1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eurostat-i dëshmon varfërinë në Shqipëri

30 Qershor 2010

Një raport i EUROSTAT-it, Institutit Evropian të Statistikave, i publikuar kohët e fundit, e klasifikon Shqipërinë për vitin 2009, vendin më të varfër në Europë me fuqinë më të ulët blerëse.

https://p.dw.com/p/O6kO
Logo e Eurostatit

Sokol Bregu shet produkte ushqimore, perime dhe fruta në një dyqan të vogël, në katin e parë të një godine të ndërtuar para 30 vitesh. Të gjithë banorët e godinës 6 kateshe blejnë tek ai. Një pjesë me para në dorë, një pjesë pa paguar. Këtyre të fundit Sokoli u shënon në një bllok shënimesh emrin, çfarë kanë blerë dhe datën. Ai i mer paratë kur kjo kategori klientësh marrin pagën e muajit pasardhës dhe keshtu vazhdon nga muaji në muaj.

Sokol Bregu, shitës në Tiranë
Sokol Bregu, shitës në TiranëFotografi: Ani Ruci

Këta janë shumë të varfër, që nuk kanë fuqi blerëse. Zakonisht blejnë qumësht, bukë, makarona, vaj dhe më rrallë fruta. Ndodh që nuk arrijnë të paguajnë dhe pagesat shtyhen nga një muaj tek tjetri,” thotë Sokoli.

Blerjen me listë qytetaret e Shqiperise, përveç grupit që i përkiste nomenklatures komuniste, e jetuan në vitet e regjimit te kaluar, kur disa produkte ushqimore si buka, mishi, gjalpi, djathi, vezët dhe vaji i ullirit merreshin me listë, me emrin e kryefamiliarit por me para në dorë. Lista e asaj kohe ishte pasoje e varfërimit te skajshëm, mungesës se produkteve te mësipërme për shkak të kolektivizimit dhe ndalimit total të pronës private. Listat e tanishme janë të një natyre tjetër. “Njerëzit marrin mallra ushqimore me listë, sepse nuk kanë fuqi blerëse. Për shkak të të ardhurave të pakta,” thotë sociologu Kosta Barjaba.

Pse Shqipëria rezulton vend i varfër?

Të ardhurat e pakta në familjet shqiptare vijnë në rradhë të parë nga papunësia. Në Shqipëri rritja e kënaqshme ekonomike prej 5- 6% në vit nuk është shoqëruar më shtimin e vendeve të punës, por me rritje të papunësisë.

Rritja ekonomike e Shqipërisë ka qenë asimetrike në raport me papunësinë. Hendeku mes rritjes ekonomike dhe papunësisë në Shqipëri është shumë i lartë në krahasim me vendet e rajonit, por edhe me treguesit në nivel global. Nëse në nivel global bota ka një rritje ekonomike 5- 6% edhe papunësinë e ka 5- 6%. Kurse në Shqipëri niveli i papunësisë është minimalisht 2 deri në tre herë më i lartë sesa rritja ekonomike. Në zonat ku ka papunësi më të lartë ato janë edhe zonat më të varfëra,” thotë sociologu Kosta Bajraba.

Sociologu Kosta Bajraba
Sociologu Kosta BajrabaFotografi: Ani Ruci

Një arsye tjetër është edhe ulja drastike e dërgesave të emigrantëve, kryesisht të atyre që jetojnë dhe punojnë në Grerqi për shkak të krizës së rëndë ekonomike në vendin fqinj. Shifrat tregojnë që Shqipëria merr 300 euro për banor. Ulja e dërgesave po sjell pasoja të rënda në cilësinë e jetës, që konkretizohet në fuqinë blerëse. Kjo situatë e rendit Shqipërinë në raportin e EUROSTAT-it për vitin 2009 vendin më të varfër edhe në raport me vendet e rajonit.

Serbia dhe Mali i Zi,që kanë një histori tranzicioni pak a shumë problematik, kanë tregues që janë më të lartë se të Shqipërisë. Edhe Bosnja është më mirë, pa përmendur Maqedoninë që ka fuqi blerëse më të lartë,” thotë zoti Bajrjaba.

Në një mesatare europiane të rrumbullakosur në shifrën 100, Shqipëria renditet në vendin e fundit të listës me 27 vende, vetëm me vetëm një fuqi blerëse prej 27% në raport me prodhimin e brendshëm brutto ose GDP, Bosnja renditet me 30%. Maqedonia me 35, Serbia 37 ndërsa Mali i Zi 43% të GDP për frymë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore niveli i varfërisë në Shqipëri ka ardhur duike u ulur nga 25% që ishtye në vitin 2002 në 12% në vitin 2008. Por raporti i EUROSTAT-it për vitin 2009 tregon për një rritje të varfërisë kryesisht nga papunësia.

Modele të rritjes ekonomike që gjenerojnë punësim

Për të ndryshuar situatën duhet larguar shkaktari i saj: modeli i deritanishëm i rritjes ekonmimike që shoqërohet me rritje të papunësisë.

Modeli dhe strategjitë e zhvillimit të vendit duhet të ndryshojnë dhe Shqipëria duhet të gjejë rrugën e vërtetë drejt një rritjeje ekonomike që prodhon punësim. Politikat e punësimit duhettëzënë një vend m ëqëndror në politikat e zhvillimit të vendit.” mendon sociologu Kosta Bajraba.

Autor: Ani Ruci/ Tirana

Redaktoi: Auron Dodi