1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Füle në Maqedoni: politikanët të kenë guxim për marrjen e vendimeve historike

5 Shtator 2011

Maqedonia ka kapacitet politik që deri në fund të vitit ta zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë. Nëse kjo bëhet shpejt do të jetë në të mirë të vendit, ka deklaruar Stefan Füle gjatë qëndrimit në Shkup.

https://p.dw.com/p/12TKg
Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Stefan Füle.
Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Stefan Füle.Fotografi: AP

Eurokomisioneri për zgjerim i BE-së Stefan Füle, në Shkup ka deklaruar se është optimist dhe pret që deri në fund të vitit të zgjidhet kontesti i emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë. Zgjidhja do të ishte e mirë për vendin, për njerëzit dhe biznesin. Maqedonia meriton të jetë pjesë e një fotografie pozitive, ka theksuar eurokomisioneri Füle, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Nikolla Gruevski.

“Që një vend të jetë i sukseshëm, politikanët duhet të kenë guximin për të marrë vendime historike. Ky vend ka politikanë të tillë dhe unë i inkurajoj ata që të veprojnë dhe të punojnë sa më shumë të jetë e mundur që sa më shpejt të zgjidhet çështja e emrit”, ka theksuar Füle.

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski gjatë takimin me komisionerin Stefan Füle në Bruksel në prill 2011.
Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski gjatë takimin me komisionerin Stefan Füle në Bruksel në prill 2011.Fotografi: MIA

Füle: puna me reformat duhet të vazhdojë

Brukseli në raportin për arritjet e Maqedonisë për këtë vit do të nënvizojë ato pozitive por ka edhe shumë punë për të bërë ka thënë Fyle. Ai ka sugjeruar që reformat në administratën publike dhe në gjyqësor të vazhdojnë edhe më tej.

Kryeministri Nikolla Gruevski, është shprehur optimist se raporti i progresit do të jetë objektiv për të gjitha ato reforma që Maqedonia i ka kryer me sukses. Ai i bëri thirrje eurokomisionerit Füle, që BE-ja të mbetet edhe më tej e fokusuar në Ballkan.

“Qeveria e Maqedonisë do të vazhdojë me tempo të njëjtë në realizimin e axhendës evropiane, në veçanti në pjesën që ka të bëjë me avancimin dhe aplikimin e standardeve evropiane në shoqërinë maqedonase.”

Çështja e emrit në temat e bisedimeve

Në takimin me Füle, është biseduar edhe për çështjen e emrit. Qasja e Maqedonisë në zgjidhjen e këtij problemi mbetet aktive dhe konstruktive.

“Ne do të angazhohemi për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, e cila nuk do të dëmtojë interesin kombëtar, kulturor dhe gjuhësor të vetëidentifikimit të të dy popujve”, theksoi kryeministri Nikolla Gruevski.

Eurokomisioneri Stefan Füle gjatë qëndrimit në Shkup mori pjesë edhe në konferencën ndërkombëtare me rastin e 10 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit me temë: "Decentralizimi dhe multikulturalizmi në Maqedoni". Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Füle e ka vlerësuar si tejet rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.

Autor: Fatos Musliu / Shkup

Redaktoi: E. Xhani