1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fajon: Kosova të punojë për kriteret për liberalizimin e vizave

21 Tetor 2010

Komisioni Evropian nuk duhet ta izolojë Kosovën, por duhet t'u japë autoriteteve kosovare udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Europarlamentarja Tanja Fajon e thotë këtë gjatë një vizite në Kosovë.

https://p.dw.com/p/PjpH
Prishtina
PrishtinaFotografi: DW/ Pandeli Pani

Eurodeputetja Tanja Fajon kërkoi nga institucionet kosovare që të intensifikojnë punën në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, ndërsa, tha se Bashkimi Evropian duhet t'i japë Kosovës, sa më parë, udhëzime të qarta për përmbushjen e kritereve. Këto komente, Tanja Fajon i bëri në fillim të një vizite të saj në Kosovë, e cila do të shoh nga afër të arriturat e institucioneve të Kosovës sa i përket procesit të liberalizimit të vizave. Tanja Fajon tha se Shqipërisë dhe Bosnjes e Hercegovina me gjasë në fund të vitit do tu hiqen vizat, ndërsa, nuk i pelqeb fakti që Kosova do të mbetet e izoluar. Kjo sipas saj do ta rrisë frustrimin e qytetarëve të Kosovës.

“Shpresoj që data 10 nëntor, dy ditë pasi ministrat të marrin vendimin për Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, të jetë një kohë e shkëlqyer për t'u dhënë autoriteteve dhe qytetarëve të Kosovës lajme të mira. Kjo është koha e duhur që Komisioni Evropian t'i japë Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave”, tha Tanja Fajon, pas një takimi që zhvilloi të mërkurën në mbrëmje me kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.


Riintegrimi i të kthyerve - kërkesë e BE


“Do të doja t'i inkurajoja autoritetet kosovare të vazhdojnë me reformat e nevojshme, sepse është e rëndësishme që edhe institucionet në Bruksel të kenë rezultate të caktuara, konkrete, që dëshmojnë përkushtimin e autoriteteve kosovare për procesin”, tha Tanja Fajon.

Tania Fajon
Tania FajonFotografi: DW/Alen Legovic

Autoritetet kosovare, thonë se ata kanë pritur që nga mesi i muajit shtator që Kosova të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, sepse ata besojnë se kanë përmbushur kriteret bazë, që janë kërkuar në mënyrë që Kosova edhe zyrtarisht ta ketë udhërrëfyesin. Ata thonë se janë të vetëdijshëm se në cilën pikë Komisioni Evropian heziton të japë vlerësim pozitiv, e ai është sistemimi dhe riintegrimi i të kthyerve në Kosovë. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, thotë për programin tonë se kjo padyshim që është sfidë për vendin, mirëpo, institucionet e Kosovës sipas tij, mund ta përballojnë një situatë të tillë.

Kosova punon me udhërrëfyesin e saj

“Kemi kapacitete të mjaftueshme që ta bëjmë një gjë të tillë edhe pse është sfidë, sepse nuk është shumë lehtë të sistemosh njerëzit, sidomos ata që nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit, mirëpo, nganjëherë ka paragjykime te ndonjë shtet i bashkimit evropian, i cili mendon se Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme, mirëpo pa filluar procesi nuk është mirë të paragjykohet në këtë drejtim”, thotë Bajram Rexhepi.

Sidoqoftë, qeveria e Kosovës ka kohë që ka hartuar një udhërrëfyes të saj dhe është duke punuar që të përmbushë kriteret që kërkohen nga Komisioni Evropian, në mënyrë që edhe zyrtarisht vendi ta ketë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Kriteret krysore që kërkohen nga Komisioni Evropian janë, hartimi i regjistrave civilë, integrimi i menaxhuar i kufijve, lufta kundër korrupsionit, riintegrimi i të kthyerve dhe në fund, pasaportat biometrike. Pasaportat biometrike, sipas përfaqësuesve të ministrisë së Brendshme të Kosovës, do të fillojnë të prodhohen në fillim të vitit të ardhshëm.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtina

Redaktoi: Auron Dodi