Evropa

Evropa ime: Malli për politikanë si shpëtimtarë

Në Europën Lindore dhe Qendrore është i përhapur imazhi i udhëheqësit ideal me pothuajse forca mbinjerëzore, mendon shkrimtari Stanislaw Strasburger. Por kjo nuk vlen vetëm në Poloni për përkrahësit e Kaczynskit.

Stanislaw Strasburger (Mathias Bothor)

Europa ime: "Protesta e zezë i ngjalli frikë atij, sepse ai në jetën e vet asnjëherë nuk ka parë një grua", tha Vladyslav Frasyniuk në një demonstratë kundër qeverisë në Varshavë. Frasyniuk kishte parasysh me këtë Jaroslav Kaczynskin, kryetarin e partisë në pushtet "E drejta dhe drejtësia" (PiS), dhe u referohej protestave  të vitit 2016, kur mijëra gra dolën për të protestuar në rrugë kundër ashpërsimit të ligjit për abortin.

Frasyniuk për një kohë të gjatë konsiderohej si drejtuesi i mundshëm i një lëvizjeje të gjerë opozitare në Poloni. Ai është një legjendë nga koha e "Solidarnostit" para vitit  1989, por vitet e fundit ka qendruar jashtë aktivitetit politik. Shumë njerëz në Poloni, që kërkonin një përfaqësim politik për protestat e shumta qytetare kundër PiS, besonin, se pikërisht ai është i predestinuar, që të marrë përsipër rolin e figurës drejtuese të opozitës.

Ndërkohë edhe figura të tjera të njohura përdorin të njëjta tone si Frasyniuk. Drejtuesi i ri i komitetit për mbrojtjen e demokracisë (KOD) në të njëjtën demonstratë në Varshavë tha, se: "Nëse do të isha grua, do të më shpërthenin tani lotët, por unë jam një burrë i fortë."

Njërës prej deputeteve të PiS së fundi iu vu në dukje publikisht, se e ka të nevojshme të provojë "seksin si terapi". Nëse do ta bëntë këtë do të "kishte ndjesi të mirë në trup, pa dhimbje mesi dhe kokë të kthjellët. Në një kondicion të tillë mund t'i rendisësh edhe më mirë mendimet".

Burrë i fortë, grua e dobët

Në një rast tjetër zëdhënësi kërkoi ndjesë për këtë deklaratë. Por kjo nuk i ndihmoi shumë. Nga të gjitha anët shpërthyen kritikat. U kritikua shovinizmi dhe seksizmi në debatin publik. Shpresa të mëdha u goditën papritur. Brenda natës humbi e u zhvleftësua shumë kapitali politik. Por çfarë tregon kjo për jetën politike?

Natyrisht unë konsideroj, se të tilla deklarata duhen kritikuar. Megjithatë ato nuk më duken aq shumë si dëshmi për një qëndrim seksist të zëdhënësit, por më shumë ato pasqyrojnë mungesën e aftësisë për të kontrolluar ndjenjat.

Në mënyrë subtile qarkullojnë përfytyrime për rolet gjinore. Një burrë është parimisht i fortë dhe racional, por jo emocional. Një grua në kontekstin politik shpesh trajtohet me  nënvleftësim, sepse ajo nuk është e predestinuar për të mbajtur barrën e jetës politike.

Zhgënjimet e ndrydhura seksuale kompensohen me luftën politike për pushtet. Në Poloni pak a shumë qarkullon hamendësimi, se Jaroslav Kaczynski është një homoseksual, i cili nuk e ka pranuar hapur këtë. Ashpërsia e tij politike me gjasë është pasojë e konfliktit të tij të brendshëm.

Çmagjepsja e emocioneve dhe seksualitetit 

Për t'iu kundërvënë gjithë kësaj, sipas mendimit tim, do të ishte e dobishme që të çmagjepsen në diskursin politik emocionet dhe seksualiteti. Ky problem nuk prek vetëm Poloninë. Në kërkesën që karakterizon sot të ashtuquajturin rreth kulturor perëndimor për të ndarë në mënyrë strikte privaten nga publikja (politike), nga perspektiva humaniste kjo duket thjesht artificiale dhe konfuzionuese. A duhet t'i përmbahemi patjetër kësaj? Edhe politikanët janë njerëz. Ata i jetojnë ndjenjat e tyre, mund të jenë emocionalë dhe ndonjëherë flasin edhe broçkulla. Ashtu si të gjithë ne. 

Një komportim i hapur i aktorëve politikë me emocionet e tyre duhet të shoqërohet me akecptancën shoqërore për shumëllojshmërinë e roleve gjinore. Kjo akceptancë duhet të vlejë edhe për figurat politike. Politikanët nuk kanë nevojë të kenë një status "mbinjerëzor" - që do të thotë pra të jenë si pa emocione, aseksualë dhe me fuqi e aftësi të jashtëzakonshme.

I zgjedhuri sakrifikohet për bashkësinë

Kritika e ashpër ndaj deklaratave të cituara demaskon edhe një imazh të caktuar të drejtuesve politikë, që me sa duket e kanë parasysh disa prej këtyre kritikuesve. Ky është një imazh moisian, që i referohet romantikës së shekullit të 19-të. Ky moisianizëm është i përhapur fort si strukturë mendimi në Europën Qendrore dhe Lindore, por kurrësesi jo vetëm atje.

Kemi të bëjmë këtu me përfytyrimin e udhëheqësit ideal, i cili është i pajisur pothuajse me forca të mbinatyrshme. Ai jo vetëm është tepër i fortë dhe inteligjent, por edhe figurë orientuese, që e sakrifikon veten për bashkësinë - p.sh. për një komb. E ajo që është domethënëse ky "Moisi" është gjithmonë një burrë.

Jaroslaw Kaczynski në mënyrë paradoksale e plotëson rol si për përkrahësit e tij, ashtu edhe për kundërshtarët. Sipas logjikës moisianiste vetëm një i barabartë me të mund ta ndërmerrte luftën për të rrëzuar PiS nga pushteti. Shkurt pra: na duhet "një superman"!

Rrjete komunikimi lokal në vend të figurës së Moisiut

Por roli i "kundërshtarit të Moisiut"  mbetet vakant - e është mirë kështu. Unë nuk besoj, që mendimi moisian mund të jetë një recetë e sukseshme për ripërtëritjen politike të një vendi. Mendoj më shumë, në lëvizje rajonale dhe bashkiake, ku njerëzit të organizohen lokalisht.

Natyrisht këta njerëz kanë nevojë për përfaqësim politik. Por lëvizjet e decentralizuara të mbrojnë prej udhëheqësve të fortë nacionalë, sepse ato nuk kërkojnë diskurs të unifikuar. Të tilla forma organizimi shohin si vlerë themelore të tyre futjen në një rrjet komunikimi lokal.

Një rrjet i tillë është një komponent i rëndësishëm i "EUtopi"-së: Nëse një Europë e bashkuar do të ketë një shans për ekzistencën e qendrueshme politike, kështu unë besoj, se kjo është rruga, që duhet të mbështetet. Të tilla qasje ka edhe në Poloni.

 

Stanisław Strasburger është lindur në Varshavë. Ai është shkrimtar dhe manaxher kulture. Temat e tij kryesore janë kujtesa kolektive, migrimi dhe multikulturaliteti. Ai jeton në Berlin, Varshavë dhe Bejrut.

Albanian Shqip

Amharic አማርኛ

Arabic العربية

Bengali বাংলা

Bosnian B/H/S

Bulgarian Български

Chinese (Simplified) 简

Chinese (Traditional) 繁

Croatian Hrvatski

Dari دری

English English

French Français

German Deutsch

Greek Ελληνικά

Hausa Hausa

Hindi हिन्दी

Indonesian Bahasa Indonesia

Kiswahili Kiswahili

Macedonian Македонски

Pashto پښتو

Persian فارسی

Polish Polski

Portuguese Português para África

Portuguese Português do Brasil

Romanian Română

Russian Русский

Serbian Српски/Srpski

Spanish Español

Turkish Türkçe

Ukrainian Українська

Urdu اردو