1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa dhe Ballkani

Dinko Gruhonjic/ Marina Martinovic/ Aida Cama15 Maj 2012

Paragjykimet, komplekset dhe shpresat kanë karakterizuar prej shekujsh marrëdhëniet midis Evropës dhe Ballkanit. Një konferencë merret me to.

https://p.dw.com/p/14vE7
EASTBLOK - Muzikë nga Berlini
EASTBLOK - Muzikë nga BerliniFotografi: eastblok

Evropa perëndimore vazhdon edhe sot t`i shohë fqinjët juglindorë nëpërmjet stereotipeve. Në këtë përfundim kanë mbërritur studiuesit që u mblodhën nga 9 deri 13 maj në një simpozium në ishullin kroat, Brač. Konferenca u zhvillua me mbështetjen e ministrisë gjermane të Jashtme dhe Shërbimit për këmbimet akademike (DAAD).

"Eurotopi" në Bosnjë Hercegovinë

Por edhe në Ballkan nuk mungojnë klishetë, kur bëhet fjalë për Evropën perëndimore. Në Bosnjë Hercegovinë, një vend i karakterizuar nga lufta në vitet 1990-të, Evropa ka statusin e një hapësire utopike, mendon profesori i Universitetit të Sarajevës, Enver Kazaz. "Kjo eurotopie ekziston në nivel politik, prej nga Bashkimi Evropian imagjinohet si shpëtim," thotë Kazaz. "Njeriu mendon se të gjitha konfliktet e brendshme do të zhdukeshin kur Bosnja dhe Hercegovina të futej në BE". Këtë besim të gabuar e ka e gjithë elita politike, por nëpërmjet qëndrimit të kësaj elite vendi largohet edhe më shumë nga BE-ja, mendon eksperti. "Prandaj kjo eurotopi është një lloj gracke mentale për popullin," thotë Kazaz.

Ballkani në zemër të Evropës
Ballkani në zemër të EvropësFotografi: DW

Ndryshe nga Bosnje Hercegovina, vendi fqinjë Serbia e ka tashmë statusin e vendit anëtar në BE. Por për Serbinë, komplekset e inferioritetit kundrejt Evropës luajnë një rol të madh, mendon Pavle Sekeruš nga Universiteti i Novi Sadit.

Komplekse në Serbi

"Këto komplekse janë krijuar me sa duket nga prapambetja civilizuese, industriale, teknologjike dhe materiale." Nga kjo situatë dalin në njërën anë ndjenjat e dëshirës për të qenë pjesë e kësaj bote evropiane. Nga ana tjetër, ekziston edhe logjika e anasjelltë. Meqenëse evropiano- perëndimorët na masin me kutin e tyre të civilizimit, sikur të ishim klasë më e ulët, atëherë ne do u tregojmë se në fakt, jemi qendra," thotë profesor Sekeruš-i.

Kroacia nuk vuan nga komplekse të tilla dhe do të bëhet vitin e ardhshëm anëtare e BE-së. Megjithatë raportet me Evropën nuk janë krejt të hapura, mendon Aleksandar Jakir nga Universiteti i Splitit, në Kroaci.

Kroacia është "e lodhur nga kërkesat e tepruara evropiane". Studiuesi e argumenton këtë me pjesëmarrjen e ulët të kroatëve në referendumin për pranimin e vendit në BE. Në referendumin e zhvilluar më 12 janar 2012, morën pjesë 43 përqind e qytetarëve. Dy të tretat e tyre votuan për pranimin e vendit në BE. "Por shpresat dhe kërkesat që ekzistojnë që prej fillimit të viteve 1990-të, kanë rënë. Tani e gjitha shihet me më shumë realizëm," thotë Aleksandar Jakir. "Megjithatë shumica e qytetarëve mendojnë se nuk kanë alternativë tjetër politike nga ajo e pranimit të vendit në BE."

Ballkani në zemër të Evropës - Konferencë në Bruksel
Ballkani në zemër të Evropës - Konferencë në BrukselFotografi: DW

Evropa e nënvleftëson Ballkanin

Por edhe paragjykimet e vjetra kundrejt Ballkanit, u ringjallën në vitet 1990-të gjatë luftrave në ish Jugosllavi mendon studuesi Pavel Serekuš: "Kështu për shembull mendimet për luftëtarët barbarë kroatë, që janë kundër civilizimit, që janë antieuropianë dhe orientalë".

Profesor Kazaz-i nga Sarajeva shton se BE përpiqet që të "civilizojë" rajonin e Ballkanit. "Në këtë mënyrë ripërsëriten klishetë e vjetra për urrejtjen ballkanike, për popujt që duhen paqësuar ose jo". Por, evropianoperëndimorët bëjnë gabim duke mos treguar se kush janë subjektet ideologjike dhe politike që shkaktuan krimin dhe vuajtjes, mendon Kazaz.

Kush turpërohet për Ballkanin?

Në Kroaci, ku më parë ekzistonte turpi për Ballkanin dhe nuk dëshirohej të zgjoheshin kujtimet për Jugosllavinë e përbashkët, rajoni shihet sot me më shumë maturi, shpjegon eksperti kroat Jakir. Në fillim të viteve nëntëdhjetë ai pati ndier ballkanofobi tek publiku kroat. "Sot, ekziston vetëdija se identiteti i Kroacisë përbëhet si nga komponentë evropiano-qendror dhe mesdhetarë, ashtu edhe nga komponentë ballkanik."

Njëjtë janë vëzhgimet e Mirt Komel-it nga Universiteti i Ljubljanës në Sloveni. Vendi i tij është anëtar i BE-së që në vitin 2004. Komel thotë se edhe sllovenët donin të distancoheshin nga "mentaliteti ballkanik". Por, u pa se edhe në BE nuk rrjedh vetëm qumësht dhe mjalt. Prandaj brezi i ri i drejtohet gjithnjë e më shumë Ballkanit," shpjegon studiuesi. "Të rinjtë vuajnë nga burokracia anonime e makinerisë evropiane. Ata e shohin Ballkanin si një alternativë jokonvencionale.“

Profesori Enver Kazaz
Profesori nga Sarajeva, Enver KazazFotografi: Duzevad Sabljakovic

BE dhe Ballkani : Çështje identiteti

Stereotipet reciproke midis Evropës dhe Ballkanit janë sot prezente, mendon studiuesja e letërsisë Tanja Zimmermann nga Universiteti i Konstancës. Për këtë fajin e kanë edhe mediat: "Ballkani prezantohet si kufiri midis lindjes dhe perëndimit, por edhe si një problem i cili duhet zgjidhur", kritikon studiuesja. "Çdo herë kur diskutohet për pranimin e vendeve në BE, shfaqet automatikisht pyetja, se sa "ballkanik" është ky vend."