1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Një manifest për më shumë sensibilitet

14 Maj 2017

Vëmendja jonë është vazhdimisht e copëzuar nga mundësitë e reja të komunikimit. Ne nuk e vështrojmë e nuk e perceptojmë më njëri-tjetrin, mendon shkrimtarja, Dana Grigorcea. Kjo e rrezikon shoqërinë.

https://p.dw.com/p/2cuhF
Dana Grigorcea Gastautorin für "Mein Europa"
Fotografi: ZDF

Shkrimtarët janë seizmografët e shoqërive tona, thotë kryebashkiakja e Zyrihut, Corinne Mauch, në një vlerësim për letërsinë, duke shtuar se letërsia mund të na sqarojë dhe të na i parathotë disa zhvillime. Se sa e goditur është kjo, ta thotë më së miri shembull i George Orwellit. Romani i tij "1984” pas skandalit për "faktet alternative” orwell-iane, që një zëdhënës ua serviri gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, sërish kapi majat e shitjes në botë. Edhe unë e ripashë.

Gjatë leximit më duhej të mendoja për dorëshkrimet e autorit dhe se si ai i redaktonte me dorë faqet e shtypura në makinën e shkrimit. Gati çdo rresht i rishkruar ishte nënvizuar herë me bojë blu, herë me të kuqe e herë me bojë të zezë. Madje nga ngjyrat e përdorura mund të kuptoje edhe gjendjen shpirtërore të shkrimtarit.

Më shpejt mes për mes jetës

Orwell e ka shkruar romanin „1984" në një kohë që kishte më shumë ndjeshmëri se koha jonë, në një kohë, kur kontakti me materien ishte më i madh se sot, kur për të shkruar, komunikuar ishte më e nevojshme të angazhoheshe i gjithi.

Pyes veten, nëse ky reduktim i saj, që na bën në një farë mënyre edhe më të mpirë, pra nëse kjo rrëshqitje më e shpejtë mes për mes jetës e mundësuar nga zhvillimi i teknologjisë - na ka bërë më të paaftë për të pranuar fajin? Një tezë e çuditshme ndoshta. Por a nuk mbështesin shumë qytetarë në dukje të emancipuar, demagogë të rrezikshëm në Europë, apo në urrejtjen personale ndaj botës dhe zemërimin e tyre nuk mbrohen aq sa duhet ndaj rrezikimit të kushtetutës?

Sot ne mund të bëjmë më shumë se paraardhësit tanë, por personalisht e kemi humbur vështrimin për botën, e perceptojmë më pak të përditshmen tonë, dhe kur e bëjmë këtë, mbajmë më pak qëndrim. Kjo edhe pse katastrofa që kapi Europën dhe botën u përsërit e nuk është shumë larg -1914, 1939.

Më shumë muzik, më shumë pikëpjekje, më shumë gëzim

Jemi vazhdimisht të pavëmendshëm për shkak të komunikimit të gjithëllojshëm e gjithëbotëror, jemi të lodhur, të zbrazur nga përpjekjet për të ndarë informacionet që bien mbi ne, të humbur, të mbyllur në jehonën e hapësirës sonë. Por çfarë të bësh, ose si e formulonte Orwell: ÇFARË TË BËSH?

Jam e bindur tek fuqia e ndjeshmërisë. Duhet të drejtojmë sytë tek vetja e ta kuptojmë mirë. Kemi nevojë për një muzikë që është më shumë se bezdi që vjen nga radioja, letërsi që është më shumë se koncepte të vjetëruara, më shumë debat, më shumë pikëpjekje njerëzore, më shumë ndjeshmëri-qoftë në kulturën e të ushqyerit, më shumë dalje në natyrë, më shumë reflektim për gjërat vërtet të rëndësishme, për gëzimet e jetës. Për këtë duhet më shumë kohë në Europë. Por edhe Epitekti e dinte: "Ata duan të gjejnë atë që i bën të lumtur, por kërkojnë aty ku ajo nuk është."

"Demokracia ka nevojë për bjerraditje"

Në Rumaninë e fëmijërisë sime, shumë njerëz kishin një orar fiks: Gjyshja takohej me shoqet për të luajtur letra të enjten, prindërit e mi me kolegët e universitetit takoheshin çdo të shtunë për të parë gati gjysmë-fshehtazi video të ndaluara, fqinja kishte rrethin e leximit, të dielën në drekë shtrohej drekë për miq. Në fshat çdo shtëpi kishte një stol para dere, ku fqinjët bënin muhabet deri në orët  e vona. Tani shumë fqinj nuk njihen, as në fshat e as në qytet. Dhe nuk njoh më njerëz në Rumani që kanë një orar fiks.

Në një blog letrar, bashkë me bashkëshortin tim, shkrimtarin Perikles Monioudis, kemi edhe një format që quhet Entre nous. Aty gjen 7 pyetje fikse për çdo libër të ri. Pyesim për temat, debate që ju interesojnë lexuesve kryesisht. Autori austriak Martin Prinz përgjigjet në një nga këto pyetje, ashtu si do ta kisha dëshiruar unë. „Ndjej se si bota që njohim, ose mendojmë se e njohim ndodhet në zgrip. Besoj se një pjesë e krizës ka të bëjë me dendësimin, me rendjen pa frymë, me stilin e tellallit të shoqërisë sonë. Mbi këtë bazë nuk mund të rezistojë demokracia, mbi këtë bazë forcohet vetëm autokratikja. Sepse demokracia ka nevojë për bjerraditje. Njëri nga territoret, ku e rigjen këtë liri, është letërsia."

 

Dana Grigorcea, lindur në vitin 1979 është një shkrimtare zvicerano-rumune dhe filologe. Në vitin 2011 ajo debutoi me romanin „Baba Rada" të shkruar në gjermanisht. Në vitin 2015 u publikua romani i saj "Ndjesia primare e pafajësisë.”