1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Falje dhe biznese të reja

5 Mars 2012

Qeveria greke dhe koncerni i Siemensit janë duke e lënë mënjanë konfliktin disavjeçar për dëmshpërblim në lidhje me aferën e ryshfeteve, njofton media greke.

https://p.dw.com/p/14FED
Fotografi: picture alliance / dpa

Sipas njoftimeve të mediave në Greqi, koncerni industrial Siemens me qendër në Mynih është i gatshëm të kërkojë falje zyrtare për praktikat e dhënies në të kaluarën të ryshfeteve dhe të paguajë madje 170 milionë euro. Megjithatë, ky nuk është dëmshpërblim, siç kishte kërkuar Greqia. Kjo shumë është më shumë kthim pjesërisht i borxhit, si edhe ndihmë në formën e investimeve të reja e vendeve të reja të punës për Greqinë e dëmtuar rëndë. Si shenjë e vullnetit të mirë, Siemens dha njëqind bursa për studentët grekë, njofton numri online i gazetës greke, "To Vima".

Si përgjigje, qeveria e Athinës duhet të heqë dorë nga kërkesat e saj drejtuar Siemens-it në lidhje me aferat e ryshfeteve. Por më e rëndësishme është se koncerni gjerman i industrisë do të marrë javën e ardhshme sërish porosi fitimprurëse nga Greqia, pas përjashtimit që i ishte bërë nga projektet publike për shkak të konfliktit për dëmshpërblim. Kabineti qeveritar në Athinë do të aprovojë këtë javë një zgjidhje të tillë të çështjes.

Siemens do ndërtojë me gjasë metronë e Pireut
Siemens do ndërtojë me gjasë metronë e PireutFotografi: Siemens AG

Ryshfete janë dhënë. Po kujt?

Greqia është tronditur që prej viti 2007 nga afera e Siemensit. Sipas të dhënave të prokurorive si në Gjermani ashtu edhe në Greqi, që prej viteve 80-të, koncerni i Mynihut i ka lyer rrotën politikanëve, funksionarëve dhe mbajtësve të posteve në Greqi me miliona, për të marrë porosi fitimprurëse, si përshembull nga ish-posta shtetërore, OTE ose në lidhje me Lojërat Olimpike 2004 në Athinë. Marrësit e këtyre ryshfeteve kanë mbetur pa zbuluar. Vetëm dy funksionarë të lartë të Partisë Socialiste greke, PASOK kanë pranuar se kanë marrë shumë të vogla nga Siemensi, të cilat duhet të shkonin si donacione për fushatën e tyre zgjedhore.

Pagesat e rryshfeteve nuk janë vërtetuar në mënyrë të tillë që të përbënin objekt hetimi për gjykatat. Megjithatë, ose pikërisht për këtë arsye, afera e ryshfeteve është kthyer në Greqi në aferë politike. Që prej vitit 2007, partitë opozitare akuzojnë qeveritë përkatëse se nuk kanë guximin të hapin proces kundër Siemens-it. "Nigeria,madje heton kundër Siemensit, vetëm Greqia ka hequr dorë nga procesi gjyqësor," bërtet opozita e majtë në parlamentin grek.

Afera e Siemensit është kthyer në aferë politike - Parlamenti grek
Afera e Siemensit është kthyer në aferë politike - Parlamenti grekFotografi: Reuters

Frika vazhdon

Megjithatë politikanët grekë kanë refuzuar që prej vitit 2007 në mënyrë konsekuente t`i japin porosi Siemensit ose të nënshkruajnë kontrata me koncernin gjerman, nga frika se mos përzihen në skandal. Në Prill 2011, diskutimet e Siemensit e detyruan ministrin e atëhershëm të Drejtësisë, Charis Kastanides madje të thoshte se firmat gjermane janë "mjeshtra korrupsioni". Një komision hetimor i parlamentit në Athinë kërkoi atëherë gjobë nga Siemensi në nivelin e 2 miliardë eurove, por koncerni i Mynihut e ktheu kërkesën mbrapsht dhe bëri të ditur se nuk ka asnjë llogari të hapur me shtetin grek.

Por, enigmat juridike tani kanë marë fund. Në këtë mënyrë Siemens-it i hapet rruga për një porosi të madhe që ka të bëjë me ndërtimin e metrosë së Athinës në drejtim të Pireut. Që në vitin 2008, porosia për teknikën e sinjaleve të metrosë do i ishte dhënë koncernit të Mynihut, por ministri i atëhershëm i Transportit, refuzoi të nënshkruante marrëveshjen me Siemens-in, megjithëse kjo bëri që projekti të ngrinte, dhe Greqia të rrezikohej t`i kthente paratë BE-së.

Autor: Jannis Papadimitriou / Aida Cama

Redaktoi: Lindita Arapi