1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Füle Bashkëpunim dhe konsensus për realizmin e reformave thelbësore

Arben Muka3 Maj 2012

Komisioneri për Zgjerim dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë Štefan Füle ftoi të gjithë aktorët politikë dhe publikë në Tiranë që të jenë bashkë në kapjen e standardeve për procesin e anëtarësimit të vendit në BE.

https://p.dw.com/p/14om3
European Commissioner Stefan Fuele speaks during a media conference regarding Croatia at EU headquarters in Brussels on Friday, June 10, 2011. The EU Commission gave the green light on Friday for Croatia to join the union, with membership likely to start in 2013. (ddp images/AP Photo/Virginia Mayo)
Stefan FüleFotografi: dapd

Dita e punës në Tiranë për Komisionerin Füle ishte organizuar me një program gjithëpërfshirës, kontaktesh me dyer të mbyllura apo publike. Me përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe të opozitës ai përcolli në mënyrë të përsëritur mesazhe të qarta se Brukseli po insiston për bashkëpunim dhe konsensus nga palët për realizmin e reformave thelbësore, të cilat kanë në bazë të tyre plotësimin e 12 kritereve që janë parashtruar nga Komisioni Evropian për procesin e integrimit të Shqipërisë. “Qeveria, opozita, institucionet e zbatimit të ligjit, gjyqësori, por dhe qytetarët e organizatat e shoqërisë civile duhet të punojnë së bashku. Ju mund të arrini standarde në jetën politike, standarde këto që duhet të arrihen në një klimë paqeje pajtimi apo prosperiteti”, tha Füle duke ju drejtuar në seancë plenare të gjithë deputetëve të parlamentit të Shqipërisë.

Ai e konkretizoi dobishmërinë e të punuarit së bashku me shembujt e muajve të fundit që, si tha ai, dhanë rezultate të prekshme. Füle përmendi procedurën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, një post që nga mosmarrëveshjet politike mbeti vakant për disa vjet. Gjithashtu zyrtari i lartë i BE-së përmendi dhe miratimin e disa ligjeve që kërkonin shumicë të cilësuar të votave në parlament, si dhe progresin që është shënuar muajt e fundit në realizmin e reformës zgjedhore e parlamentare.

Për arritjen e marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtar në BE, Štefan Füle nënvizoi se që synimi i përbashkët për Statusin dhe për hapat e mëpasëm të bëhen realitet “kemi nevojë për më shumë përpjekje, progresi do të varet prej jush, nga stabiliteti i dialogut politik, nga aftësia juaj për të gjetur konsensus në parlament”

Për Komisionerin hyrja në BE nuk do të jetë një punë e lehtë

Gjatë takimeve që ka pasur në Tiranë, Komisioneri për Zgjerim dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë ka artikuluar pritmëritë që ka Brukseli nga Shqipëria në përmbushjen e detyrimeve kryesore për qëllimin final të anëtarësimit në BE.

“Së pari, vendeve u duhet të sigurojnë respektimin për demokracinë, si edhe një administratë publike që funksionon mirë. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë angazhimin tonë me Shqipërinë. Procesi i zgjerimit është i përbashkët”. - tha Füle.

Realizimi në kohë i reformës elektorale në bazë të të gjitha rekomandimeve që ka lëshuar ekipi i OSBE/ODIHR-it, është shumë i rëndësishëm, sipas tij, për të bërë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Të ruhet frymë kooperuese mes mazhorancës dhe opozitës në parlament. Në këtë aspekt Füle shprehu dëshirën që për aktin e zgjedhjes së presidentit të ri të jetë fitues një kandidaturë “që të përfaqësojë unitetin e shqiptarëve”, si një tregues i funksionimit të demokracisë në vend.“

Albania's 140-member parliament meets in Tirana, Friday May 20, 2005 before it was dissolved ahead of general elections scheduled for July 3. Albania is under pressure to hold fair and trouble-free elections in order to further its ambitions to join NATO next year and the EU by 2015. Past elections have been marred by serious irregularities. (ddp images/AP Photo/Hektor Pustina)
Parlamenti në TiranëFotografi: AP

Zgjedhja e Presidentit, një proces i negociueshëm

Në kohën kur Shqipëria është në prag të zgjedhjeve presidenciale komisioneri Füle u shpreh se “presidenti i ri duhet të pasqyrojë qartë frymën e Kushtetutës, por edhe ai që do të jetë dikush që siç thotë kushtetuta, të përfaqësojë unitetin e popullit shqiptar.”

Zgjedhja e Presidentit duhet të jetë një proces i negociueshëm. S`kam ardhur për të dhënë këshilla, por për të shikuar përpara. Presidenti i ri duhet të pasqyrojë qartë frymën e Kushtetutës, por edhe ai që do të jetë dikush që siç thotë kushtetuta, të përfaqësojë unitetin e popullit shqiptar.”

Duke folur për nevojën e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe jashtë influencave politike Štefan Füle u ndal tek procesi i bujshëm dhe I shumë debatuar në Shqipëri, për trazirat e dhunshme të 21 janarit 2011, dosje që aktualisht është në duart e togave të zeza në gjykatën e Tiranës. “Thelbësore është të hidhet dritë plotësisht për 21 janarin përmes një procesi gjyqësor të lirë nga ndërhyrjet politike”.

Reagimi i parë konkret për konsensus

Vetëm pak minuta pasi Štefan Füle u largua nga salla e parlamentit deputetët e pranishëm dhanë shenjën e parë të rezultatit me konsensus. Të dyja krahët e politikës bashkuan votat pasditen e së enjtes për të miratuar ligjin e Gykatës Administrative, pjesë e paketës ligjore që kërkon shumicë të cilësuar për miratim. Ligji ka ndejtur për afër 3 vite pa u votuar për shkak të frymës konfliktuale që ka karakterizuar politikën shqiptare në këtë periudhë.

Përfaqësia e OSBE-së në Tiranë menjëherë e përshëndeti këtë akt të parlamentit, duke e përshkruar si një element që do të fuqizojë sistemin e drejtësisë në vend dhe do të përmirësojë aksesin e qytetarëve dhe bizneseve në drejtësi, gjithashtu dhe si mundësi për veprime procedurale dhe gjykime më të shpejta.

Por ishte miratimi i këtij ligji një akt i vërtetë reflektimi për nevojën e bashkëpunimit dhe të konsensusit nga përfaqësuesit e politikës? Apo kjo frymë erdhi si rezultat i prezencës në Tiranë të zyrtarit të lartë të BE? Këto mbeten për t'u parë në ditët në vijim, kur në sallën e parlamentit pritet të kalojnë për shqyrtim e votim dhe ligje të tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Në mënyrë të vecantë kur pas pak javësh do të startojë për disa raunde procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës.