1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

210311 Leidenschaft Wald

22 Mars 2011

Ndjenja e bukurisë së natyrës dhe e idilit romantik të lidhur me pyllin është e përhapur në tërë Gjermaninë. Si ndodh që pylli ka një rëndësi kaq parësore për gjermanët?

https://p.dw.com/p/10fq3
Pamje nga pyjet e BavarisëFotografi: Nationalpark Bayerischer Wald

Në Gjermani ka 11 milionë hektarë pyje. Kjo do të thotë se pyjet zënë rreth një të tretën e sipërfaqes së vendit. Gjermanisti dhe gazetari i specializuar Detlev Arens ka hartuar një vepër monumentale për Pyllin Gjerman, një libër që lidh njohuritë e natyrës me historinë kulturore.

Buchcover Deutscher Wald von Detlev Arens QUER
Kopertina e librit Pylli gjerman i Detlev Arens

Në ndjekje të gjurmëve

Të ecësh nëpër pyll me Detlev Arensin do të thotë të shkelësh një mbretëri deri tani të panjohur. Sepse papritur gjithçka, që rritet dhe kacavirret atje, merr një emër: panjë dhe gështenjë e egër, kulpër dhe jargavan mali. Dhe natyrisht, gjithçka ka historinë e saj, si për shembull ranunculus ficaria (gjermanisht Scharbockskraut), sepse Scharbock është emri gjerman për sëmundjen e mungesës së vitaminës, skurbut. „Meqenëse ajo është një nga bimët e para, që lulëzojnë me gjethet e tyre të gjelbra dhe këto gjethe të gjelbra kanë vërtet përmbajtje të lartë vitamine C, ajo është përdorur vërtet në të kaluarën si sallatë e gjelbër e hershme kundër skorbutit.“

Kur nisi marrëdhënia specifike gjermane me pyllin?

Wanderer im Wald
Fotografi: AP

Deri këtu mjaft praktike, por kur dhe si filloi pylli të bëhej më shumë sesa rezervuar ushqimesh, vend gjuetie dhe livrues lëndësh të para për ndërtimin e shtëpive? „Konturet e hershme të marrëdhënies specifike gjermane me pyllin dallohen gjatë renesansës.“

Sepse rreth 1500-ës elita humaniste në Gjermani zbuloi shkrimtarët latinë, sikurse kolegët e tyre përtej alpeve. Por gjermanët vendosën prioritetet e tyre. Vepra më e rëndësishme në çështjen e pyllit: Germania e autorit romak Taciti. „Prej Tacitit nxjerr, megjithëse me një këndvështrim të njëanshëm, një imazh pozitiv të gjermanëve. Dhe ky imazh pozitiv i gjermanëve dallon fare qartë prej Romës dekadente. Pra Taciti thotë, pa shikoni gjermanët, se si e ndëshkojnë tradhtinë bashkëshortore, gjë që në Romën e atëhershme ishte e zakonshme, të paktën te shtresat e larta. Gjermanët e ndëshkonin ashpër tradhtinë bashkëshortore. Dhe kjo ka pastaj një funksion shembullor. Natyrisht nga Taciti është edhe ky imazh i njohur i gjermanëve: pyje të errëta dhe moçale rrëqethëse. Kjo nuk ishte aq pozitive dhe dallonte shumë kundrejt pejzazhit mjaft pa pyje të Mesdheut. Por ishte diçka, që ishte e lidhur me gjermanët. Beteja e Pyllit të Teutoburgut: ka shumë teori se ku është zhvilluar, por është e qartë se ka qenë në pyll.“

Në romantizëm ekzagjerohet pylli

Pylli pati që në mesjetën e vonët nuanca pozitive dhe negative. Ai ishte vendi i tmerrit, por edhe terren tërheqjeje, kur dikujt i duhej të arratisej nga mjedisi i vet i jetesës. „Kjo do të thotë: në pyll ishin ata, që në anglisht quhen outlaws (njerëz të nxjerrë jashtë ligjit), jo vetëm kusarët, edhe të ashtuquajturit good outlaws, për shembull Robin Hudi.“

Die Deutschen und ihr Wald FLASH-GALERIE
Pylli romantik dhe mistikFotografi: flickr/Oliver Hiltbrunner

Prej romantikëve pylli u bë vend dëshirimi, personifikim i natyrës dhe i bukurisë së kulluar. Por ajo që e simbolizon më qartë marrëdhënien e gjermanëve me pyllin, për Detlev Arensin nuk është vetëm romantizmi. „Në të njëjtën kohë që në romantizëm ekzagjerohet pylli, lind silvikultura e njohur dhe me rëndësi botërore. Kjo do të thotë: pylli zbulohet si objekt i kërkimeve dhe si motiv ekonomik. Paralelisht me imazhet e ekzagjeruara të pyjeve në letërsinë romantike, në muzikë dhe natyrisht edhe në pikturë ndodh regjistrimi i pyllit. Matematika pyjore themelohet si disiplinë. Si mund të matet më mirë pylli? Çfarë tabelash mund të përdoren për të llogaritur produktin e tij? Dhe duke qenë se pylli është një konstrukt racional, është afërmendsh që atij t'i japësh prej fillimit formë të tillë, që më vonë të mund të mblidhet lehtë. Nga ana tjetër kemi entusiazmin e skajshëm për pyllin.“

Nazistët e shfrytëzojnë pyllin për ideologjinë e tyre

Në art nuk mbetet asnjë temë e paprekur prej pyllit. Para së gjithash, natyrisht letërsia, por edhe piktura e merr këtë temë. Nuk të habit fakti, që një shekull më vonë nacionalsocialistët nuk lejuan t'u shpëtonte përvetësimi i pyllit për ideologjinë e tyre.

Por hija e këtij abuzimi ideologjik ndërkohë ka avulluar. E megjithatë, vend për fantazi romantike ai do të mbetet edhe për shumë kohë.

Autor: Günther Birkenstock/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica