qartë zgjedhjet në Francë, dhe nuk do ta shkatërrojë BE. Finlanda, Malta, Gjermania miratuan martesën për çiftet e së njëjtës gjini, në Austri gjykatësit kanë detyruar qeverinë të veprojë po kështu. Falë  #metoo u larguan nga pozicionet edhe burra që kishin dorën e gjatë. Nuk kemi humbur ende.

Viti 2018 mund të hyjë në histori si një vit, ku qytetarët janë mbrojtur kundër kthesës djathtiste dhe kthimit mbrapa.

Krsto Lazarevic ka lindur në Bosnje-Hercegovinë dhe ka ardhur si fëmijë me familjen në Gjermani. Ai jeton në Berlin dhe punon si gazetar për media të ndryshme gjermane.