1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa deklaron përgjegjësi për Kaukazin- por sa mund të ndikojë për paqe?

Kristofer Plas/ Bruksel11 Gusht 2008

BE-ja kërkon të luajë një rol aktiv për arritjen e paqes në Kaukaz. Ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së këtë javë pritet të mblidhen në një takim emergjence. Edhe Nato kërkon t'i jepet fund shkallëzimit të dhunës.

https://p.dw.com/p/EuBm
Hartë e Osetisë Jugore
Hartë e Osetisë JugoreFotografi: DW-TV

Ministri i jashtëm francez Bernar Kushner (Bernard Kouchner), i cili do të negociojë në emër të presidencës së BE-së mbërriti të djelën (10.8.) në mbrëmje në Tbilisi. Presidenti francez Nikola Sarkozi (Nicolas Sarkozy) pritet të udhëtojë për në Moskë. Sipas informacioneve të veta, BE-ja ka vënë 1 milionë euro në dispozicion për ndihmë humanitare në Osetinë Jugore.

Shumë ministrave të jashtëm të BE-së do t'u duhet të ndërpresin pushimet këtë javë. Presidenti francez Nikola Sarkozi do të mbledhë ministrat e jashtëm për t'u konsultuar rreth situatës në Osetinë Jugore dhe Gjeorgji.

Kushneri përshkroi përgjegjësinë e europianëve në rajonin e krizës

Takimi pritet të zhvillohet të mërkurën (13.8.) u bë e ditur të djelën (10.8.) në Bruksel dhe Paris. Ministri i jashtëm francez Bernard Kushner në një intervistë në televizion ditën e shtunë (9.8.) përshkroi përgjegjësinë e europianëve në rajonin e krizës dhe kërkoi veprim politik nga 27 anëtarët e BE-së. Intervistën ministri i jashtëm francez e dha përpara se të nisej për në rajonin e krizës të dielën pasdite, fillimisht në Tbilisi e më pas në Moskë.

"Pas kthimit tonë do të mbahet një takim i ministrave të jashtëm të BE-së. Unë shpresoj shumë që të mbahet edhe një takim i jashtëzakonshëm i kryetarëve të shteteve dhe qeverive. Kjo do të shtonte peshën politike dhe do të tregonte se BE-ja është e bashkuar për të ndërhyrë direkt në rajon."

Ministri i jashtëm francez Bernard Kushner për ndërmjetësim në Gjeorgji
Ministri i jashtëm francez Bernard Kushner për ndërmjetësim në GjeorgjiFotografi: AP

Evropianët po kërkojnë rolin e tyre. Presidenti gjeorgjian Sakashvili konsiderohet si krahu i zgjatur i SHBA në rajon. Republikat e Osetisë Jugore dhe Abkazisë janë nën mbrojtjen e Rusisë.

Atë çka mund të bëjë BE e tregoi ministri i jashtëm gjerman Shtajnmajer me telefonatat te të dyja palët

Atë çka mund të bëjnë vendet e BE-së e tregoi ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer: në fundjavë ai telefonoi disa herë si me ministrin e jashtëm rus Lavrov ashtu edhe me ministrin e jashtëm gjeorgjian për të nxitur ndoshta një dialog direkt mes palëve në konflikt. Pak kohë më parë Shtajnmajeri ishte në Kaukaz për të prezantuar një plan paqeje, por pa sukses. E rëndësishme mund të jetë tani një vizitë e kancelares gjermane Angela Merkel, e planifikuar prej kohësh, tek presidenti rus Medvedev në Soçi.

"Këto janë shtete europiane", tha ministri i jashtëm francez Kushneri në televizionin francez. "Ne kemi përgjegjësi për këtë rajon."

27 ministrat e jashtëm të BE-së duhet të diskutojnë edhe mbi kuptimin e krizës në Kaukaz për raportet me Moskën. Tek shtetet e reja anëtare të BE-së nga Evropa Qëndrore dhe Lindore ndërhyrja ushtarake ruse ka përforcuar paragjykimet se Moska kërkon me të gjitha mjetet të zgjerojë zonën e saj të influencës. Ato kërkojnë tani një ton të qartë ndaj Rusisë.

BE-ja dhe Nato kanë kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve

Në Bruksel BE-ja dhe Nato kanë kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve. Integriteti territorial i Gjeorgjisë duhet të respektohet u tha në qendrës e Nato-s. Por brenda radhëve të Aleancës ka edhe nga ata që ndihen tani të konfirmuar në dyshimet e tyre për afrimin e shpejtë të Gjeorgjisë me Nato-n. Ndërkohë që SHBA e mbështesin hyrjen e shpejtë të Gjeorgjisë në Nato francezët janë skeptikë. Argumenti i tyre është: Aleanca nuk mund t'ia lejojë vetes të pranojë vende në të cilat ka konflikte të pazgjidhura rajonale. Ose thënë më qartë: ndryshe Gjeorgjia do t'a tërhiqte Nato-n në luftë.