1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evazioni fiskal nuk është delikt i falshëm

19 Shkurt 2008

Prokuroria po heton kundër rreth një mijë personave që nuk kanë paguar detyrimet fiskale. Viktima e parë u bë shefi i koncernit të postës, Klaus Zumwinkel.

https://p.dw.com/p/D9jH
Masa më rrepta ndaj evazionit fiskalFotografi: Bilderbox

Gjermania pritet të përfshihet nga një valë kontrollesh ndaj shumë milionerëve. Sidomos në landin Nordrhein-Westfalen janë planifikuar kontrolle tek ata që nuk kanë paguar detyrimet fiskale dhe që i kanë transferuar të hollat e tyre në Lichtenstein. Shkak u bë një CD me të dhëna, që shërbimi informativ gjerman ia kishte blerë një informanti me një shumë prej rreth pesë milionë euro.

Fürstentum Liechtenstein Verdacht der Steuerhinterziehung
Principata e LihtenshtajnitFotografi: picture-alliance/ dpa

Ministria gjermane e Financave është e mendimit, se shpërblimi milionësh për CD-në me të dhënat sekrete të një banke në Lihtenshtajn nuk ka qenë shumë i lartë, sepse si rezultat i hetimeve pritet pagimi i shumë taksave të prapambetura.

Opozita kritikon veprimtarinë e shërbimeve sekrete

Gazeta ekonomike "Handelsblatt" njofton për rreth 300 deri 400 milionë euro që do të hyjnë me vonesë në arkën e shtetit. Prokuroria po heton kundër rreth një mijë personave që nuk kanë paguar detyrimet fiskale. Viktima e parë u bë shefi i koncernit të postës, Klaus Zumwinkel. Opozita kritikoi, se shërbimi sekret për jashtë BND, që bleu CD-në fatale prej një informanti, nuk është i autorizuar për kontrolle tatimore. Por ministri i brendshëm Wolfgang Schäuble e mbrojti këtë veprim gjatë një interviste: "Duhet ditur, se sherbimi informativ për jashtë është i autorizuar edhe për luftimin e kriminalitetit të organizuar. Ai ka ndihmuar në kontrollin financiar. Edhe kjo është e drejtë. Besoj, se vendimi është ligjerisht i rregullt dhe ka qenë objektivisht i domosdoshëm."

Masa më të rrepta ndaj evazionit fiskal

Forumi mbikqyrës parlamentar, përgjegjës për sherbimet sekrete do të diskutojë këtë javë për këtë aksion. Sipas shoqates së industrisë gjermane BDI skandali për evazionin masiv fiskal të gjermanëve të pasur mund të ketë pasoja fatale për Gjermaninë. Presidenti i BDI-së, Jürgen Thumann, u shpreh për ndjekjen e një kursi të ashpër kundër sipërmarrësve, që mashtrojnë fiskun.

"Kush nuk i respekton rregullat tona dhe del kundër ekonomisë dhe shoqërisë, ai duhet përjashtuar dhe nuk mund të mbrohet më." –tha Thumann.

Politikanë të të gjitha partive kërkuan, që evazioni fiskal të mos konsiderohet më në shoqëri si delikt që falet. Shumë ashpër u shprehën socialdemokratët. Sekretari i përgjithshëm, Hubertus Heil, tha se veprime të tilla duhet të ndiqen me masa penale më të ashpra. Ai kërkoi ngritjen e dënimit minimal në një vit.

Skandali fiskal ndikon edhe në zgjedhjet e Hamburgut të dielën e ardhshme. Partia e majtë, që e konsideron vetën si parti e drejtësisë, arriti në nivelin 9% dhe konsiderohet e sigurtë, që socialistët e majtë do të hyjnë edhe në një tjetër parlament në perëndim të Gjermanisë.

A i trondit skandali i tanishëm fiskal bazat e shoqërisë?

Ndërkohë vazhdon diskutimi, në se skandali fiskal i trondit fundamentet e shoqërisë, apo jo. Ministri i brendshëm, Wolfgang Schäuble, nxjerr një bilanc pozitiv nga skandali. "Sigurisht që nuk është mirë, që një pjesë e elitave të dështojnë në këtë mënyrë, por nga ana tjetër tregon se shteti ynë juridik funksionon. Pa marrë parasysh prestigjin e personit, veprohet me të gjithë ashpërsinë e ligjit. Kjo është e drejtë dhe e domosdoshme dhe personat në fjalë duhet edhe ta ndjejnë këtë ashpërsi."

Partia e gjelbër, në opozitë, kërkoi nga qeveria një qëndrim më të rreptë ndaj Lichtensteinit. Nuk mund të pranohet, që kjo prinicipatë fton të pasurit në gjithë Evropën, që t’ia privojnë paratë komunitetit. Kryeministri i Lihtenshajnit, Otmar Hasler, vjen këtë javë në Gjermani për një vizitë të planifikuar prej kohësh dhe do të bisedojë me kancelaren Merkel edhe për skandalin fiskal.