1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

240511 Sozialismus Nostalgie

25 Maj 2011

Më shumë se 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit dhe kolapsit të socializmit në Evropë, kujtimi i kohëve të atëhershme është ende i gjallë. Por motivimi nuk është gjithmonë politik.

https://p.dw.com/p/11Nk6
Kupë me foton e ish-diktatorit Hoxha.
Kupë me foton e ish-diktatorit Hoxha.Fotografi: DW / Aida Cama

E njëjta pamje si çdo vit: më 25 maj, në ditën në të cilën në ish-Jugosllavi festohej me aktivitete masive datëlindja "e birit më të madh të popujve tanë", Josip Broz Tito, në vendin e tij të lindjes Kumrovec takohen shumë njerëz nga të gjitha pjesët e shtetit ndërkohë të fundosur. Ata këndojnë këngë partizane të vjetra, tundin flamujt ndërkohë të harruar dhe pinë në restorantin e vogël verë nga vreshtat e Brozit. Dhe shiten sërish stema, filxhanë kafeje dhe bluza me portretin e Titos.

Sepse Tito është sot ende i pranishëm, shpjegon Tvrtko Jakovina, historian nga Zagrebi: "Si më parë, kur ende jetonte, edhe sot Titoja është markë. Gazetat shiten kur kanë në faqen e parë një tregim me atë në rolin kryesor. Gjithçka që ka të bëjë me të zgjon interes të veçantë, dhe kjo në të gjitha palët."

Kult personi në shtetet socialiste kishte që në krye- duke nisur që nga kufoma e drejtuesit të revolucionit të Tetorit, Vladimir Iljitsch Lenin që u ballsamos dhe u vendos në mauzoleumin e ndërtuar qëllimisht për të në Sheshin e Kuq. Pasardhësi i tij Stalini shkoi edhe më tej. Portreti i "udhëheqësit të madh" pati periudha që u nderua si ikonë.

Festimi i ditëlindjes së Titos në Kroaci.
Festimi i ditëlindjes së Titos në Kroaci.Fotografi: picture alliance/dpa

Stalini ishte modeli i madh dhe pas Luftës së Dytë Botërore, e eksportuan si model në të gjitha shtetet socialiste të Evropës Lindore, Qendrore dhe Juglindore. Por ka pasur edhe përjashtime, thotë Daniel Ursprung, historian në universitetin e Zyrihut:

"E kam fjalën para së gjithash për Rumaninë, ku që prej fundit të viteve '60 Nikolae Caushesku ndërtoi një kult krejt të ri personi. Në një masë më të vogël mund ta thuash këtë edhe për Bullgarinë në vitet 70/80 me Todor Zhivkovin dhe natyrisht për rastin e veçantë Shqipëri, ku Enver Hoxha që prej viteve '50 e çoi më tej kultin fillimisht stalinist deri në fund të jetës së tij."

Një rast tjetër i veçantë është edhe ish-Jugosllavia, deklaron Daniel Ursprung:

..."ku Tito prej të gjithë atyre që përmendëm padyshim ishte ai që zotëronte një sharmë autentike, pra ku njerëzit pjesërisht e nderonin atë edhe me inisiativën e tyre."

Sot, më shumë se 20 vjet pas rënies së Murit dhe kolapsit të socializmit në Evropën Lindore, kujtimet e kohëve të shkuara janë të gjalla.

Në Shqipëri, udhëheqësi stalinist Enver Hoxha nderohet prej shumë vetëve ende si çlirues i madh nga pushtimi fashist në Luftën e Dytë Botërore dhe si një lloj heroi kombëtar, i cili u ktheu shqiptarëve pavarësinë. Pasi në vitin 1997 thuajse u shkatërrua rendi publik, njerëzit nisën t'i sfumojnë dukuritë negative të kohës së Hoxhës dhe të kujtojnë "kohët e vjetra të mira", kur kishte stabilitet, siguri dhe rregull, edhe nëse jo mirëqënie, gjithsesi të ardhura të sigurta, të rregullta. Ndërkohë ka një treg të vërtetë për objekte në kujtim të Hoxhës, thotë Daniel Ursprung:

"Ngjashëm si mund të gjesh në Paris Kullën e Eifelit (në miniaturë) ose në Piza Kullën e Pjerrët, në kalanë e Beratit për shembull mund të blesh buste të vegjël të Hoxhës, mund të blesh fotografi të tij...Gjen praktikisht gjithë spektrin e objekteve tipike për turistët, siç i gjen edhe në vende të tjera, që shesin suvenire për turistët."

Krejt ndryshe paraqitet situata sot në Poloni. Atje kishte që herët një frymë të fortë antikomuniste, veçanërisht kultin e personit e shihnin që herët si simbol të tutelës së padashur ruse. E kaluara socialiste atje sot shihet në mënyrë kritike, bëhen studime për represion dhe shkelje të të drejtave të njeriut në kohën e atëhershme. Një nostalgji e mundshme mbetet në ambjentin privat, një glorifikim i saj në publik nuk bëhet, thotë gazetari polak dhe publicisti Janus Reiter. Megjithatë, e kaluara nuk sfumohet krejtësisht:

"E kaluara zbulohet si diçka më tepër e çuditshme dhe qesharake. Pikërisht absurditetet e jetës në komunizëm, ato kanë njëfarë vlere zbavitëse, por kjo nuk politizohet më. Unë besoj se kjo ka të bëjë në përgjithësi me faktin se shoqëria ka mbërritur në sistemin e ri."

Autor: Zoran Arbutina / Auron Dodi

Redaktoi: E. Xhani