1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa para provës së besimit: Samiti gjigand Evropë -Azi:

Ruth Krause/Bahri Cani5 Nëntor 2012

Më 5 dhe 6 Nëntor kryeministrat e vendeve evropiane dhe aziatike takohen në samitin që mbahet çdo dy vjet me titull ASEM. Në takim do të marrin pjesë të gjitha vendet e BE-së, 21 vende aziatike e partnerë të tjerë.

https://p.dw.com/p/16cth
ASEM: Samiti i 5 dhe 6 Nëntorit BE-Azi
ASEM: Samiti i 5 dhe 6 Nëntorit BE-AziFotografi: dapd

Ajo që në fillim duket e parrezikshme për evropianët mund të shndërrohet në një problem shumë serioz. Evropianët duhet të rikthejnë besimin tek partnerët aziatikë që në kohën e krizës së euros nuk është fare e lehtë, mendon eksperti për çështjet e Azisë, Cameron Fraser, nga Qendra BE-Azi në Bruksel: "Udhëheqësit e Azisë do të pyesin Evropën: kur do ta vendosni rregullin në shtëpinë tuaj?“

Partneriteti mes vendeve aziatike dhe evropiane është për BE-në jashtëzakonisht i rëndësishëm. Në gjysmën e parë të vitit 2012, gati një e treta e eksporteve të 27 vendeve të BE-së kanë shkuar në vendet e ASEM-it. Ndërkohë që importet ishin madje 43%. Megjithatë Evropa duhet të luftojë që të ruajë pozicionet e saj në Azi, mendon ekspertja Shada Islam. „Duhet të jemi realistë: Evropa nuk është më prioriteti kryesor i Azisë. Ajo po orientohet gjithnjë e më shumë nga SHBA-ja, por po i kthehet edhe vetvetes", pohon Islam.

Jose Manuel Barroso në samit
Jose Manuel Barroso në samitFotografi: Reuters

Evropa në rrugë të mirë

Ndaj Evropa duhet sipas Shada Islam të angazhohet më shumë. Martin Schäfer, zëdhënësi në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, është i bindur se Evropa do të bindë Azinë se është në rrugën e duhur. „Zhvillimet e dy muajve të fundit na japin neve dhe partnerëve tanë aziatikë shpresë se kemi bërë hapa të mirë drejt zgjidhjes së krizës“, pohon ai.

Edhe David O'Sullivan, i cili në Vientane të Laosit udhëton së bashku me Komisionin e BE-së, angazhohet për thellimin e partneritetit. Ai do të kërkojë më shumë bashkëpunim mes partnerëve. "Ne angazhohemi për zgjerimin e bashkëpunimit. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me bashkëpunimin ekonomik, por edhe me sektorin e sigurisë dhe politikën e jashtme. Ne kemi pasur dhe kemi një rol qendror në zhvillimin e Azisë dhe duam që kështu të mbetet", thotë O'Sullivan.

Roli i madh i Gjermanisë

Gjermania ka një rol të veçantë në bashkëpunimin me Azinë. Tregu gjermano-aziatik është më i fuqishëm se asnjë vend tjetër evropian. Në gjysmën e parë të këtij viti Gjermania ka eksportuar në Azi më shumë se një të tretën e eksportit të përgjithshëm. Ndaj qëndrimi i Gjermanisë është për Azinë shumë i rëndësishëm, mendon Shada Islam. “Berlini ka pozicionin kyç në raportet mes Azisë dhe Evropës. Gjermanët kanë me Azinë raporte shumë të mira, ndaj me siguri që Gjermania do t'i bëjë një shërbim të mirë Evropës në qoftë se angazhohet për thellimin e bashkëpunimit me Azinë", mendon Islam.

Ndaj pritet me kureshtje qëndrimi i Gjermanisë ndaj disa çështjeve kontestuese. Përveç krizës ekonomike në këtë takim një rol të veçantë do të luajë edhe raporti i Azisë ndaj SHBA-së.

Kryeministri kinez Wen Jiabao
Kryeministri kinez Wen JiabaoFotografi: Reuters

SHBA orientohet më shumë drejt Azisë

Presidenti amerikan Barack Obama ka bërë një kthesë ndaj Azisë para një viti. Ai ka vendosur që në veri të Australisë të dërgojë edhe 2500 ushtarë, që nga qeveria kineze është kuptuar si një përpjekje për bllokim ushtarak. Eksperti Fraser Cameron thotë se duhet pasur kujdes me vlerësime të tilla. “BE-ja duhet të jetë e kujdeshme. BE-ja dhe SHBA-ja kanë shumë pika të përbashkëta në politikën ndaj Azisë por edhe disa gjëra që i ndajnë. BE-ja duhet të veprojë me kujdes", thekson Cameron.

Një potencial tjetër për konflikt paraqesin edhe raportet e tendosura mes Kinës dhe Japonisë për shkak të disa ujdhesave në pjesën lindore. Të dy vendet pohojnë se ato janë të tyre. Nëse ky konflikt hapet edhe në ASEM, Gjermania do të jetë e përmbajtur, pohon Martin Schäfer dhe shton: „Për ne është me rëndësi që konfliktet të zgjidhen me dialog, sepse vetëm një zgjidhje e përbashkët politike mbi bazën e negociatave mund të sjellë një zgjidhje të qëndrueshme.“ Në fund të samitit nuk priten vendime politike. Përfitimi më i madh nga ky takim do të jetë shkëmbimi i mendimeve, bashkëpunimi dhe shqyrtimi i perspektivës për bashkëpunim.