1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Evropa nuk mund të jetë fortesë"

Bernd Riegert25 Dhjetor 2014

2014 shënon valën më të madhe të refugjatëve që prej vitit 1945. Edhe në 2015 pritet rritja e numrit të refugjatëve. BE-së i nevojitet një politikë njerëzore për refugjatët, komenton Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/1E9pH
Indien Symbolbild Flüchtlinge 25.12.
Fotografi: Reuters/Adnan Abidi

Që prej vitit 1945 nuk ka pasur kaq shumë refugjatë dhe azilkërkues në Evropë sa këtë vit. Qindra mijëra marrin arratinë nga zonat e krizës si Siria, Eritrea, Pakistani dhe Afganistani në drejtim të Evropës. Mijëra humbasin jetën gjatë përpjekjes për të kapërcyer Mesdheun apo kufijtë tokësorë të BE-së. Kush nuk ka fatin të bëjë pjesë në kontingjentin e atyre që iu njihet statusi i refugjatit - dhe këta janë një numër i vogël - është i detyruar të kërkojë azil. Kjo mund të bëhet vetëm në territorin e BE-së. Nga aspekti ligjor pra dikush që kërkon mbrojtje duhet fillimisht të hyjë ilegalisht në Evropë për të paraqitur kërkesën për azil. Kjo është situata absurde me të cilën përballen këta njerëz.

Hyrja e paligjshme shpesh organizohet nga banda trafikantësh. Një krim që sjell miliarda euro vetëm për kriminelët që dërgojnë nga Libia varkat nga Meshdeu në Veri. E gjitha kjo një situatë e papranueshme dhe jo vetëm prej vitit 2014. Ministrat e brendshëm të BE-së e kanë kuptuar me kohë se në politikën e azilit dhe refugjatëve diçka duhet të ndryshojë. Mesdheu nuk duhet të kthehet në një varrezë, tërhoqi vëmendjen para Parlamentit Evropian Papa Françesku. Ai ka natyrisht të drejtë, por çfarë mund të bëhet vërtet?

"Fortesa Evropë" duhet të hapet?

Organizatat për mbrojtjen e refugjatëve kërkojnë që "fortesa Evropë" të hapet dhe imigrimi të lejohet plotësisht. Kjo është e kuptueshme nga aspekti human por politikisht nuk mund të zbatohet. Gatishmëria e popujve të Evropës për të pranuar në një rast të tillë miliona njerëz të cilët më pas duhet të integrohen, thjesht nuk ekziston. Që tani në shumë shtetet të BE-së ka qendresë ndaj numrit të refugjatëve që perceptohet në rritje, në disa shtete grupime me qendrim armiqësor ndaj të huajve kanë një numër frikshëm të madh përkrahësish. Këtu nuk ndihmon as të tregosh se Evropa në krahasim me vendet fqinje me vatrën e krizës Siri, pranon shumë pak refugjatë. Në Liban një në katër banorë është tashmë refugjat. Përllogaritur me numrin e popullsisë së Evropës këta do të ishin 125 milionë refugjatë në vend të 500.000 sa janë aktualisht. Por është fare e qartë se këto lojëra me numra janë krejt jorealiste. Vullneti politik, për të pranuan numrin në rritje të imigrantëve apo edhe thjesht për të mbajtur edhe më tej nivelin e sotëm, thjesht nuk ekziston.

BE ka pranuar se duhet të ketë më shumë imigrim të ligjshëm drejt Evropës për të shpëtuar njerëzit nga duart e trafikantëve dhe për t'u kursyer atyre arratinë e rrezikshme. Por nëse do të kishte më shumë rrugë të ligjshme duhet të llogaritet në mënyrë realiste me më shumë njerëz nga Lindja e Afërt, Afrika apo Rusia, Ukraina apo Serbia, të cilët do të përpiqeshin të udhëtonin drejt Evropës. Numri i përgjithshëm i njerëzve që hyjnë në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme, sipas vullnetit të evropianëve nuk duhet të rritet në krahasim me nivelin e sotëm. Se si mund të zgjidhet kjo dilemë është e hapur. Kjo çështje do t'i preokupojë edhe vitin e ardhshëm ministrat e brendshëm të BE-së. BE mund të përcaktonte kuota imigrimi për vende të caktuara origjine, ngjashëm me trajtimin e kësaj çështjeje nga SHBA. Të gjithë të tjerët të cilët do të vinin megjithatë, duhej të ktheheshin mbrapsht në mënyrë rigoroze. A është kjo e drejtë?

Deutsche Welle Bernd Riegert
Redaktori i DW Bernd Riegert

Zgjedhje e vështirë - Kush do të lejohet të qendrojë?

Vetëm rreth gjysma e refugjatëve që paraqesin një kërkesë për azil pranohen vërtet, kjo është mesatarja evropiane. Kuotat e njohjes janë shumë të ndryshme për vendet e ndryshme të origjinës. Sirianët aktualisht pranohen thuajse të gjithë. Serbët refuzohen thuajse plotësisht. Ideja e shqyrtimit të shanseve për azil përpara hyrjes ilegale pra jashtë Evropës, është tërheqëse. Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere e ka përmendur atë mëse një herë. Se si mund të organizoheshin vërtet këto qendra të propozuara për shqyrtimin e mundësisë së azilit në vendet afrikane të tranzitit, pa u kthyer në kampe internimi, është e vështirë të marrë përgjigje. Sigurisht do t'ia vlente të paktën të bëhej një përpjekje për të bërë të panevojshëm udhëtimin e rrezikshëm në Mesdhe.

Shtetet anëtarë të BE nëse do të ishin solidare me njëri-tjetrin dhe do t'i përmbaheshin ligjeve në fuqi sot, mund të përmirësonin situatën e refugjatëve. Sipas rregullit të fuqi të ashtuquajtur të Dublinit, çdo shtet duhet të kujdeset për refugjatin që shkel të parin territorin e tij. Në çdo vend për këtë duhet të kryhen procedura të rregullta azili. Por këtij rregulli nuk i përmbahen Italia, Greqia, Hungaria dhe të tjerë. Vazhdimisht gjykatat evropiane kritikojnë kushtet e papranueshme në strehat për refugjatët apo procedurat me mangësi. Këtë vit Italia p.sh. nuk ka regjistruar mijëra refugjatë por pas shpëtimit nga deti i ka liruar në ilegalitet, e gëzuar kur ata udhëtojnë drejt Veriut përtej Alpeve. Pesë shtete që sot pranojnë veçanërisht shumë njerëz, ndër ta Gjermania, duan një shpërndarje më të drejtë mes 28 vendeve anëtare. Ato shtete që sot kanë pak azikërkues, e refuzojnë këtë. Çështja është edhe se cilët azilkërkues zgjidhen dhe mbi cilat kritere, për t'i çuar në një vend tjetër të BE-së. Dhe a mund të strehohen ata diku tjetër kundër vullnetit të tyre? A nuk do të përpiqeshin ata të shkonin në destinacionin e preferuar sapo t'u krijohej mundësia?

BE duhet të gjejë një zgjidhje

Këto janë shumë pyetje rreth një problemi shumë kompleks dhe të vështirë, me të cilin BE duhet të merret më shumë vitin e ardhshëm. Ajo nuk mund të presë derisa në pranverë pamjet e varkave të mbytura të refugjatëve para brigjeve të Italisë të tregojnë qartë situatën e tmerrshme. Vdekja në kufijtë e jashtëm të BE vazhdon thuajse çdo ditë. Statistikat zyrtare rregjistrojnë vetëm ata që gjehen, regjistrohen dhe futen në procedurën e azilit. Shifra e panjohur e refugjatëve të paligjshë, që fshihen menjëherë pa u regjistruar asnjëherë në sistemin e azilit është gjigante. Ajo është tri ose katër herë më e madhe se numri zyrtar i refugjatëve dhe azilkërkuesve, vlerëson Këshilli Evropian i Refugjatëve. BE pas rreth 20 vjetësh përpjekjesh për një politikë më të mirë për refugjatët, duhet të ofrojë më në fund një zgjidhje në vitin 2015. Një gjë është e sigurt: për shkak të krizave në rritje në Lindjen e Afërt, Afrikë dhe ndoshta Evropën Lindore, trysnia do të rritet. Në Evropë do të jenë të detyruar të vijnë më shumë refugjatë. Evropa duhet të përgatitet, në mënyrë që të mund të mbetet humane!