1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europarlamentarët: Zgjedhjet në Kosovë nuk plotësuan standardet ndërkombëtare

10 Janar 2011

Delegacioni i parlamentit evropian, që vëzhgoi zgjedhjet në Kosovë, thotë se në klasën politike kosovare mungon vullneti politik për të zhvilluar zgjedhje të mirëfillta.

https://p.dw.com/p/zvsZ
Fotografi: AP

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas rivotimeve që u mbajtën në pesë komuna të Kosovës, shpalli rezultatet e pjeshme në nivel vendi, për secilin subjekt politik, ku fituese shpallet Partia Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga Hashim Thaçi. Në këto rezultate paraprake, nuk janë llogaritur votat e komunës së Mitrovicës, në të cilën do të rivotohet me 23 janar.

Në këto të dhëna paraprake janë llogaritur edhe të dhënat nga rinumërimi i 40 përqind të vendvotimeve në nivel të Kosovës.

Rivotimet e së dielës në Kosovë u vëzhguan nga dy mijë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë. Në mesin e tyre ishte edhe një delegacion i Parlamentit Evropian. Ata thanë, se megjithë përpjekjet qëllimmira të shumë aktivistëve dhe individëve, gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit dhe 9 janarit, procesin zgjedhor e kanë përcjellë defekte serioze.

Kosovo Europaparlament Ulrike Lunaqek in Pristina
Europarlamentarja Ulrike Lunaçek.Fotografi: DW

Në Kosovë mungon vullneti politik për zgjedhje të mirëfillta

Dy europarlamenaret, Ulrike Lunaçek dhe Juta Steinruck, thanë në një konferencë për shtyp, se në Kosovë mungon vullneti politik për të zhvilluar zgjedhje të mirëfillta në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira zgjedhore.

“Kosova duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të përmirësuar procesin e ardhshëm zgjedhor, për të garantuar të drejtat demokratike të qytetarëve të Kosovës, si dhe për të forcuar perspektivën evropiane të Kosovës”, u shpreh Ulrike Lunaçek.

Në të njëjtën linjë shprehet edhe europarlamentarja tjetër, Juta Steinruck, e cila gjatë ditës së diel ishte në një qendër votimi në Skenderaj, ku gjatë procesit të numërimit të votave ka vërejur parregullsi.

Kosovo Europaparlament Juta Steinruck in Pristina
Europarlamentarja Juta Steinruck.Fotografi: DW

“Ne pamë dhe dëgjuam diskutime, se cilat vota janë të vlefshme dhe cilat jo dhe nuk ishte e qartë situata. Unë them se në këtë situatë duhet të ketë rinumërim të votave ashtu siç u rinumëruan 40 përqind të votave të zgjedhjeve të 12 dhjetorit dhe në këtë mënyrë të konfirmohet, se cila votë është e vlefshme dhe cila jo ”, tha europarlamentarja Juta Steinruck.

Delegacioni i Parlamentit Evropian, shpreh keqardhjen për shkeljet e rënda zgjedhore në disa komuna si dhe procesin e stërzgjatur të numërimit të votave të 12 dhjetorit. Komisioni për ankesa tashmë ka pranuar mbi 40 ankesa nga Lëvizja Vetvendosja për parregullsi në zgjedhje.

Kërkohet ndjekje penale e manipuluesve të votave

Delegacioni i Parlamentit Evropian, u shpreh se që të forcohet besimi publik në procesin demokratik elektoral duhet që menjëherë të ndërmerret një përpjekje vendimtare, për ndjekjen penale të gjithë autorëve të identifikuar të mashtrimeve, përfshirë këtu rastet nga zgjedhjet lokale të vitit 2009.

Përfundimi i procesit të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë do të marrë edhe pak kohë. Kjo pasi rivotime të plota do të ketë më 23 janar edhe në komunën e Mitrovicës, për shkak të manipulimit të votave, që u shënua në zgjedhjet e 12 dhjetorit të vitit të kaluar.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Eliana Xhani