1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eurozona në kurthin e Qipros

Zhang Danhong17 Janar 2013

Shteti më i vogël për nga madhësia i Evropës ka falimentuar që prej verës së fundit. Që vendi të ruajë aftësinë paguese do të kushtojë relativisht pak para. Por rasti i Qipros ngërthen forcë të madhe shpërthyese.

https://p.dw.com/p/17LMS
Qipro, Nikosia
Qipro, NikosiaFotografi: DW

Shteti ishullor i Qipros, me 800.000 banorë është më i vogël se qyteti i Katedrales, Këlni. Rezultati i tij ekonomik është 18 miliardë euro. Kjo është e barabartë me 0,15 përqind të asaj që prodhohet në eurozonë.

Mund të mendosh se një minishtet të tillë BE mund ta shpëtojë sa të hapësh e të mbyllësh sytë. Në fund të fundit, i gjithë aksioni i shpërtimit do të kushtonte vetëm rreth 17 miliardë euro. Kjo është një shumë minimale, po të kesh parasysh se eurozona është e gatshme që të shpenzojë vetëm për Greqinë më shumë se 240 miliardë euro.

Por pikërisht kjo gjendje në dukje e parëndësishme e nevojës financiare të vendit nxjerr në pah gjendjen e dëshpëruar të ekonomisë qipriote: sepse 17 miliardë euro janë të barabarta thuajse me të gjithë produktin social bruto të Qipros.

Një amalgamë midis Greqisë dhe Irlandës

Qiproja është një përzierje midis Greqisë dhe Irlandës. Buxheti i rrënuar dhe institucionet që funksionojnë me vështirësi të kujtojnë Greqinë fqinje. Por sektori financiar i stërfryrë madje tejkalon atë irlandez në kohën e shkëlqimit të tij. Shumat e bilancit të bankave qipriote i përgjigjen nëntëfishit të rezultatit ekonomik të vendit. "Qiproja prej shumë kohësh ka pasur ligje shumë liberale rregulluese financiare", thotë Nicolaus Heinen, analist në Deutsche Bank. Liria e qarkullimit të kapitalit në BE ka bërë që "në Qipro të rrjedhë shumë kapital. Kjo ka bërë që qipriotët të harrojnë reformimin dhe përmirësimin e institucioneve. Kjo i solli në gjendjen aktuale të vështirë."

Donatorët kanë mendime të ndryshme

Në mënyrë që borxhet të mbeten në një nivel të përballueshëm, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar që investorët t'i falin Qipros një pjesë të borxheve. Këtë Eurozona e refuzon në mënyrë të rreptë. Në fund të fundit ajo ka premtuar para një viti, që Greqia të mbetet një përjashtim absolut. Mbeten vetëm takspaguesit, të cilët duhet të nxjerrin nga balta një vend tjetër të Eurozonës. Por këtu BE vjen në një dilemë morale. Sepse me kontrollin liberal të financave dhe me tatimin më të ulët në Eurozonë mbi fitimin e ndërmarrjes (rreth 10 përqind), Qiproja u bë atraktive edhe për paratë e rusëve. 26 miliardë dollarë para të tilla mendohet se ndodhen në bankat qipriote, sipas Shërbimit të Fshehtë Gjerman. Qeveria gjermane e bën të varur aprovimin për të ndihmuar Qipron nga premtime konkrete në luftën kundër larjes së parave.

Por deri tani Nikosia kundërshton që të jetë përfshirë në larje parash. Ajo kundërshton edhe masa të rrepta kursimi, para së gjithash në fushën e privatizimit. Një shkak tjetër pse negociatat midis donatorëve dhe nevojtarëve zgjaten pa fund.