1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Para se të ndizet flaka e propagandës

24 Qershor 2017

Historia tragjike polako-gjermane nuk duhet të kthehet në peng të politikës, paralajmëron publicisti Jaroslaw Kurski. Në vend të kësaj duhet që të gjithë pjesëmarrësit të ruajnë vlerat e demokracisë e europiane.

https://p.dw.com/p/2fJUy
Jaroslaw Kurski (Deputy Editor in Chief, Gazeta Wyborcza, Poland)
Fotografi: DW/K. Danetzki

Jam në Gdansk, që gjermanisht shqiptohet Danzig, Të gjithë qytetarët e Gdanskut e mbajnë me vete historinë tragjike. Para 50 vitesh mediat në shërbim të propagandës komuniste ngrinin zërin se qyteti i im i lindjes ishte prej kohësh që nuk mbaheshin mend qytet polak. Si fëmijë e besoja këtë. Por kur fillova të mësoj gërmat e alfabetit, lexoja emra të çuditshëm si „kalt" –e ftohtë apo „warm" – e nxehtë, kur hapja ujin e ngrohtë apo të ftohtë. Edhe në kutinë postare qëndronte një fjalë gjermanisht „Briefe" –letra.

Zonja të rënda kur ktheheshin nga kisha flisnin një gjuhë të çuditshme –më vonë kuptova se kjo quhej gjermanishte dialektore e trevave të ulta. Nuk dua të them, se Gdansku ka qenë gjithmonë gjerman, siç e paraqiste propaganda prusiane e më vonë ajo naziste, as nuk dua të them se ai ishte përjetësisht qytet polak. Jo, historia është më komplekse dhe intriguese.

Kult i lirisë jashtë nacionalizmave

Ne, opozitarët rebelues të viteve 80-të i refuzonim narrativat e motivuara nacionaliste –në vend të kësaj u përqëndruam tek librat në këtë qytet: memuarët e nënës së filozofit, Arthur Schopenhauers, romanet e shkrimtarit Günter Grass, esetë e Hermann Rauschning, sidomos "Revolucioni i nihilizmit” dhe librat e Pavel Huelles e Stefan Chwin. Ne ndjeheshim qytetarë të lirë të Gdanskut. Kulti i lirisë, jashtë nacionalizmave nga Hansa deri tek solidarnosti e Lech Walesa ishte më i rëndësishëm. E kujtoj këtë për të arritur në përfundimin: se sa herë që historia iu la në dorë inxhinierëve të politikës, që e formësonin të shkuarën në bazë të qëndrimeve të tyre politike e nacionaliste, polakët e gjermanët janë larguar nga njëri tjetri.

Prandaj gjesti i Tadeusz Mazowieckit und Helmut Kohlit në nëntor 1989 në Kreisau ishte i rëndësishëm: Një reflektim i pajtimit gjermano-francez të Charlles de Gaulle dhe Konrad Adenauerit. Ai hapi kapitullin jo-konfrontues të historisë gjermano-polake.

Rojet e trashëgimisë së Kohlit e Mazowieckit

Xhaxhai im Franciszek Baranowski, bashkëshorti i tezes Klara, u arratis nga Schwetzi në Pommern për të shpëtuar nga rekrutimi i ushtrisë së Wehrmachtit. Dy vëllezërit e tij ranë të veshur me uniformën gjermane në frontin lindor, të vrarë nga rusët. Nuk po e përmend më kot këtë histori. Atë mund ta keqpërdorësh e të ndezësh mëritë e vjetra anti-gjermane, por mund të veprosh edhe si laureatët e çmimit gazetaresk Tadeusz-Mazowiecki dhe të rrëfesh pa u lodhur fatet gjermano-polake e tragjeditë njerëzore në rajonet kufitare. Me këtë ata krijojnë një klimë të besimit, faljes e pajtimit.

Ky çmim por deri së fundmi edhe muzeumi i Luftës së Dytë Botërore, fondacioni Kreisau për Mirëkuptimin Europian dhe jo pak mediat e pavaruara – këta janë të gjithë roje të trashëgimisë që e lanë dy europianë të mëdhenj: kryeministri Tadeusz Mazowiecki dhe kancelari gjerman Helmut Kohl.

Ne në Gdansk e njohim mirë tragjedinë e historisë

Pa këto institucione, pa mediat e lira –do të merrej vendimi për „ripolonizimin", pa to nuk do të ishte e vështirë të ndizje flakën e propagandës anti-gjermane. Në Poloni kjo njihet nga koha e Wladyslaw Gomulkas dhe letrës së ipeshkëve polake tek kolegët gjermanë. Apo nga koha kur Konrad Adenauar paraqitej si kryqtar me mantel që kishte zgjatur kthetrat drejt rajoneve perëndimore polake. Në gazetat polake të afërta me qeverinë paraqiten sot kancelarja Merkel dhe presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk- thënë me kujdes- mes stilizim nacionalist.

Po qe se historia jonë e përbashkët tragjike kthehet në peng të politikës, hidhen poshtë frytet e dialogut të filluar nga baballarët tanë para vitit 1989. Hedhim poshtë përpjekjet e atyre që kishin arsye të fortë të mos falnin dhe e bënë këtë- në emër të së ardhmes. Mjafton të kujtojmë Władysław Bartoszewskin, Stanisław Stommsa, Mieczysław Pszon, Jan Nowak-Jeziorański, Karl Dedecius, por edhe Marion Gräfin Dönhoff, Willy Brandt e shumë të tjerë.

Ne në Gdansk e njohim mirë tragjedinë e historisë. Tek kjo bën pjesë edhe vetëdija, se edhe krimet më të rënda mund të përsëriten, se paqja, demokracia, vlerat europiane, toleranca, solidariteti njerëzor, janë vlera, për të cilat do treguar gjithmonë kujdes e që duhen mbrojtur.

Gazetari polak Jaroslaw Kurski është zëvendëskryeredaktor i gazetës Gazeta Wyborcza". Në vitet 90-të ai ka qenë zëdhënës i krytearit të solidarnostit, Lech Ëalesa. Teksti është shkurtim i fjalës së mbajtur gjatë marrjes së çmimit të gazetarisë Tadeusz-Mazowiecki-në Zielona Gora (Grünberg).